Arbëri

Shqipëria e para, Kosova e parafundit në rajon për numrin e aplikimeve për azil

Shqipëria renditet e para, ndërsa Kosova e parafundit në rajon për numrin më të lartë të aplikimeve për azil gjatë vitit 2021. Të dhënat nga Agjencia për Azil e Bashkimit Evropian (EUAA), tregojnë se numri i aplikimeve për azil nga shtetas të Shqipërisë gjatë vitit 2021 regjistrohet në 11.066 aplikime, nga ku 8.709 aplikime janë për herë të parë, ndërsa 2.356 janë aplikime përsëritëse.

Ndërkohë, Kosova regjistron një numër të ulët aplikimesh krahasuar me rajonin, me 2.325 kërkesa, duke u renditur e parafundit.

Sipas “Agjencisë për Azil të Bashkimit Evropian”, kërkesat për azil në vendet e Bashkimit Evropian po rikthehen në nivelet e para pandemisë. Edhe pse nga të dhënat e vitit 2020 duket sikur pandemia përmbysi trendin e azilkërkuesve, të dhënat e vitit 2021 tregojnë një rritje të tyre me 70.2%. Megjithatë, duke pasur parasysh që nga viti 2015, i cili regjistronte rreth 66 mijë aplikime për azil, të dhënat tregojnë se ka ardhur duke rënë. Krahasuar me vitin 2019, pra vitin para pandemisë, numri i aplikimeve për azil gjatë vitit 2021 është më i vogël. Rënia krahasuar me 2019-n regjistrohet në 41.8%. Shifrat flasin për rreth 617.800 aplikime gjatë vitit 2021.

Të dhënat sinjalizojnë se grupi më i madh i azilkërkuesve evropianë gjatë 2021-shit ishin shtetasit nga Shqipëria, të ndjekur nga shtetasit e Moldavisë. Të dy këto vende kanë paraqitur rreth 70% më shumë aplikime më 2021, sesa më 2020. Sipas shifrave të paraqitura nga Agjencia për Azil e Bashkimit Evropian (EUAA), Shqipëria mban rekord në rajon për numrin më të lartë të aplikimeve për azil gjatë vitit 2021. Shqipërinë e pasuan në renditje Maqedonia e Veriut me 4.992 aplikime gjithsej për vitin 2021. Serbia ka regjistruar 3.272 kërkesa, pasuar nga Bosnjë-Hercegovina, me 2.545 të tilla. Vendi me numrin më të ulët të kërkesave në rajon është Mali i Zi me 414 aplikime gjithsej për vitin 2021.