Për shkak të situatë së rëndë hidrike, Shqipëria gjendet përballët një krize energjetike, ka njoftuar Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH).
Kaskada e Drinit mbulon mesatarisht 70 për qind të konsumit të energjisë elektrike të Shqipërisë, ku për rrjedhojë, rezervat energjetike në Shqipëri thuhet se kanë arritur në nivelet më të ulëta historike, derisa kaskada e Drinit ka vetëm 361 GWh rezervë.
Sipas të dhënave, në mes të marsit të këtij viti, niveli i Fierzës ka rënë në 260.08 metër mbi nivelin e detit ose më i ulëti i regjistruar që prej vitit 2002, ku pas më shumë se 20 vitesh është shfaqur Kukësi i Vjetër që është në kuotën e 260 metrave.
Në bazë të rregullores që menaxhohen hidrocentralet, parashikohet që Liqeni i Fierzës duhet të ketë për periudhën tetor-mars kuotën 289 deri në 290 metra. Kuota maksimale e ujit në Liqenin e Fierzës është 296 m dhe kuota minimale e punës është 240 çka tregon se rezerva energjetike është minimale.
Sipas të dhënave të KESH-it, rezerva energjetike e Shqipërisë është përgjysmuar nga 650 GWh që ka qenë në fillim të janarit, në 313.5 GWh në mes të marsit. Alarmi për situatën energjetike në Shqipëri është artikuluar hapur edhe nga kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili ka paralajmëruar edhe masa për të kursyer energjinë. Situata, sipas Ramës, do të ketë kosto jo të vogël në sigurimin e energjisë ku deri në muajin e katërt të vitit, pritet që vlera e subvencioneve për të siguruar energji të shkojë në 320 milionë euro, shifër rekord në historikun e Shqipërisë.
Në këtë kuadër, e hëna është përcaktuar ditë pushimi për Administratën si një nismë për të kursyer energji. Për të kursyer energjinë elektrike, Qeveria shqiptare ka miratuar një plan masash që konsiston në reduktimin e energjisë në disa akse rrugore apo institucione. Në një deklaratë për media, ministrja e Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur se importi i energjisë do të jetë më i madh sesa prodhomi vendas.
Po ashtu ministrja u shpreh se i kanë kërkuar Autoritetet Rrugor Shqiptar (ARRSH), që të ndërpresë ndriçimin në akset automobilistike kombëtare. Balluku garantoi se nuk do të preken akset që cenojnë sigurinë rrugore, ndërsa theksoi se çmimi i energjisë nuk do te ndryshojë.
“I kemi kërkuar ARRSH-së që të ndërpresë ndriçimit në akset kombëtare. Do përmend disa prej tyre, aksi Tiranë-Durrës, By Passi i Durrësit Plepa – Kavajë-Rrogozhinë, Qafë e Kasharit- Rinas, Lin-Pogradec, By Passi i Shkodrës, Korçë-Ersekë, Ura Kajdarit-Qafë Gjashtë. Gjithashtu do të këtë një ndërprerje edhe në akset kombëtare të ndriçuara në degëzim, si By Passi i Fierit, me hyrje daljet, Lezhë-Shëngjin me degëzimet dhe Shkodër-Hani i Hotit me degëzimet e tij. Nuk do të preken rrugët që cenojnë sigurinë rrugore, si rrethrrotullimi Rrogozhinë Lushnje, Shkodër-Hani i Hotit, Lezhë-Kakariq. PO ashtu i kemi bërë kërkesë institucioneve lokale”, tha Balluku.
Nga ana tjetër, ajo tha se do të kërkohet nga bashkitë që pas orës 00:00 të ndërpresin energjinë e pa nevojshme. Balluku theksoi se duhet të kursehet energjia, pasi çmimet e importit janë të larta dhe “nuk duhet të futemi në situatën që të na ndërpritet shërbimi i energjisë gjatë periudhave të ndryshme të ditës”.
“Duke nisur nga ora 12 e natës, do i kërkohet bashkive që të ndërpresin ndriçimin, për ato që nuk janë të domosdoshme. Do i drejtohemi importit. Në një situatë hidrike që pak a shumë është e tillë në të gjithë rajonin. Flasim për cikël të mbyllur, gazi dhe nafta janë me çmime të larta. Për këtë arsye do të na duhet të konsumojmë sa më pak energji, për të mos pasur mungesë. E kemi përsëritur disa herë dhe ndoshta është argument që duhet ndarë. Qeveria ka vendosur qe te mbroje familjet dhe bizneset e vogla. Nuk do te këtë rritje çmimesh, por duhet te kuptojmë se duhet te kursejmë”, u shpreh Belinda Balluku.
Ka vetëm dy faktorë që mund të ndikojnë në përmirësimin e situatës energjetike në Shqipëri që janë rënia e konsumit të energjisë me ngrohjen e motit dhe shkrirja e dëborës e cila këtë vit është në masë të vogël në malet dhe bjeshkët si në verilindje të Shqipërisë, Kosovë dhe Maqedoninë Perëndimore.
Megjithatë, në mungesë të reshjeve, efekti i shkrirjes së borës nuk e zgjidh situatën. Korporata Elektro-energjitike Shqiptare(KESH), ka importuar 89,1 milionë euro energji elektrike që prej 1 janarit deri në 14 mars. Çmimi i blerjes në bursa rezulton se ka pësuar ulje gjatë javëve të fundit dhe nga 237,2 euro megavatori në muajin janar në 222,7 euro gjatë marsit.