Arbëri

SHSKUK: Gjendja e të helmuarve është stabile

Foto: Driton Paçarada / Koha

12:08 - SHSKUK-ja përmes një komunikate për media bën të ditur se gjendja shëndetësore e të helmuarve është stabile.

Gjithashtu bëhet e ditur se dy prej nëntë grave janë shtatzënë.

“Në ora 11:58 në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, janë lajmëruar 9 paciente, dy prej tyre shtatzënë, me kruarje të duarve të intensitetit të ultë. Dy nga to kanë pasur edhe vjellje. Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Te të gjitha rastet nuk ka pasur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile”, thuhet në komunikatë.

Pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfeve brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese.

Ekipa kujdestare e Klinikës Infektive kanë ndërmarrë masat e duhura duke i spitalizuar dhe duke i ofruar ndihmën e duhur mjekësore.

Konziliumi i SHSKUK dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në vazhdimësi janë duke e monitoruar gjendjen shëndetësore të pacientëve të spitalizuar.


Ramadani: Gjendja e të helmuarve stabile

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani ka deklaruar se gjendja e të helmuarve është stabile, raporton KTV.

“Janë lajmëruar nëntë persona, gjendja e tyre është stabile. Ekipet kujdestare kanë ndërmarrë masat e duhura rreth këtij rasti. Jemi duke bërë analizat që të kuptojmë se nga ka ardhur helmimi”, ka thënë Ramadani.

Image

Vëzhguesi i GERMIN-it tregon si u helmuan zyrtarët e KQZ-së nga zarfet e ardhura nga Serbia

13:15 - Vëzhguesi i organizatës GERMIN, Shpëtim Shujaku i ka thënë KosovaPress-it, se 26 zyrtarët e KQZ-së, në momentin që kanë hapur zarfet, kanë filluar me pas reaksione, disa kanë pas skuqje në dorë, kruajtje dhe disa shenja përreth syve.

Ai nuk ka pasur probleme deri tash, pasi ka qenë vetëm si vëzhgues, megjithatë rrëfen ngjarjen.

“Në momentin që janë hap këto zarfe kanë pas një erë shumë të rënd dhe kanë kundërmuar dhe pastaj me vazhdimin e procesin kur kanë hap , disa prej zyrtarëve të KQZ që kanë pas kontakt fizik me këto zarfe kanë filluar me pas reaksione, disa kanë pas skuqje në dorë, kruarje dhe disa shenja për rreth syve. Pastaj u marrë vendimi prej zyrtarit kryesor Besnik Buzhala që procesi me u suspendu për një kohë të pacaktuar, derisa të bëhet verifikimi pakove nga Forenzika”, tha ai.

“Unë personalisht nuk kam pas problem me to, por 6 prej punëtorëve që kanë qenë këtu, pas udhëzimit që kanë marrë në qendrën e mjekësisë familjare, janë dërguar drejt në Infektivë. Kurse pjesa tjetër e punëtorëve që kemi qenë këtu jemi duke u kontrolluar te ambulanca emergjente që ka ardh në vend”, tha ai duke shtuar se përveç 26 zyrtarëve, aty kanë qenë edhe rreth 10 persona tjerë.


Të helmuarit në QNR dërgohen në QKUK, Policia s’lejon askënd t’i afrohet Infektives

12:32 - Policia e Kosovës ka arritur në QKUK ku janë dërguar punëtorët e Qendrës së Numërimit dhe Rinumërimit të cilët dyshohet se janë helmuar nga zarfet me vota të ardhura nga Serbia.

KTV raporton se forcat policore nuk po lejojnë askënd që t’i afrohet Klinikës Infektive.

Image

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë për KTV-në se Policia posedon informata të tilla për helmim, por për detaje në këtë fazë ka rekomanduar që pyetjet të adresohen në KQZ dhe tek autoriteteve shëndetësore.

KTV-ja raporton se 9 persona janë në infektivë, derisa gjendja e tyre është stabile. Megjithatë, ata janë të shqetësuar.

E edhe në emergjencë ka zyrtarë policorë.


26 persona të helmuar në QNR nga zarfet e ardhura me vota nga Serbia - ndërpritet procesi

Image

Procesi i verifikimit të zarfeve me vota të ardhura nga Serbia është ndërprerë rreth orës 11:00 shkaku se punëtorët kanë raportuar për kundërmim nga ta, raporton KTV.

Raportohet të jenë helmuar rreth 26 zyrtarë kosovarë që kanë punuar në numërimin e zarfeve.

Ndërkaq, KTV raporton se ekipet e Emergjencës dhe të Policisë kanë arritur në vendin ku janë duke u verifikuar votat e në të cilën, për shkak të kundërmimit nga zarfet me votat e ardhura nga Serbia, është ndërprerë procesi.

Me kërkesë të Policisë, të gjithë zyrtarët që kanë qenë brenda qendrës janë duke u trajtuar nga ekipet e mjekësisë urgjente.