Arbëri

Shqipëria e para në rajon për numrin e lartë të të burgosurve

Paraburgim

Shqipëria numëron 162.4 të burgosur për 100 mijë banorë, shifër kjo më e larta në rajon. Sipas statistikave të Këshilli i Evropës që flasin për 49 vende, Shqipëria është ndër të parat në rajon edhe për përqindjen e femrave të burgosura, por është vendi i dytë në Evropë me përqindjen më të ulët të femrave të dënuara. Një statistikë tjetër tregon se shqiptarët janë grupi më i madh i të huajve në burgjet angleze, çfarë ka bërë që Mbretëria e Bashkuar të shprehë gatishmëri që ta ndërtojë një burg në Shqipëri, me qëllim transferimin e tyre

Shqipëria është ndër vendet e para në Evropë dhe e para në rajon për numrin më të lartë të të burgosurve në raport me popullsinë, tregojnë statistikat e publikuara nga Këshilli i Evropës (KiE).

Mesatarja evropiane për këtë tregues është 116.1 të burgosur për 100 mijë banorë, e Shqipëria numëron 162.4 të burgosur për 100 mijë banorë. Pas këtij shteti, në nivel rajoni renditet Serbia me 153.4 të burgosur për 100 mijë banorë.

Statistikat e Këshillit të Evropës flasin për 49 vende të Evropës. Raporti jep të dhëna krahasimore mes vendeve sa u përket karakteristikave të popullsisë në burgje dhe ato u referohen periudhës deri më 31 janar të vitit 2021.

Shqipëria është ndër të parat në rajon edhe për përqindjen e femrave të burgosura, por është vendi i dytë në Evropë me përqindjen më të ulët të femrave të dënuara. Femrat zënë 1.3 për qind të të burgosurve në këtë shtet.

Një tregues tjetër është dhe përqindja e totalit të të burgosurve mbi moshën 65 vjeç. Të dhënat e analizuara tregojnë se Shqipëria renditet mes vendeve të cilat kanë përqindjen më të lartë të këtij treguesi, duke u pozicionuar e 9-ta mes 49 vendeve, me 4 për qind të të burgosurve mbi 65 vjeç.

Shteti shqiptar është vendi i katërt në Evropë me përqindjen më të lartë të të burgosurve të cilët nuk marrin një vendim përfundimtar. Kjo shifër është e fiksuar në 50.3 për qind.

E sa i përket kohëzgjatjes mesatare të dënimit në Shqipëri, sipas Këshillit të Evropës, kjo kohë është 15.4 vjet, e cila e rendit këtë vend sërish ndër të parat në kontinent. Ndërkaq në Bashkimin Evropian mesatarja e dënimit është e fiksuar në 12.4 vjet.

Por shqiptarët konsiderohen si grupi më i madh i të huajve në burgjet angleze, si pasojë e marrjes nën kontroll të trafikut të drogës. Këto statistika tregojnë se 12 shqiptarë dënohen çdo muaj në 6 vjetët e fundit në Britani, për krime nga më të lehtat e deri tek ato të rënda, siç janë trafiqet, vrasjet, grabitjet me pasoja, e të tjera. Shifrat që përfshijnë periudhën maj 2015 – shkurt 2020 tregojnë se asnjë nacionalitet tjetër në rang global nuk ka më shumë të dënuar se shqiptarët në burgjet britanike – plot 1.833 për këtë periudhë. Pas shqiptarëve janë rumunët.

E 12 vjet më parë, shifra e të dënuarve nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar ishte vetëm 166. Sipas Ministrisë së Drejtësisë këto të dhëna tregojnë se shqiptarët në burgjet e Anglisë dhe Uellsit përbëjnë numrin më të madh të shtetasve të huaj. Sipas mediave britanike, shtimi i madh i të burgosurve nga Shqipëria në Britani ndodh pas krijimit të bandave të organizuara dhe të pamëshirshme shqiptare që janë futur në tregun e drogës në këtë shtet. Sipas raportimeve, ata jo vetëm që kontrollojnë tregtinë e drogës në rrugë, por edhe importin e dërgesave nga e gjithë bota.

Viteve të fundit është vënë re një shtim i theksuar i të dënuarve si të përfshirë në rritjen e kanabisit artificialisht nëpër shtëpi. Në raportin e NCA-së është mbërritur në përfundimin se “grupet kriminale shqiptare kanë krijuar tashmë një profil e influencë të lartë në krimin e organizuar në Mbretërinë e Bashkuar”.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në dhjetor të vitit të kaluar dy projektligje në funksion të bashkëpunimit për raste të tilla penale – me njërin nga to është ratifi­kuar marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar mbi transferimin e personave të dënuar, e tjetri për ratifi­kimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për ripranimin e personave dhe protokollit zbatues të marrëveshjes.

Në këto ligje shprehet si qëllim zhvillimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e së drejtës penale ndërmjet këtyre dy vendeve, si dhe çuarja më tej e qëllimeve të drejtësisë e rehabilitimit shoqëror të personave të dënuar. Pas ratifikimit të kësaj marrëveshjeje nga Kuvendi i Shqipërisë u jepet mundësia shtetasve shqiptarë që janë të burgosur në Mbretërinë e Bashkuar që të mund të transferohen dhe dënimin ta vuajnë në Shqipëri afër njerëzve të tyre. Kjo marrëveshje rregullon aspektet procedurale që kanë qenë pezull dhe nxit bashkëpunimin e dy shteteve për personat e dënuar.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar harxhon për të burgosurit shqiptarë shpenzime të mëdha. Kostoja e një të burgosuri në Britani është 44.600 paundë për person në vit, ndërsa strehimi i shqiptarëve në burgje u kushton britanikëve rreth 80 milionë paundë çdo vit. Britania e Madhe është treguar e gatshme të ndërtojë një burg të ri ose të rinovojë një ekzistues në Shqipëri për të transferuar aty shqiptarët e dënuar nga gjykatat britanike.