Para mbledhjes së përbashkët të qeverive të Kosovës e Shqipërisë, të premten në qytetin e Elbasanit, Qeveria e Shqipërisë i ka paraprirë kësaj mbledhje me dy vendime, sipas saj, të rëndësishme.
I pari ka të bëjë me thjeshtësimin e lejeve të qëndrimit në Shqipëri dhe Kosovë. Pas mbledhjes së zakonshme të Qeverisë të mbajtur të mërkurën , ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi bëri me dije se Qeveria e Shqipërisë ka miratuar një marrëveshje që do të nënshkruhet të premten, sipas së cilës shtetasit nga Kosova do të marrin leje qëndrimi me afat 5-vjeçar me një aplikim dhe pa dokumente.
“Sot miratuam një nga marrëveshjet që do nënshkruajmë ditën e premte, në mbledhjen midis qeverisë të Kosovës dhe Shqipërisë, që ka të bëjë me lejet e qëndrimit të shtetasve respektivë, është një lajm i mirë për shtetasit e Kosovës, që do të marrin thjesht me një aplikim dhe pa dokumente menjëherë lejen e qëndrimit për 5 vite në Shqipëri, brenda do të jetë edhe leja e punës. Është lajm i mirë edhe për shqiptarët që jetojnë në Kosovë që do të marrin leje qëndrimi në Kosovë për të qëndruar atje me procedura më të lehtësuar që janë sot. Është në vazhdën e disa marrëveshjeve që do të nënshkruajmë brenda sektorëve që përfshin Ministria e Brendshme”, u shpreh ministri Çuçi.
Ndërsa ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, njoftoi ditën e mërkurë marrëveshjen që pritet të nënshkruhet ditën e premte në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, në lidhje me mbrojtjen sociale të qytetarëve shqiptarë. Ibrahimaj theksoi se si pasojë e kësaj marrëveshje do tu njihen kontributet dhe sigurimet shoqërore të gjithë personave që punojnë dhe jetojnë në të dyja vendet.