Mbi 1 milion e 400 mijë euro i ka kushtuar SHSKUK-së futja e një ilaçi për trajtimin e kancerit të gjirit në Listën Esenciale të re të barnave.
Nga ky vit, për herë të parë, në listën esenciale të barnave është futur bari Pertuzumab, i cili deri më tani disa herë ishte siguruar në formë donacioni, ndërsa në rastet tjera pacientët e kishin siguruar atë përmes rrugëve private duke paguar për një dozë të këtij ilaçi nga 900 deri në 1 mijë e 500 euro.
Në kontratën e nënshkruar me kompaninë e vetme, e cila ka ofertuar për këtë bar, SHSKUK-ja një dozë të Perzutumabit do ta paguajë 2 mijë e 610 euro.
Sipas kësaj kontrate 12-muajshe, kompania “Meditech” do t’i sigurojë 560 copë të Pertuzumabit, me një vlerë prej 1 milion e 461 mijë eurosh.
SHSKUK-ja, përmes një përgjigjeje me shkrim ka konfirmuar se kompania “Meditech” ka qenë e vetmja, e cila ka ofertuar për blerjen e barit Pertuzumab.
“ Në tenderin “Furnizim me Pertuzumab nga Lista e Re Esenciale për Nevojat e SHSKUK-së ka ofertuar vetëm një Operator Ekonomik, kontrata i është dhënë OE MEDITECH. Në bazë të kritereve për dhënie të kontratës AK ka propozuar OE të përgjegjshëm me çmimin më të lirë. Vlera e parashikuar e AK ka qenë 1,466,080.00 euro ndërsa vlera e kontratës se OE fitues për produktin Furnizim me Pertuzumab nga Lista e Re Esenciale për Nevojat e SHSKUK-së është 1,461,600.00 euro. Çmimi për njësi me TVSH i kontratës është 2610.00 euro”.
Por e njëjta kompani, e cila SHSKUK-së ia ka ofruar një dozë të Pertuzumab për 2 mijë e 610 euro, pacientëve individualisht dy vjet më parë këtë ilaç ua kishte shitur për 1 mijë e 555 euro.
KOHA ka kërkuar sqarime nga kjo kompani se përse ua kishte shitur pacientëve këtë ilaç me këtë çmim, ndërsa në tender kishte ofertuar me çmim shumë më të lartë.
Por, sipas kompanisë “Meditech”, e cila është distributore e prodhuesit Hoffman La Roche, pacientëve të shteteve të cilat nuk e kanë këtë ilaç në listë esenciale të barnave ai u është ofruar nën koston e produktit, me qëllim të qasjes sa më të lehtë së këtij produkti jetëshpëtues.
“Me qëllim të ndihmës për pacientët të cilët vijnë nga vendet jo të zhvilluara, ku produkti jetëshpëtues Pertuzumab nuk blihet dhe nuk rimbursohet nga Ministria e Shëndetësisë apo fondet për sigurime shëndetësore, prodhuesit Hoffmann La Roche nëpërmjet distributorit “Meditech LLC” zbaton programin për mbështetjen e pacientëve (Ang: Patient Support Program - shkurtimisht: PSP). Përmes këtij programi prodhuesi dhe distributori ofrojnë produktin për pacientë individualë nën koston e produktit, kjo me qëllim që një produkt i tillë të jetë i qasshëm për të shpëtuar jetë. Programi PSP ofrohet në nivel global me kushte të ngjashme dhe përfshin Kosovën dhe vende tjera jo të zhvilluara”, thuhet në përgjigjen e Meditech Shpk.
“Meditech” gjithashtu ka thënë se ajo ka ofertuar me çmim më të ulët sesa çmimi i tregut në vendet referente.
“Çmimi të cilin e ka ofertuar Meditech ShPK është më i ulët sesa buxheti dhe çmimi të cilin e ka pasur SHKSUK, dhe më i lirë se çmimi i tregut në vendet referent. Sikurse mund ta konfirmoni në dokumentet në attach (Leja e importit L2-2019-20, dhe gjithashtu pagesa e detyrimeve Doganore) çmimi i furnizimit të Meditech ShPK për këtë produkt është EUR 2554.23 (dymijë e pesëqind e pesëdhjetë e katër euro e njëzet e tre cent). Derisa si dëshmi keni Lejen e Importit, përmes kësaj dëshmia tregohet çmimi i Blerjes së produktit, dhe çmimi për të cilin janë paguar Taksat e AKPM-së dhe Doganës nga Meditech”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, thotë se pacientët vazhdojnë ta sigurojnë këtë ilaç përmes rrugëve private, derisa, siç ka shtuar ai, janë 25 deri 30 pacientë brenda vitit që kanë nevojë për këtë terapi.
“Pertuzumabi është bërë kërkesa është një ilaç që ne e përdorim tek pacientët me kancer të gjirit si terapi shtesë bashkë me trasumuzuba terapi shumë mondere dhe rrit jetëgjatësinë e [pacientëve. Ky ilaq në përdim tek vendet e tjera ballkanik shumë se 4 vite. Kurse tek ne pacientët e kanë siguruar përmes rrugëve private . Sepse kur është revidu lista esecianle para një viti është pa e arsyeshme që ky ilaç të jetë pjesë e listës esenciale me mundësi të shfrytëzohet për ata pacientë që kanë nevojë”, ka thënë Kurtishi.
KOHA ka kontaktuar edhe disa pacientë të tjerë, të cilët vazhdojnë ta marrin këtë terapi. Ata kanë thënë se ka raste kur ata kanë shkuar deri në Turqi për ta siguruar atë me çmim më të lirë.
Në njërën prej faturave shihet se ky bar në Turqi është blerë me një çmim prej 950 eurosh.
Pertuzumab është njëra prej target-terapive që përdoret tek kanceri i gjirit kur sëmundja ka avancuar.