Arbëri

Shprehet drojë që pjesëmarrja e grave në zgjedhje të jetë e ulët

Trendi i pjesëmarrjes së ulët të grave në votim pritet t’i përcjellë edhe zgjedhjet e 9 shkurtit, paralajmëruan njohës të procesit zgjedhor. Bazuar në monitorimin që i është bërë fushatës, vetëm 1 e treta 3 e folësve nëpër aktivitete zgjedhore kanë qenë gra

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk pritet të ndërrojë për të mirë trendi i pjesëmarrjes së ulët të grave në votim, kanë vlerësuar të shtunën njohës të procesit elektoral.

Hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, ka thënë se tregues i kësaj është edhe fakti se në më shumë se gjysmën e aktiviteteve partiake gjatë fushatës, pjesëmarrja e grave ka qenë minimale apo inekzistente.

“Në përqindje është më pak se 10 për qind e numrit të përgjithshëm të pjesëmarrësve. Një trend i tillë është jashtëzakonisht shqetësues për shkak se kjo tregon që në njërën anë partitë politike kanë dështuar, nuk kanë punuar sa duhet me elektoratin për të pasur angazhime më të madh të grave dhe së dyti është indikator se sfera politike dhe ajo publike mbetet joatraktive për gratë që të përfshihen në të”, ka thënë Cakolli.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i grave që kanë votuar nuk e ka kaluar 40-përqindëshin e pjesëmarrësve në proces elektoral gjatë periudhës 2010-2021. Bazuar në to, janë mbi 500 mijë gra që nuk e kanë ushtruar të drejtën e votës.

“Ndonëse gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë, në zgjedhje trendët janë që të shkojë deri në 40 për qind të numrit të përgjithshëm të atyre që kanë marrë pjesë, e madje në disa raste ka rënë edhe nën 40 për qind”, ka thënë Cakolli.

E, sociologu Artan Krasniqi ka numëruar shkaqe që kanë sjellë këtë trend.

“Në shoqëritë si kjo e jona, ku vazhdon të mbizotërojë struktura, gruaja ka pak agjenci, në kuptimin që vështirë mund të marrë vendime të pavarura për kë dhe si të votojë. Në rastin e asaj pjesës tjetër të grave që marrin vendime si të pavarura, mungon një ofertë konkrete politike që do të mund të siguronte votat e tyre”, ka thënë sociologu Krasniqi.

Por, Krasniqi ka theksuar se në dy palë zgjedhjet e kaluara sikur janë dhënë sinjale se nuk ka gjithaq nevojë për një solidarizim gjinor në aspektin e votimit të kandidateve gra.

“Kujtojmë që një grua është deputetja më e votuar në Kosovë në zgjedhjet e kaluara, sikurse kuota prej 30 për qind thuajse është plotësuar jo vetëm bazuar në aspektin gjinor por edhe mbi bazë të meritës.  E shoh më të nevojshme hartimin e një oferte konkrete politike që përmirëson jetën e grave, sesa një solidarizim gjinor të grave për gratë”, ka thënë ai.

E, tek ka folur për listat zgjedhore, Krasniqi u është referuar tri kategorive të grave pjesëmarrëse në to.

“Së pari, ato që njëmend kanë peshë në partitë e tyre dhe janë etabluar tashmë si figura të rëndësishme bazuar në angazhimin e tyre politik e jo në atë gjinor; së dyti gra të familjeve ose rretheve të mëdha që mbështeten prej tyre në këtë rrugëtim; dhe së treti, gra që mbase e dinë që kanë fare pak shpresë për t’u bërë deputete, por që ia bëjnë një nder partisë duke plotësuar kriteret ligjore të hartimit të listave. Në përgjithësi, klima aktuale nuk është aspak e favorshme për pjesëmarrjen e grave në politikë, në kuptimin që fushata kërkon shumë investim financiar e njerëzor”, ka thënë sociologu Krasniqi. “Shoqëria nuk është një koncept konkret që në vetvete mund të bëjë diçka për të ndryshuar këtë klimë, por duhet punuar në forcimin e agjencisë së gruas në shoqëri”.

Të dhënat e publikuara të shtunën nga koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim” paraqesin numër të ulët të pranisë së grave edhe në tubime elektorale. Bazuar në to, vetëm 1 e treta e folësve nëpër aktivitete zgjedhore kanë qenë gra.