Shqetësuese po shihen shifrat e rasteve të reja të infektimeve me COVID-19 te nxënësit. Aktualisht 77 shkolla kanë kaluar në skenarin e mësimit online, ka bërë të ditur drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazab Ibrahimi, në mbledhjen me drejtorët komunalë të arsimit.
“Çdo ditë kemi gati 30% të të infektuarve fëmijë, 77 shkolla po vijojnë mësimin online. Situata nuk është duke u qetësuar. Në komuna të ndryshme situata nuk është e njëjtë, zonat rurale janë më keq se ato urbane”, ka thënë ai. “Kemi komuna që ka ngarkesë të madhe me nxënës, por ka edhe prej atyre që kanë më shumë komodiet. Po shpresojmë që të kemi një takim me Ministrinë e Arsimit për reformat në arsim”.

Fatbardha Emini, Drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Vitisë, ka thënë se afati për t’i zëvendësuar profesorët qe infektohen me Covid-19 është shumë i gjatë. Ajo ka kërkuar që afati i rekrutimit të shkurtohet.
Shkollat janë të fundit që duhet mbyllur kishte thënë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ditë më parë. Ndërsa ai i Shëndetësisë, Rifat Latifi, u shpreh të mërkurën se nëse përkeqësohet situata edhe shkollat do të mbyllen.
Janë 25 mijë e 458 raste aktive. Vetëm të mërkurën u regjistruan 4397 raste të reja.
Afrim Llabjani i DKA-së së Ferizajt, ka treguar se në Ferizaj janë 98 mësimdhënës të infektuar me COVID e 437 nxënës.
"Është një gjendje jo e mirë, çdo ditë është duke u përkeqësuar gjendja në Komunën e Ferizajt. 98 mësimdhënës janë të infektuar me Covid-19, 437 nxënës dhe 9 shkolla vetëm kanë shkuar online. Duhet të merret vendim a do dalim të gjithë në nivel vendi në skenarin C apo të vendosim veç e veç për secilën komunë. Në shkolla mungesa e mësimdhënësve po shkakton shumë probleme, vetëm një ditë të mungoj një profesor bëhet kaos e le më shumë”, tha Llabjani.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë-Kosovës, Samir Shahini, ka thënë se në këtë komunë është gjendja shqetësuese dhe se numri i të infektuarve në shkolla po rritet dita e ditës.
Ndërsa Zymber Berisha i DKA-së së Gjakovës, ka treguar se në Ghakovë janë 369 nxënës të infektuar me COVID dhe 101 mësimdhënës.
"Nga 15 mijë e 670 nxënës sot në Gjakove janë 369 nxënës të infektuar dhe 101 mësimdhënës në 48 shkolla. I kemi 6 shkolla që janë në mësim online, fillon më 30 deri me 58 të infektuar me një shkollë. Për momentin 213 paralele janë në mësim online, unë mendoj që duhet mobilizim që ti bindim prindërit qe t'i vaksinojnë fëmijët e tyre", tha Berisha.
Naser Gega nga DKA e Pejës ka thënë se duhet kthyer mësimi me prani fizike, pasi asnjë nxënës apo mësimdhënës nuk është i hospitalizuara.
"Duhet të kthehet mësimi me prani fizike. Asnjë nxënës e as mësimdhënës nuk është i hospitalizuar. Po dalin dy ose tri nxënës në një klasë pozitivë, mësimdhënësit po i thonë tërë klasës të bëjnë testime, kjo po shkakton dyndje në QMF-të", tha Gega.