Arbëri

Shqiptarët dhe serbët në Mitrovicë me pritshmëri të ndryshme për takimin e 27 shkurtit

Dy ditë para takimit Kurti-Vuçiq, në Mitrovicën e ndarë etnikisht shprehën pritshmëri të ndryshme për rezultatin që mund të mbërrihet. Serbët duan autonomi për veriun dhe i druhen njohjes de fakto të Kosovës nga Serbia. E shqiptarët nuk presin që procesi t’i japë zgjidhje çështjes kryesore, asaj të njohjes.

Banorë të veriut të Kosovës nga etni të ndryshme nuk shprehin pritje të njëjta nga takimi i së hënës në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Serbët duan autonomi për veriun dhe i druhen njohjes de fakto të Kosovës nga Serbia.

“Presim që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të formohet në një afat shumë të shkurtër, sepse ky është një kusht i Serbisë për të vazhduar bisedimet për planin franko-gjerman, kështu që presim që Asociacioni të formohet shpejt, e rrjedhimisht, pas kësaj edhe propozimi që de fakto nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia. Mendoj se Vuçiqi do ta pranojë edhe atë propozim ashtu siç është, që për ne serbët është i dëmshëm”, ka thënë Dejan Ndeljkoviq.

“Po mendoj që më në fund duhet të arrihet një marrëveshje për një jetë më të mirë për të gjithë njerëzit që jetojnë këtu”, ka thënë Nedeljko Kovaçeviq.

E banorët shqiptarë nuk presin që procesi t’i japë zgjidhje çështjes kryesore – njohjes nga Serbia.

“Besoj që marrëveshje definitive jo. Njohja nuk është as në agjendë të atij takimi. Do të arrihet një marrëveshje jo e plotë që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës edhe gjendja ruhet. Status quo-ja vazhdon. Nuk ka zgjidhje definitive”, është shprehur Isa Sejdiu.

“Në atë takim do të bëhet një nënshkrim i një marrëveshje për hapat e mëtutjeshëm, por s’do të ketë diçka konkrete”, ka thënë Niman Baliu.

Serbë dhe shqiptarë kanë pikëpamje të ndryshme edhe për përmbajtjen e marrëveshjes, e cila për ta do të ishte e pranueshme.

“E pranueshme për ne do të ishte që veriu i Kosovës ta fitonte autonominë brenda Republikës së Kosovës e Asociacioni të bëhet për komunat në jug dhe Kisha Ortodokse Serbe të fitojë statut të veçantë dhe garanci që kurrë nuk do të bëhet Kishë Ortodokse e Kosovës”, ka thënë Nedeljkoviq.

“Kosovën në këtë territor që është pa asociacion, e kemi asociacionin e komunave Shqiptare, pse me bo ndarje etnike”, ka thënë Baliu.

Prej paslufte, në Mitrovicë më së shumti janë ndier ndarjet mes shqiptarëve e serbëve. Të katër komunat në veri të Ibrit vazhdojnë të mos e pranojnë realitetin në Kosovë, të krijuar pas shpalljes së pavarësisë.