Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu-Raçi, ka thënë se buxheti është sfida aktuale për këtë institucion.
Në Komisionin për Shëndetësi, Zejnullahu-Raçi ka thënë se në këtë institucion asgjë s’është jashtë kontrolli teksa ka shtuar se për buxhetin ka raste kur “vendimet duhet të merren aty për aty”.
Ajo ka deklaruar se është planifikuar furnizimi me barna duke shtuar se ka kërkuar që të bëhen kartela të pacientëve.
“Për mua ka qenë e çuditshme që nuk kanë kartela”, ka thënë ajo para deputetëve, duke kritikuar për mosplanifikim të mirë ish-menaxherët.
Për ikjen e madhe të anesteziologëve, Zejnullahu-Raçi ka thënë se po pret plane të riorganizimit e që jo çdo klinikë të ketë anesteziologë. S’ka përjashtuar edhe opsione të tjera, transmeton KP.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se nuk po sheh qasje të mirë të udhëheqjes aktuale, duke iu referuar shkarkimit të Valbon Krasniqit. Zemaj ka pyetur kryesuesen e Bordit të SHSKUK-së, Aida Rexhepin, dhe Zejnullahu-Raçin se “përse u desh kryeministri të bëhej ministër i Shëndetësisë, e të themelonte komision”.
Zemaj ka përmendur edhe raportimet se raporti i Bordit të SHSKUK-së me ministrin e Shëndetësisë s’është i mirë.
“Ne kemi dëgjuar që s’keni bashkëpunim të mirëfilltë me ministrin e shëndetësisë dhe kjo ka bërë që të formohet komiteti dhe të quhet ministër i shëndetësisë. Pse ka ardhur kjo gjendje dhe të lëshohet në kushte teknike kryeministri”, ka thenë Zemaj.
Ai ka thënë se ka informata se bordi edhe ka ndikuar në përzgjedhjen e drejtorëve të spitalit.
Pas fjalimit të Zemajt, ai ka pasur përplasje me deputeten e VV-së, Fatmire Kollçaku, që i quajti spekulime fjalët e ish-ministrit Zemaj.
“Nuk jam në VV ku flitet me digitron”, u shpreh ai.

Deklarimet për mosbashkëpunim me ministrin Latifi, i ka mohuar kryesuesja e Bordit të SHSKUK-së. Aida Rexhepi ka thënë se krijimi i Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi s’ka të bëjë me paaftësinë e menaxhmentit aktual të shëndetësisë.
“Nuk them se gjithçka shkëlqen në shëndetësi, ankesa ka pasur dhe ka me pas. Çdo ankesë na shtyn me ecë përpara t’i përmirësojmë shërbimet. Ankesa ka edhe në vendet më të zhvilluara të botës. Të gjitha ato nuk është se nuk janë të përmirësueshme dhe çdo gjë e marrim me seriozitet të madh”, ka thënë ajo.
Sipas Rexhepit, në të kaluarën ankesat “kanë hasur në vesh të shurdhër, e tash merren parasysh”.
Ajo ka shtuar se e ka mirëpritur formimin e Komisionit Ekzekutiv, të udhëhequr nga kryeministri Kurti.
“Ai do të ndihmojë. Nuk është se ne kemi dalë të paaftë. Mbështetja e tij na ndihmon shumë. Ai s’ka nevojë të hyjë në mikromenaxhim, por është për t’i zhvilluar proceset”, ka shtuar ajo duke u ankuar në buxhetin e shëndetësisë, si një ndër problemet më të mëdha me të cilat përballet ky sektor.
Debat i ashpër është bërë për shifrën prej 150 mijë eurove të ngelura për furnizim me barna sivjet. Edhe pse të martën, Drejtoria për Financa e SHSKUK-së konfirmoi se kanë ngelur 150 mijë euro nga buxheti i Listës Esenciale të barnave për sivjet, deputetja e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku i ka quajtur spekulime këto, kur janë përmendur në komision nga deputeti Zemaj. Ndërkaq zyrtarët e SHSKUk-së kanë thënë se “qytetarët s’do të mbesin pa barna” duke u zotuar për alokime mjetesh.
Deputeti i Listës Guxo, Haxhi Avdyli ka thënë se vendimi që tu ndalohet specializantëve të punojnë edhe në sektorin publik e edhe privat është i dëmshëm dhe vetëm i shtyn ata pak specialistë që janë të ikin. Ai ka thënë qe nuk duhet të nxitohet për të marrë vendime të tilla.