Arbëri

Shprehen shqetësime për vonesën në miratimin e rregullores për këshillat lokale në Prizren

Organet komunale në Prizren po përballen me vështirësi në miratimin e propozim-rregullores për këshillat lokale të lagjeve e fshatrave, pasi me Udhëzimin Administrativ është përgjysmuar numri i tyre. Kuvendarët kanë kërkuar rigrupim më adekuat të fshatrave, përderisa aktivistë të shoqërisë civile apeluan për funksionalizimin e shpejtë të këtyre këshillave

Këshilla lokale të lagjeve e fshatrave në Prizren prej vjetësh nuk janë funksionalë e për pasojë, aktivistë të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësimin për vështirësimin e komunikimit formal mes qytetarëve e organet vendimmarrëse.

Ani se propozim-rregullorja për këshillat lokale është përgatitur, akti nuk është miratuar në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal, në mungesë kuorumi.

Eroll Shabani, nga organizata “EC Ma Ndryshe”, ka shprehur shqetësimin për zvarritjen e procesit.

“Pra është një problem që shfaqet edhe në punën tonë në terren, por edhe për qytetarët, sepse tanimë i kanë humbur të gjitha kontaktet për adresim konkret të kërkesave për t’i formalizuar drejt institucioneve përkatëse”, theksoi Shabani.

E Edin Shehu, drejtori i administratës, prezantoi gjatë seancës së fundit të Kuvendit të Komunës propozim-rregulloren që, sipas tij, i respekton dispozitat e Udhëzimit Administrativ përkatës.

“Udhëzimi Administrativ thotë që komunat të cilat kanë mbi 100 mijë banorë duhet t’i kenë 40 kryetarë të bashkësive lokale”, tha Shehu.

Por kuvendarët e partive të ndryshme i kundërshtuan grupimet e fshatrave në një këshill lokal dhe kërkuan ndryshime e konsultime shtesë me banorët.

“Neve të gjithë këtu jemi përfaqësues të qytetarëve të Prizrenit edhe në qoftë se neve me votim apo mosvotim bëjmë ndarje në terren, atëherë kjo na qet para një akti se ne nuk e përfaqësojmë qytetarin”, theksoi Karanfil Haxhillari, asamblist i LVV-së.

Nënkryetari Kujtim Gashi u pajtua me komentet, por tha se çështja përcaktohet me dispozitat e Udhëzimit Administrativ, që për Prizrenin me 74 fshatra e 25 lagje parasheh 40 këshilla lokale.

“Edhe në bazë të këtij Udhëzimi Administrativ është e pamundur me i bë 100 bashkësi lokale”, tha Gashi.

Por aktivisti Shabani e kërkoi zgjidhjen e çështjes në një afat të shkurtër kohor.

“Edhe i bëjmë apel legjislativit që ta trajtojë me mjaft seriozitet pasi është vështirësuar puna jonë, por edhe problemet e qytetarëve nuk po hasin në zgjidhje apo nuk po ofrohet zgjidhje nga Komuna”, u shpreh ai.

Organet komunale në Prizrenit edhe më 2021 patën përgatitur projekt-rregullore të ngjashme që, shkaku i kundërshtive, nuk u miratua në Kuvendin Komunal.