Arbëri

Shqipëria ul taksën e fluturimit nga 10 në 1 euro

Qeveria e Shqipërisë ka vendosur të ulë nga 10 në 1 euro tarifën e kalimit me avion të kufirit të këtij shteti, e njohur gjerësisht si taksa e fluturimeve. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e së mërkurës dhe parasheh uljen e çmimit të biletave për pasagjerët e transportit ajror.

Aplikimi i taksës prej 10 eurosh ishte vendosur në vitin 2014 nga Ministria e Financave së bashku me Ministrinë e Transportit të këtij vendi, duke pasur ndikim në xhepat e udhëtarëve, pasi ajo ishte shtuar mbi shumën totale të biletës.

Pas vendimit të vitit 2014, të gjitha shoqëritë ajrore në momentin e shitjes së biletave detyroheshin t‘i shtonin vlerës së saj, si dhe ta pasqyronin në të tarifën e shërbimit të ri prej 10 eurosh.

E, mbi tarifën e re është vendosur të mos aplikohet taksa e TVSH-së, ndërsa nga i gjithë totali i të ardhurave 5 për qind do të shkonin për koncensionarin gjerman të asaj kohe, ndërsa pjesa tjetër për buxhetin e shtetit.

Pas vendimit të uljes së taksës së fluturimeve nga 10 në 1 euro, të ardhurat e munguara në buxhetin e shtetit të Shqipërisë vlerësohen deri në rreth 15 milionë dollarë në vit.

Shqipëria ka qenë vendi i parë në rajon për çmimet më të larta të udhëtimit me avion. Çmimet e biletave të avionit llogariteshin rreth 2-3 herë më të larta në Shqipëri krahasuar me vendet e tjera si Mali i Zi, Maqedonia apo Kosova. Nisur nga kjo, qytetarët shqiptarë për disa vite u janë drejtuar aeroporteve të Prishtinës, Shkupit e Podgoricës.

Drejtori i përgjithshëm i “Wizz Air Group”, Jozsef Varadi, ka deklaruar se kjo kompani e sheh tregun jo vetëm të kufizuar si treg shqiptar, por si një qasje rajonale, duke përfshirë edhe Kosovën e Maqedoninë e Veriut. Nga Kukësi, ku drejtori Varadi ishte i pranishëm në fluturimin e parë të “Wizz Air” në Aeroportin e Kukësit më 4 shkurt të këtij viti, pati njoftuar se në muajin maj ky qytet do të lidhet me Vjenën, me Mynihun, me Karlsruhe/Baden-Baden dhe me Basel-Mulhouse, vende këto ku më së shumti udhëtojnë qytetarët nga Kosova.