Arbëri

Shqipëria i jep statusin e investitorit strategjik dhëndrit të Trumpit

Jared Kushner

Jared Kushner

Qeveria e Shqipërisë i ka dhënë statusin e investitorit strategjik një kompanie të lidhur me dhëndrin e Donald Trump, Jared Kushner, për të ndërtuar resort luksoz në një ishull të pabanuar mesdhetar, që dikur ishte bazë ushtarake, raporton Reuters të enjten.

Komiteti i Investimeve Strategjike të vendit ballkanik, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, më 30 dhjetor pranoi propozimin nga kompania “Atlantic Incubation Partners” për projektin 45 hektarësh në ishullin e vogël të Sazanit, që përfshin investim prej 1.4 miliardë euro.

Në vendimin me shkrim, që e ka parë Reuters sot, komiteti ka thënë se projekti përputhej me legjislacionin mbi investimet strategjike dhe numrin e vendeve të punës të kërkuara nga legjislacioni, duke thënë se do të punësonte rreth 1 mijë njerëz.

Sipas ligjit, dhënia e statusit të investitorit strategjik i lejon kompanitë të zbatojnë projekt investimi që konsiderohet si pjesë e një sektori strategjik të ekonomisë siç është turizmi.

“Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpërmjet krijimit të një personi juridik të përbashkët”, ka thënë komisioni, duke shtuar se do të përfshijë edhe Korporatën Shqiptare të Investimeve shtetërore.

Vitin e kaluar, Kushneri ka njoftuar planet për të ndërtuar resort turistik në Zvërnec në Shqipërinë e Jugut, si pjesë e një investimi më të gjerë nga kompania e dhëndrit të Trumpit në Ballkan, që përfshin gjithashtu projektin në Sazan, në brigjet shqiptare, dhe një projekt në një ish-shtab të ushtrisë në kryeqytetin serb Beograd.

Kushner, i cili shërbeu si ndihmës kryesor i Trumpit gjatë mandatit të parë si president i SHBA-së, krijoi kompaninë e investimeve “Affinity Partners” në vitin 2021. Pjesë e saj është kompania “Atlantic Incubation Partners”. Trump do të inaugurohet për mandatin e dytë të martën.

Projektet mund të nxisin vizitorë për t’i rritur ekonomitë lokale, por kompania përballet me kundërshtimin e kritikëve që thonë se do të dëmtojnë mjedisin ose, në rastin e Beogradit, do të kërcënojnë vendet me rëndësi kulturore.