Arbëri

Shqipëri: Nga 2024-a, ata që fitojnë para nga TikToku do të paguajnë taksa

Personazhet që fitojnë para nga rrjetet sociale dhe platformat e tjera në internet, do të tatohen në masën 15% duke nisur nga viti 2024 në Shqipëri. Ministria e Financave ka bërë gati projektligjin që i jep fund periudhës, kur të ashtuquajturit “blogerë” e “influencues” fitonin para të padeklaruara.

Kjo kategori, në pjesën më të madhe, përfshin individë që fitojnë nga TikToku, Instagrami, Facebooku, YouTube e Google.

Projektligji është më i gjerë, pasi përfshin edhe individët që lëshojnë pronat e tyre me qira ditore në platformat e prenotimeve si Booking dhe AirBNB, si dhe rishitësit apo reklamuesit, që paguhen nga platformat e tregtisë online si Amazon e Alibaba.

Plani për të identifikuar këta individë, sipas udhëzimit të ri të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në Shqipëri, mbështetet mbi pagesat që këto kompani i bëjnë këtyre individëve përmes llogarive bankare.

Të dhënat tregojnë se në Shqipëri operojnë në platformën AirBNB 17 mijë prona aktive për qira ditore, ndërsa në Booking mbi 3500 të tilla.

Ndërkohë nuk ka një numër të saktë që identifikon personazhet e rrjeteve sociale, për të cilët flitet se fitojnë shuma marramendëse.