Ndonëse Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka buxhetin për barna me të lartin ndonjëherë, shumë barna aktualisht mungojnë. Prej muajsh, klinikat e spitalet rajonale nuk janë furnizuar as me një numër antibiotikësh. Sipas një burimi, vetëm mungesa e njërës prej ampulave, pacientëve që e kanë të përshkruar në terapi u kushton deri në 200 euro në ditë
Buxheti nuk është arsye përse në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) ka mungesë të barnave.
Këtë vit, spitalet rajonale dhe Qendra Klinike Universitare (QKUK) kanë në dispozicion buxhetin prej më shumë se 36 milionë eurosh për barna, por burime të KOHËS kanë treguar se ka mungesë të tyre. Sipas këtyre burimeve, mungojnë edhe barna bazike për trajtimin e pacientëve.
Kësisoj, deri të mërkurën pasdite nuk ka pasur as antibiotikë, të cilët përdoren në sallat e Kirurgjisë e edhe barna që janë esenciale për mjekimin intensiv.
Një burim brenda SHSKUK-së ka treguar se prej muajit prill nuk ka pasur furnizim me ampulën imipenem të sasisë prej 500 miligramësh. Prej javësh ka munguar furnizimi edhe me ampula penicilin crystal, phenobarbiton, dhe të tjera.
Një nga barnat më të rëndësishme që i mungon QKUK-së prej një muaji është ampula colistin. Sipas burimeve të KOHËS, kur mungon në QKUK, ajo u kushton pacientëve deri në 200 euro në ditë.
Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Shëndetësisë, janë mburrur vazhdimisht gjatë këtij viti me rritjen e buxhetit për barna të Listës Esenciale, duke e quajtur buxhet historik. Megjithëkëtë, shumë barna aktualisht mungojnë. Në SHSKUK nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me çështjen qysh prej javës së shkuar, ndërkaq burimet kanë thënë që SHSKUK-ja po pret furnizim të shpejtë.
ShSKUK-ja ka pranuar një furnizim të mërkurën, por ai nuk ka të bëjë me tenderët. KOHA ka mësuar që njëra nga kompanitë farmaceutike e ka furnizuar këtë institucion në formë donacioni, me rreth 100 ampula colistinë.
Rritja e buxhetit për barna është prezantuar nga Qeveria si një nga punët më të rëndësishme që ka bërë në shëndetësi.
Në fundin e vitit të kaluar Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga 198 milionë euro buxhet sa ishte në vitin 2022, për vitin 2023 ka ndarë 296 milionë euro për shëndetësinë. Për mbulimin e Listës së barnave esenciale janë buxhetuar 60 milionë euro, duke përfshirë edhe sistemin primar shëndetësor.