Arbëri

Shqipëria do ta furnizojë Serbinë me qymyrin “e fjetur”

Memorandumi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Serbisë për minierat dhe energjinë, e ku parashihet edhe furnizimi me qymyr, është firmosur të premten në Beograd. Shqipëria aktualisht nuk ka kapacitet prodhuese të qymyrit, meqë ka afro 25 vjet që ka pushuar nxjerrja e tij, por se Qeveria në Tiranë parasheh rikthimin e prodhimit dhe, krahas Serbisë, me këtë produkt ta furnizojë edhe Maqedoninë e Veriut. Ofertë për blerjen e qymyrit Serbia i ka bërë edhe Kosovës, por është refuzuar nga kryeministri Kurti

Shqipëria do ta furnizojë Serbinë me qymyr në këmbim të furnizimi me produkte ushqimore, konkretisht me grurë, misër, vaj dhe sheqer. Ky shkëmbim tregtar është paraparë në Memorandumin e bashkëpunimit për minierat dhe energjinë që dy vendet e kanë firmosur të premten në Beograd. Memorandumi përfshin bashkëpunimin dhe ndërveprimin mes shteteve për studime gjeologjike dhe shfrytëzimin e mineraleve.

“Është një memorandum që përfitimet do të jenë të menjëhershme për të dyja vendet, por edhe për vendet e tjera pa dyshim, pasi pavarësisht se është i lidhur mes Shqipërisë e Serbisë, edhe vendet e tjera që janë pjesë e “Ballkanit të Hapur” mund të përfitojnë. Për ta shpjeguar më qartë dhe për të qenë shumë konkret, Shqipëria është një vend i pasur me depozita të qymyrit, të cilat prej kohësh janë të fjetura. Për këtë arsye ne kemi nisur një punë prej disa muajsh me Ministrinë e Energjisë të Serbisë, pasi termocentralet prodhuese në Serbi kryesisht janë të bazuara me qymyr. Memorandumi gjithashtu krijon mundësinë për investime në industrinë e qymyrit”, ka deklaruar, pas nënshkrimit të Memorandumit, ministrja e Energjetikës së Shqipërisë, Belinda Balluku.

Në muajin korrik në Tiranë është mbajtur një takim mes kabineteve qeveritare të Shqipërisë , Serbisë e Maqedonisë së Veriut në kuadër të “Ballkanit Hapur”, ku prioritet kanë qenë kriza e energjisë, furnizimi me ushqim dhe mbrojtja civile. Ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë u ra dakord për mundësinë e shfrytëzimit të rezervave të qymyrgurit me qëllim furnizimin me lëndë të parë të termocentraleve të Serbisë.

Ndërsa, Maqedonia e Veriut në atë takim ka shprehur interes për të investuar në mënyrë direkte në terminalin LNG të Vlorës.

Kriza energjetike ishte një nga pikat kyç të takimit të kabineteve të tri shteteve në Tiranë. Zëvendësministri i Energjisë i Shqipërisë, Ilir Bejtja, pati thënë se do të bëhet gati plani i shfrytëzimit të burimeve respektive të shteteve për të garantuar energjinë brenda rajonit dhe se për këtë, sipas tij, po shikohet mundësia e planeve të përbashkëta të investimit.

"Pala serbe kërkoi që të ketë më tepër furnizime qymyri dhe ne kemi rezerva qymyri për t’i ofruar dhe në këtë aspekt na duhet të punojmë për të bërë specifikimet teknike dhe fizike të qymyrit që kemi dhe sa shpejt mund të bëhet i vlefshëm për t’u eksportuar drejt Serbisë. Po kështu edhe Maqedonia e Veriut, e cila ka prodhim të energjisë me qymyr dhe kërkoi të kishte shfrytëzim të këtyre kapaciteteve. Nga ana tjetër pala maqedonase u shpreh e gatshme që të bashkëpunojë me palën shqiptare në përshpejtimin e procedurave për të pasur sa më shpejt gazin e lëngshëm dhe gazit natyral në tregun rajonal. Mund të kryejmë investime të përbashkëta, sidomos nga pala maqedonase, sidomos në burimet e rinovueshme, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron Shqipëria në panele fotovoltaike dhe kombinimi me kontrata afatgjate të furnizimit të të tri vendeve me energji që të kemi çmime sa më të favorshme. Kjo do të bëjë të mundur që të kemi shkëmbimin e energjisë mes vendeve më parë dhe më pas shkëmbimin e energjisë me rajonin", ka thënë zv.ministri i Energjisë i Shqipërisë, Ilir Bejtja.

Para se të arrihet marrëveshja me Shqipërinë, Serbia i kishte bërë kërkesë Kosovës për blerjen e qymyrit.

“Jemi të gatshëm për t’i ofrojmë Prishtinës energji elektrike në këmbim të qymyrit cilësor. Për ne nuk ka asnjë problem, jemi gati edhe të paguajmë me para”, ka thënë presidenti serb në samitin e “Open Balkan”, që u mbajt në Ohër.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati refuzuar ofertën e Vuçiqit për shkëmbin e qymyrit me energji elektrike. Kurti ka vlerësuar se kjo ofertë vjen në kuadër të dështimit të përpjekjeve për shkëmbim territori.

“Kjo është një përpjekje e presidentit autoritar të Serbisë që të kalojë nga projekti i dështuar i shkëmbimit të territoreve, në këtë të shkëmbimit të qymyrit. Pra në vend të territorit të Kosovës, po kërkon qymyr nga Kosova, por ai duhet që ta njohë pavarësinë e Kosovës, t’i pranojë krimet e kryera gjatë luftës nga regjimi i Millosheviqit në Kosovë dhe duhet të distancohet nga presidenti despotik, Putin, përveçse nga Millosheviqi, ministër i të cilit ka qenë atëherë”, ka thënë Kurti.

Shqipëria aktualisht nuk ka rezerva qymyri të nxjerrë. Industria e nxjerrjes së qymyrit në Shqipëri është e paralizuar, apo e konservuar prej më shumë se një çerekshekulli. Qymyri i nxjerrë në Shqipëri nuk është i cilësisë së lartë dhe është përdorur kryesisht për ngrohje.

Nxjerrja e qymyrgurit në Shqipëri ka filluar në vitet e Luftës së Parë Botërore. Para Çlirimit të Shqipërisë kishte vetëm dy miniera: Miniera e qymyrgurit e Kërrabës në afërsi të Tiranës dhe Miniera e qymyrgurit e Mborje-Drenovës në Korçë, ndërsa në Memaliaj u bënë disa punime kërkimi e shfrytëzimi. Menjëherë pas Çlirimit të Shqipërisë u rimëkëmbën minierat ekzistuese dhe filloi hapja e të rejave, si Miniera e qymyrgurit e Memaliajt. Nxjerrja e qymyrgurit në vitin 1984 arriti në 2 milionë tonë dhe ishte 40 herë më e madhe se më 1950, rreth 6,7 herë më e madhe se më 1960 dhe 3.3 herë më e madhe se në 1970. Në vitet e fundit të sundimit komunist Shqipëria eksportonte qymyrguri.

Aktualisht në Shqipëri qymyri gjendet pesë burime kryesore të qymyrgurit. Strategjia minerare e Shqipërisë gjykon se shfrytëzimi i këtyre burimeve nuk është me leverdi, por ato mund të vihen në punë në rast se qymyri përdoret për prodhimin e energjisë elektrike. Burimet aktuale nuk janë në gjendje të ushqejnë termocentrale të mëdha.