Arbëri

Shqipëria mbyll TikTokun

TikTok

Foto ilustrim

Qeveria shqiptare ka vendosur ta bllokojë platformën TikTok në Shqipëri, ka thënë ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, gjatë prezantimit të Planit të Ri të Veprimit, një nismë e Ministrisë së Arsimit për të rritur sigurinë në shkolla. 

Qasja në TikTok bllokohet për një vit të tërë duke filluar nga 1 janari.

“Për rritjen e sigurisë fizike dhe digjitale në shkolla dhe impaktin që sjellin rrjetet sociale, si dhe angazhimin e fëmijëve, kemi vendosur bllokimin e platformës TikTok, bazuar në një paketë masash që po punojnë autoritetet përkatëse,” tha Manastirliu.

“Jemi të ndërgjegjshëm se tek nxënësit po rritet nevoja për mbështetje multidisiplinare, sidomos për sa i përket mbështetjes psiko-emocionale dhe adresimit të shqetësimeve të moshës. Për këtë arsye, kemi planifikuar shtimin e 350 punonjësve psikosocialë, duke arritur në 1,200 brenda dy viteve të ardhshme. Bashkë me partnerët tanë të shoqërisë civile dhe institucioneve akademike, do të ngremë një Rrjet Kombëtar për Sigurinë Online, që do të ndihmojë në mbrojtjen digjitale të nxënësve”, shtoi ministrja.

Kryeministri Edi Rama tha se tashmë është bërë një plan masash konkrete për bllokimin e TikTokut.

"Kemi bërë hulumtime dhe do të na duhen 6-8 javë duke filluar nga fillimi i janarit dhe për 1 vit plotësisht për të gjithë. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do ketë. Gjatë atij viti do shohim si do veprojnë vendet, çfarë do nxjerrë teknologjia për filtra, si do reagojë vetë TikToku”, tha Rama./ euronews