“Megjithatë, ne mendojmë se nuk është zgjidhur çështja e Luginës së Preshevës. Nuk është as rast ekonomik, nuk është as rast social, por është rast politik”, thekson Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në zyrën e tij në Bujanoc. Edhe në raportin e sivjetmë të Departamentit të Shtetit për gjendjen e të drejtave në Serbi spikatet se si ministri i Brendshëm, Aleksandër Vulin, përdor termin poshtërues për shqiptarët. Aty theksohet gjithashtu diskriminimi në punësim, arsim e shërbime sociale për shqiptarët. Kështu, shqiptarët, sidomos të rinjtë, po ia kthejnë shpinën vendlindjes
Një shtyllë e hirtë metalike mban tabelat e kaltra të dy shesheve dhe një rruge, shkruar në dy gjuhë e dy alfabete të ndryshme – latin e cirilik. Aty lidhen “Sheshi i Paqes”, sheshi “K Petroviq” dhe rruga “V.S. Stepanoviq” në zemër të Bujanocit. Por, shqiptarët vendës thonë se shteti serb po i konsideron qytetarët të rendit të dytë vetëm për shkak të etnisë.
Bujanoci qeveriset nga partitë shqiptare, por Valon Sadiku thotë se niveli qendror ka kufizuar skajshmërisht investimet e mundësitë e punësimit. Ai ka kryer mjekësinë, por punon si kamarier.
“Të rinjtë nuk kanë mundësi të veprojnë këtu, prandaj liderët nuk kanë faj, se faj ka shteti këtu, nuk ta mundëson të veprosh këtu në Luginë të Preshevës. Diskriminim total”, thekson Sadiku në qendër të qytetit. “Nuk pranon diplomat (e Kosovës, v.j.). Diskriminim total këtu në Bujanoc, por në përgjithësi në Luginë të Preshevës”.

“Ne përditë e më shumë mendojmë qysh të largohemi”
Sadiku thotë se përditë e më shumë po vështirësohet jetesa. “Ne përditë e më shumë mendojmë qysh të largohemi”.
Driton Hyseni nga Bujanoci është student i vitit të tretë të gazetarisë në Prishtinë, por diploma universitare nuk do t’i njihet nga autoritetet nëse kthehet në vendlindje. “Disa nga problemet kryesore të Luginës së Preshevës është papunësia e madhe, sidomos në mesin e të rinjve këto viteve të fundit, e që ka rezultuar me ikjen masive nga ajo pjesë”, thekson Hyseni.
Serbia, edhe pse ishte pajtuar gjatë dialogut të Brukselit për të njohur diplomat e Kosovës, nuk po i zbaton ato. Të rinjtë e Luginës, të diplomuar në Kosovë, po përballen vazhdimisht me vështirësi që të kthehen në vendlindje. Hyseni thotë se kështu të rinjtë po detyrohen të jetojnë në Kosovë, ose të migrojnë në Evropën Perëndimore.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës rrokën armët në fund të vitit 2000, me besimin se Ushtria Çlirimtare Kombëtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc do të çlironte tokat e tyre.
“Po tash këtu që kemi ardhur te shtëpia, jemi më të lirë, edhe jemi në shtëpi tona, edhe prej shtëpive tona nuk kemi ku shkojmë”, do të deklaronte Qamil Ganiu në dhjetorin e vitit 2000 për agjencinë e lajmeve, AP, e cila do të xhironte ushtarët e UÇPMB-së duke patrulluar përgjatë fshatrave malore të shqiptarëve matanë kufirit të Kosovës.
Por pothuajse 21 vjet pas Marrëveshjes së Konçulit, që ndër të tjera, përfshinte demilitarizimin e zonës e integrimit e shqiptarëve, përfshirë ish-ushtarët e UÇPMB-së, në institucione lokale të të gjitha fushave, qytetarët, politikanët dhe organizatat e të drejtave të njeriut thonë se Serbia vazhdimisht ka shkelur zotimet e ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët.
Metodat e reja të politikës së vjetër serbe
Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, trupë shqiptare ku përfaqësuesit zgjidhen me votë për rolin e tyre këshillimor, thotë se ndërkombëtarët prioritet e kishin ndaljen e luftës.
“E para për ta ka qenë shumë më e rëndësishme, më 2001, që të ndalet konflikti”, thekson Mustafi, duke iu referuar edhe raporteve të Grupit Ndërkombëtar të Krizave pas marrëveshjes që mendohej se do t’i hapte rrugë integrimit të plotë të shqiptarëve shumicë në jetën institucionale e publike në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
“Megjithatë, ne mendojmë se nuk është zgjidhur çështja e Luginës së Preshevës. Nuk është as rast ekonomik, nuk është as rast social, por është rast politik”, thekson Mustafi në zyrën e tij në Bujanoc. Prapa shpinës ka flamurin e madh kombëtar, por edhe një të vogël të Bashkimit Evropian.
Edhe raporti i sivjetmë i Departamentit amerikan të Shtetit për gjendjen e të drejtave në Serbi spikat ministrin e Brendshëm serb, Aleksandër Vulin, për vazhdimin e përdorimit publik të termit poshtërues për shqiptarët. Mustafi thotë se duhet të gjendet një zgjidhje me garanci ndërkombëtare.
“Nuk vazhdoi më Beogradin qendror të ulet në tryezën e bisedimeve seriozisht dhe të shtrojë problematikën për t’i zgjidhur njëherë e përgjithmonë”, thekson Ragmi Mustafa, ish-kryetar i Preshevës dhe kryetar i Partisë Demokratike të Shqiptarëve. Ai thotë se Qeveria qendrore po u bën presion sistematik shqiptarëve që të shpërngulen nga trevat e tyre.
Diskriminimin e fakton edhe Departamenti i Shtetit
Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë subjekt i diskriminimit dhe papunësisë disproporcionale.
“Po mundeni t’i merrni parasysh investimet që i bën qeveria deri në Vranjë, për shembull, atje ka investime masive, por nuk vjen në Bujanoc dhe Preshevë për të investuar”, thekson Hyseni, studenti nga Bujanoci. Edhe ai thotë se mungesa e investimeve qendrore po përdoret si mjet i presionit ekonomik për të nxitur largimin e të rinjve.
Maja Stojanoviq nga Nisma Qytetare në Serbi, në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë para dy javësh se qytetarët në Serbi duhet ta mësojnë të vërtetën për luftërat e prishjes së Jugosllavisë dhe se duhet t’u dëgjohet zë edhe shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
“Sa na përket shumë prej nesh që punojmë në Serbi, në jug të Serbisë me shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që ka shumë pak, dhe që atyre t’ua dëgjojmë zërin për të drejtat njerëzore dhe për temat për të ardhmen”, ka deklaruar Stojanoviq, duke bërë thirrje që shoqëria dhe shteti serb të respektojë të drejtat e të gjitha pakicave etnike që jetojnë në të.
Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, thotë se shqiptarët përbëjnë rreth një për qind të popullsisë së Serbisë.
Në raportin e organizatës “Freedom House”, Serbia nën presidencën e Aleksandar Vuçiqit është vlerësuar si shtet me regjim hibrid, derisa kritikët thonë se ai po udhëheq me dorë të hekurt të autokratëve. Në raportin e kësaj organizate thuhet se Serbia është vendi me rënien më të madh në rajon në aspektet demokratike dhe se “pushteti në Beograd karakterizohet si regjim hibrid me prirje autoritariste”, ka shkëputur në Facebook pjesë të raportit Ardita Sinani, ish-kryetarja e Preshevës.
“Si në Kosovën e kohës së Millosheviqit”
Raporti i Departamenti amerikane të Shtetit vë në pah gjithashtu pasivizimin e adresave të shqiptarëve që ka rezultuar me mohimin e së drejtës së dokumenteve personale dhe qasjen e tyre në shërbime shëndetësore, arsimore dhe sociale. Ky vlerësim është futur në kategorinë e “Diskriminimit dhe dhunës etnike e racore sistematike”.
“Në rast se Shqipëria është liruar nga sistemi komunist, dhe në rast që Kosova është liruar nga sistemi shovinist, te ne politikisht është situata e njëjtë sikur e viteve nëntëdhjetë”, thekson Shqiprim Arifi, kryetar i ri i Preshevës. “Këtë duhet ta kuptojë çdo shqiptar kudo që jeton. Na jetojmë nën këto format represive dhe diskriminuese qysh kanë qenë në Kosovë në jetën e viteve nëntëdhjetë”.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës në referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, kishin votuar që t’i bashkoheshin Kosovës. Arifi thotë se 97 për qind e popullsisë së Preshevës është shqiptare, porse mbi 95 për qind e të punësuarve në shërbimet republikane – si kadastra, dogana e policia – janë serbë të qyteteve të tjera. “Ky është një reflektim si në Kosovë në kohën e Milosheviqit në vitet nëntëdhjetë”, thekson Arifi.
Qeverisja me grusht të hekurt e Vuçiqit
Serbia ende nuk po ia del të mbajë zgjedhje plotësisht demokratike, duke nxitur reagim edhe të mekanizmave monitorues ndërkombëtarë. Misioni i OSBE-së listoi pas zgjedhjeve të fundit parlamentare e presidenciale serbe një mori parregullsish dhe incidentesh
“Favore të ndryshme janë përdorur viteve të fundit për të bindur qindra të zgjedhur lokalë që t’i bashkohen SNS-së, apo të ndryshojnë kursin e tyre politik pas zgjedhjeve”, shkruan në raportin e “Freedom House”.
Në legjislaturën e re parlamentare është rizgjedhur Shaip Kamberi si deputeti i vetëm shqiptar pas përsëritjes së zgjedhjeve në një vendvotim më 28 prill në Bujanoc. Gjashtë prej shtatë partive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës garuan me dy lista me nga tri parti secila. Në zgjedhjet e kaluara, tre deputetë shqiptarë u zgjodhën nga lista e vetme e ndërmjetësuar nga ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj
“Kësaj radhe në pamundësi për të qenë gjithë bashkë, dolëm me dy lista”, thekson Ragmi Mustafi, duke theksuar se pjesëmarrja në këto zgjedhje nga opozita serbe në Serbi dhe votimi i serbëve të Kosovës e Bosnjë-Hercegovinës, si dhe pasivizimi i adresave – që ua mohon shqiptarëve që nuk jetojnë në Luginë të Preshevës – të drejtat themelore – ndikuan në përfaqësimin minimal të shqiptarëve në parlamentin serb.

Sherri i politikës shqiptare të inateve
Në përplasjen e fundit pas shkarkimit të ish-kryetares së Preshevës, Ardita Sinani, dhe zgjedhjen e Arifit kryetar me shumicën e thjeshtë të këshilltarëve komunalë, kryeministri Kurti nuk ia doli t’i bindte përfaqësuesit politikë që ta shtynin votimin. Sinani nuk ka folur për emisionin me pretendimin se ishte e zënë.
“Ndoshta ka ndikuar edhe lidhja e partive tona atje në Luginë të Preshevës me partitë këtu që veprojnë. Me Shqipërinë, nuk kanë aq lidhje të madhe për shembull”, thotë Hyseni, që është goxha aktiv në rrjetet sociale me komente për zhvillimet e atjeshme politike. Ai thotë se inatet politike kanë “ndërlidhur edhe inatet” e atjeshme.
Arifi, kryetar i Preshevës thotë se përplasja e fundit dëshmoi se politika e shqiptarëve nuk dallon, pavarësisht se a qeverisin në nivel lokal a qendror në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut apo Luginë të Preshevës.
Politikanët shqiptarë vazhdimisht kanë kërkuar që çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të jetë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Kjo strategji kombëtare mjerisht mungon”, thekson Ragmi Mustafa, ish-kryetari i Preshevës në zyrat e PDSH-së, duke fajësuar për këtë ndasi edhe ndërkombëtarët për ndërhyrje të jashtme. Ai mendon se vetëm bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën do ta zgjidhte çështjen e shqiptarëve të tri komunave në jug të Serbisë.
“Molla e kuqe është zhvendosur nga Nishi në Preshevë....”
“Ne presim krahëhapur ndihmën prej Kosovës dhe Shqipërisë, por ato kanë bërë shumë pak për Luginën e Preshevës, shumë pak”, thekson Valon Sadiku, qytetari nga Bujanoci që ka kryer mjekësinë, por punon si kamarier. Edhe ai e sheh dialogun e Brukselit si mundësi për ngritjen e kërkesave të tyre.
Por Serbia me pasivizimin zyrtar e represion sistematik po vazhdon ta ulë numrin e shqiptarëve në Luginë. Arifi thotë se rinia po “ik në masë ekstrem të madhe” drejt Gjermanisë për shkak të mungesës së mundësive ekonomike.
“... dhe popullata është duke e kuptuar njëjtë sikur unë se Molla e kuqe, që ka qenë në Nish para 100 vjetësh – që as sot nuk e dimë ku është saktë – kjo Molla e kuqe është zhvendosur në Preshevë”, thekson ai. “Edhe këtë politika shqiptare duhet ta kuptojë”.
Në Nish, Serbia tani ia ka hapur dyert njërës prej bazave ruse në emër të bashkëpunimit për trajnime, por edhe mediat e agjencitë perëndimore të inteligjencës e konsiderojnë si qendër të spiunazhit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.
Zbrazjen s’ka kush ta ndalë
‘Serbia po blen armë edhe prej Kinës. Situata për ne është shumë brengosëse, pa dashur të bëhet panik”, shton Arifi në ndërtesën e komunës me pamje kah zemra e qytetit më të madh të shqiptarëve të Luginës. Në një pasdite të ngrohtë pranvere, i ulët është numri i qytetarëve që kalojnë kohën në pjesën e vjetër të Preshevës, ku disa kafene kanë nxjerrë karriget jashtë.
Radhë të pritjes ka për pasaporta e letërnjoftime në objektin e Ministrisë së Brendshme. Shumëkush në Preshevë e Bujanoc, mërgimin po e sheh si zgjidhje zori.
“Ata nuk e kanë lëshuar vendin se kanë pasur dëshirë, por për shkak të represionit serb. Nuk kanë pasur mundësi veprimi këtu”, thekson Sadiku në Bujanoc.
Edhe Hyseni thotë se po rritet numri i shokëve që po ia kthejnë shpinën Bujanocit për të nisur jetë të re në Gjermani. “Të rinjtë që tashmë veç kanë aplikuar për vizë dhe tani janë në pritje për t’u largu drejt Gjermanisë. Kjo është e trishtueshme”, thekson Hyseni në Prishtinë. “Unë për shembull, shokët i kam disa këtu, disa në Gjermani, domethënë ka mbetur atje veç familja, e cila do të detyrohet të vijë pas meje”, shton Hyseni.
Zbrazjen e Luginës së Preshevës nuk po ka kush ta ndalë.