Arbëri

Shqyrtimi kryesor gjyqësor për “Medicus” nis me dëshminë e infermieres që punonte aty

Ka nisur shqyrtimi kryesor në rastin Medicus ndaj Lutfi Dervishit e Sokol Hajdinit.

Në seancën e parë, dëshminë e ka dhënë infermierja Ajmane Ahmeti, e cila ka punuar në Medicus për një kohë të gjatë. Ahmeti punën aty e kishte filluar pasi e kishte ftuar Lutfi Dervishi, me të cilin ka thënë se njihet nga QKUK-ja, raporton KTV.

Dëshmitarja ka treguar se nuk ka lëvizur kurrë në katet lart të klinikës, duke përjashtuar mundësinë të ketë parë diçka të dyshimtë në klinikë.

Gjatë tërë dëshmisë së saj, Lutfi Dervishit i është referuar si profesor, e ka pasur vetëm fjalë të mira për të.

Urologu Dervishi akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, derisa Sokol Hajdini akuzohet për shkaktim të lëndimit të rëndë trupor.

Rasti u kthye në rigjykim nga Gjykata Supreme, derisa pjesa e aktakuzës për Arban Dervishin u veçua, meqenëse ai vazhdon të jetë në arrati që në kohën kur Gjykata e Apelit ua vërtetoi dënimin prej 8 vjetësh burgim atij dhe babait të tij, Lutfi Dervishit.