Arbëri

Shqiptarët përfshihen në skandalin e mitos së senatorit amerikan

Ka prekur Shqipërinë dhe shqiptarët skandali në rritje i senatorit amerikan Bob Menendez. Menendez akuzohet qe disa muaj se kishte pranuar mito, kryesisht nga Egjipti e Katari për të kryer shërbime të caktuara e për të dhënë lëvdata publike ndaj tyre. Tani “Daily Beast” ka raportuar për përfshirjen e një tjetër në rastin e senatorit duke e lidhur Menendezin me Shqipërinë.

Menendez dhe bashkëshortja e tij akuzohen se kishin pranuar mito për t’u bërë favore bizneseve e qeverive të Katarit dhe Egjiptit. Në rastin e Egjiptit mito ndërlidhet me një biznes, e që “Daily Beast” ka raportuar se ka funksionuar e ka kryer punë edhe nëpërmjet një lidhjeje tjetër në New Jersey - përmes biznesmenit shqiptar Gazmend Lita.

Akuzat ndaj Menendezit dhe bashkëshortes Nadine Arslanian ndërlidhin kreun e një kompanie të ushqimeve hallall dhe të akuzuar për mito, Wael Hana, dhe biznesmenin egjiptian, Fred Daibes, që u raportua se ka marrë 45 milionë dollarë nga një kompani e lidhur me familjen mbretërore të Katarit, tranmseton "KOHA.net". 

Hetimet patën zbuluar para e ari në pronat e Menendezit ndërsa Departamenti i Drejtësisë u shpreh se bëhet fjalë për para nga skemat e ryshfetit – skema që ndërlidhet kryesisht me paratë e kompanisë së Hanas, “IS EG Halal”, të grumbulluara përmes kontratës që ka me pushtetin egjiptian.

“Monopoli i ‘IS EG Halalit’ avancoi skemën, duke siguruar të hyra nga të cilat i pandehuri Wael Hana, mundi të bënte pagesat e ryshfetit që ia kishte premtuar Robert Menendezit të pandehur, përmes Nadine Menendezit”, thuhet në akuzën që ndërlidh transferimin e mjeteve nëpërmjet kompanisë që posedon bashkëshortja e senatorit. Sipas aktakuzës, dyshohet se janë bërë të paktën 3 pagesa me vlera nga 10 mijë euro në periudhën shtator-nëntor 2019 te kompania e gruas së Menendezit. E Daibes akuzohet si sekser.

Por “Daily Beast” ka raportuar të mërkurën se ka gjetur që “IS EG” dhe marrëveshjet me autoritetet egjiptiane kanë përfshirë një tjetër operator në Manhattan – partnerin afatgjatë të biznesit të Daibesit, Gazmend Lita. Përgjatë skemës së mitos, Menendez akuzohet se u koordinua me një grup shqiptaro-amerikanësh, ku përfshihej Lita, duke u takuar me vëllain e biznesmenit – atë kohë deputet i Shqipërisë – dhe kanë folur për deklaratat zyrtare.

Këto veprime, sipas hetimeve, pasqyrojnë akuzat se Menendezi i doli në mbështetje Katarit - në këmbim të parave.

Siç pati shkruar “Daily Beast” në dhjetor të vitit 2022, Lita ishte pjesë e bordit të drejtorëve të “IS EG Halalit” degës në Indi dhe udhëhoqi disa biznese në New Yersey me zyra në objektin e kompanisë së Hanas. Një nga këto kompani pati blerë prona nga Ministria e Mbrojtjes e Egjiptit – ministri që akuzohet se po merrte instruksione nga Hana dhe bashkëshortja e Menendezit. Sipas “Daily Beast” ka nënshkrime të dokumenteve nga Lita, e që lidhen me dokumentet për këtë pronë.

As Lita e as përfaqësues të tij nuk janë përgjigjur në kërkesat për deklaratë.

Në dokumentet e gjykatave që lidhen me pranimin e fajit më 2022 për disa lojëra fati, avokatët e Litës patën thënë se së fundmi ai po shijon punën si inspektor i ushqimit hallall, rol që i kërkon të udhëtojë ndërkombëtarisht. Në dënimin me kusht të 2023-s, Litës iu lejua udhëtimi drejt Shqipërisë. Aty biznesmeni ka pasur takim me vëllain Korab Lita, pjesë e Partisë Demokratike në Shqipëri.

Sipas hulumtimit të “Daily Beast”, në shtator të 2019-s – në kohën kur shefi i Litës, “IS EG Halal” po kryente pagesat te bashkëshortja e Menendezit – senatori pati takim me Korab Litën, atë kohë deputet. Ligjvënësi amerikan nuk e pati bërë publik takimin, por deputeti shqiptar po. Korab Lita pati thënë se nga Menendezi ka marrë mbështetje për reformat elektorale të asaj kohe. Sipas mediumit amerikan, përkrahja e politikanit të njohur amerikan në shtetin me përkrahje të madhe amerikane bënë që takimi të shfaqej në shumë media në Shqipëri.

Menendezi nuk është përgjigjur në pyetjet për këtë takim apo lidhjet tjera me Shqipërinë dhe Ballkanin.

Në vitin 2021, Gazmend Lita po vendoste kompanitë në zyrat e “IS EG Halalit” dhe po kryente transaksionet me qeverinë egjiptiane, ndërsa Wael Hana akuzohet se po i kthente fondet e “IS EG-së” në ari dhe dhurata për Menendezin. E pikërisht atë kohë, senatori pati dalë me deklaratë bashkë me homologun republikan për t’u bërë jehonë thirrjeve të Litës për pjesëmarrje në zgjedhje e shqetësimet për integritet elektoral. Lëvizja konsiderohej edhe si paralajmërim për rivalët e Partisë Demokratike të Litës, Partinë Socialiste.

Deputeti Lita nuk ishte i vetmi që lidhej me Menendezin. Sikur Daibesi e Hana, Lita dhe anëtarët e tij të familjes me bazë në SHBA kanë dorëzuar donacione për të mbështetur fushatat elektorale të Menendezit në një dekadë e gjysmë. Por në rastin e Litës, shumica e donacioneve kaluan nga Komiteti shqiptaro-amerikan për Politikë të Jashtme, në të cilin Menendezi ishte përfituesi më i madh ndër vite.

Ky komitet është degë e Ligës Shqiptaro-Amerikane, të udhëhequr nga Joe Dioguardi dhe bashkëshortja e tij Shirley Cloyes. Në një deklaratë para gjykatës, Dioguardi pati deklaruar se Lita ka kontribuar për dy dekada në këtë Ligë dhe se kanë pasur shumë takime çdo vit në restorantin që kishte me Daibesin, i bashkakuzuar me Menendezin.

Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane nuk ka komentuar pretendimet. Ngjashëm kanë vendosur edhe përfaqësues të Dioguardit.

Në dokumentet gjyqësore, përfaqësues të Litës kanë lidhur punën e tij me Ligën si çështje e të kaluarës, por grupi vazhdoi ta ketë Litën në listë si anëtar i bordit. Siç ka theksuar Dioguardi, qëllimi kryesor i organizatave është të lobojë te Qeveria për çështjet që lidhen me shqiptarët në Evropë – sidomos për Kosovën.

Në fund të tremujorit të parë të 2019-s, Cloyes dhe Dioguardi për herën e parë raportuan për takimet me Menendezin dhe stafin e tij. Ai dhe komiteti i tij shpejt u bënë fokus kryesor i përpjekjeve lobuese, pasi Liga bënte presion për një seancë në të cilën Senati do të merrej me refuzimin e Serbisë për ta njohur Kosovën.

Në fillim të vitit 2020, Menendez nisi të bëhej më i zëshëm për çështjen e Kosovës, duke iu bashkuar atëkohë Eliot Engelit nga Dhoma e Përfaqësuesve në një letër për sekretarin amerikan të asaj kohe Mike Pompeo, duke i kërkuar sanksione ndaj Serbisë dhe duke akuzuar taktikat “e rënda” të administratës republikane në shtyrjen e Kosovës drejt negociatave.

Më 15 gusht, 2021, Menendezi përdori Twitterin për të lavdëruar Shqipërinë që ka pranuar refugjatët nga Afganistani. Pesë ditë më pas, senatori lëshoi deklaratë të ngjashme për Katarin.

Muajin pasues, senatori dhe bashkëshortja e tij morën pjesë në disa takime të Ligës, në të cilat Cloyes e luti që të bënte presion te Greqia për njohjen e Kosovës. Në adresimin para grupit, senatori akuzoi Serbinë për trajtimin e komunitetit shqiptar, duke e quajtur Kosovën “ndër aleatët më të afërt” të SHBA-së dhe sulmoi përpjekjet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Vetëm disa muaj më vonë, në janar të 2022-s, në këtë ligë, Menendezi u shpreh se do të ketë takim me emirin e Katarit – para se të merrej sërish me Serbinë të cilën e akuzoi për papërgjegjësi totale në dialog.

Muajin pasues, në një seancë për Ballkanin Perëndimor senatori bëri presion mbi administratën e Bidenit për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Atë pranverë, Menendezi priti në takime presidenten dhe kryeministrin e Kosovës, dhe më vonë iu adresua sërish Ligës Shqiptaro-Amerikane.

Pas një tjetër mbledhjeje të Ligës Shqiptaro-Amerikane në shkurt të 2023-s - që koincidoi me vizitën e kryeministrit Albin Kurti - Menendezi mbajti seancë të Komitetit për Ballkanin Perëndimor në maj. Pikërisht në maj, Menendez dyshohet se kishte marrë pagesën e fundit nga Katari që kishte investuar me Daibesin.

Senatori sërish u mor me Serbinë duke akuzuar për keqtrajtime të minoriteteve e se po nxit tensione në rajon.

Kritikat e tij ndaj Serbisë më vonë ai i ktheu në një rast ndaj autoriteteve shqiptare për arrestimin e kandidatit të partisë së Korab Litës, Fredi Beleri për kryetar të komunës së Himarës.

Në të njëjtin koment, Menendezi pati kërkuar nga Athina ta njohë Kosovën. Deklarata ishte lavdëruar nga presidentja Vjosa Osmani.

Menjëherë pas akuzës ndaj Menendezit në shtator, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërlidhi skandalin e Menendezit me shqiptarët.

“Po flasim për një njeri që është lobuesi më i madh shqiptar. Nuk ka njeri që ka qenë më i keq ndaj Serbisë, që ka bërë punë më të pështirë, se Bob Menendez”, u pati thënë gazetarëve Vuçiqi. “Është e qartë se ai paguhej nga shqiptarët”.

S’është hera e parë që politika shqiptare ndërlidhet me lobime të tilla. Më herët ishte raportuar për ndërlidhje të Partisë Demkratike se mund të ketë marrë mbështetje financiare nga Moska, e së fundmi ishte edhe rasti i ish-spiunit të FBI-së, Charles McGonigal, që u shpall fajtor se ka marrë dhurata si bashkëpunëtor i shërbimeve në Tiranë.