Si pasojë e tërmetit që la të vdekur mbi 40 persona dhe më shumë se 600 të tjerë të plagosur, festa e 28 Nëntorit në Kosovë u shënua vetëm në mënyrë simbolike.
107-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëlindja e Adem Jasharit janë bërë sot shkas që shumë qytetarë ta vizitojnë Prekazin.
Këtë vend ata e quajnë të shenjtë, ndërsa thonë se Festa e Flamurit këtë vit është shndërruar në dhimbje pas tragjedisë që ndodhi në Shqipëri.
Për nder të kësaj feste, edhe liderët e institucioneve dhe partive politike kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
Ata kanë thënë se janë të gatshëm për ta ndihmuar Shqipërinë në këto kohë kur Përvjetori i 107-të i Pavarësisë, e ka gjetur vendin në mes të katastrofës.
Me rastin e 28 Nëntorit, në Prizren është vendosur gur-themeli i shtatores së Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Në një nga komunat e pakta ku është shënuar festa e 28 Nëntorit ishte ajo e Drenasit. Aty është mbajtur seancë solemne bashkë me zyrtarë të Komunës së Skenderajt. Ndërsa në sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas, është bërë përurimit i tri shtatoreve të heronjve Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari.
E në Gjilan, janë inauguruar shtatoret e heronjve të kombit, Mulla Idriz Gjilani dhe Agim Ramadani, duke iu bashkuar kështu shtatores së Idriz Seferit.
Me një ceremoni solemne, në Fushë Kosovë është bërë zbulimi i shtatores së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.