12:05 - Elshani e konsideron të qetë situatën në veri
Zëvendëskomandanti i Policisë në rajonin e veriut, Veton Elshani, në një deklaratë për gazetarët nga vendi i ngjarjes ka thënë se situata është e qetë.
Ai nuk ka dhënë detaje nga hetimet, ndërsa ka thënë se tash në veri po operon një numër më i madh i policëve joshqiptarë.
“Kjo po na mundëson të kryejmë punën shumë mirë. Kemi qasje në çdo pjesë të veriut të vendit”, ka thënë ai.
09:21 - Policia jep detaje për mjetet shpërthyese në Zveçan, nuk dihen autorët
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për hedhjen e një granate dore në objektin e Postës së Kosovës, në Zveçan, në minutat e parë të së martës. Siç thuhet në një komunikatë të Policisë, pos granatës që ka shpërthyer, ka qenë edhe një tjetër brenda objektit të ri të Postës.
“Me datën 01.04.2025 rreth orës 00:20 person/a të panjohur kanë hedhur dy (2) granata dore në objektin e Postes se Kosovës në Zveçan. Si pasojë e shpërthimit të njërës granat janë shkaktuar dëme materiale, mirëpo nuk është raportuar për të lënduar. Njësitet policore relevante pasi kane dale ne vend te ngjarjes kanë vërejtur se brenda objektit gjendet edhe një granatë e pa shpërthyer, ku ne lidhje me këtë njësitë policore paraprakisht kanë bërë sigurimin e vendit te ngjarjes, ndërsa banoret janë evakuuar për një kohë, deri sa nga njësia e specializuar për trajtimin e mjeteve eksplozive kanë bërë shpërthimin e granatës në mënyrë të kontrolluar”, thuhet në njoftim.
Policia ka thënë se e ka njoftuar Prokurorin që ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Autorët e këtij shpërthimi ende nuk dihen.



Peci: Qytetarët të mos kenë panik
Për sulmin ka reaguar kryetari i Komunës, Ilir Peci. Ai e ka quajtur aktin sulm terrorist.
“Ky sulm është një tentativë e qartë për të destabilizuar rajonin dhe për të shkaktuar frikë te qytetarët. Autorët duhet të gjenden dhe të paraqiten përpara drejtësisë”, ka deklaruar ai.
Ai ka shprehur bindjen se shpërthimi është realizuar nga grupi i njëjtë që ka kryer sulme të tjera në veri.
Peci ka ftuar qytetarët të mos kenë panik dhe se situata është nën kontroll të Policisë.
Posta: Sulmi nuk na zmbraps
Edhe Posta e ka dënuar aktin teksa ka bërë thirrje për hetim të plotë të rastit.
“Ky sulm nuk na zmbrapsë në përkushtimin tonë për të ofruar shërbime cilësore dhe për të zgjeruar prezencën postare në të gjithë vendin”, thuhet në reagim.
Një shpërthim ka ndodhur te zyrat e reja të Postës së Kosovës në Zveçan, në minutat e parë të së martës, ka konfirmuar Policia e Kosovës. Siç bëhet e ditur, nga detonimi nuk ka pasur të lënduar, ndërsa ka dëme materiale.
“Kemi informacion për një detonim që është dëgjuar te ndërtesa e postës në Zveçan rreth orës 00:30”, ka njoftuar zëvendëskomandanti i Policisë në veri, Veton Elshani, pas mesnatës.
Ai ka thënë se nuk është raportuar për të lënduar.
Ndërkaq, siç ka shkruar mediumi lokal në gjuhën serbe, “kossev.info” objektit i janë thyer xhamat. Ky medium ka raportuar se dhjetëra policë kanë qëndruar në vend të ngjarjes, bashkë me ekipet e deminimit. KOHA ka mësuar se këto ekipe kanë kryer shpërthim të kontrolluar të një pajisjeje tjetër eksploduese, të hedhur brenda objektit.
Në këtë ndërtesë ishte vendosur shenja e Postës së Kosovës vetëm pak ditë më parë.
Deri në mbylljen nga autoritetet e Kosovës vitin e kaluar, aty operonte Banka e Kursimeve Postare serbe.
Kurti e quan sulm me elemente terroriste shpërthimin në Zveçan
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e dënon fuqishëm “sulmin me elemente terroriste” ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan, duke shtuar se ky akt dhune është orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve.
Kurti ka shkruar në Facebook se është brengosëse që janë të lirë persona të lidhur me kryeterroristin Milan Radoiçiq, teksa shtoi se ata “po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste”.
"Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiq dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese. Përmes krijimit të tensioneve artificiale, po tentohet të pengohet funksionimi normal i institucioneve dhe të minohet zhvillimi ekonomik e përparimi demokratik i vendit tonë”, ka thënë ai.
Kurti u shpreh se sulmi tinëzar me granatë është “orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës”.
Ai shtoi se institucionet po i kryejnë hetimet për t’i sjellë para drejtësisë autorët e aktit, teksa tha se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal. Kurti deklaroi se s’do të lejohet asnjë përpjekje për të sfiduar rendin kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve.
“Shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të gjithë qytetarët, pa dallim, të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të lirë”, tha ai.
Haradinaj: Kosova s’guxon të kthehet në strehë të terroristëve, nevojitet koordinimi me NATO-n

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur sulm terrorist aktin ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan.
Ai ka thënë se sulmi i mbrëmshëm është vazhdimësi e “logjikës terroriste të lidershipit në Serbi”.
Sipas tij, këto sulme dëshmojnë qëllimet agresive të Serbisë, andaj sipas tij, Kosova nuk guxon të bëhet strehë e terroristëve dhe për këtë nevojitet koordinim i fuqishëm me aleatët perëndimorë.
“Policia dhe institucionet e sigurisë po dëshmojnë qartë aftësinë dhe gatishmërinë për t’i sjellë para drejtësisë ata që guxojnë të cenojnë rendin dhe ligjin në Kosovë. Përkrahja për këto institucione duhet të jetë e pa rezervë nga qeveria e Kosovës. Kosova nuk guxon të kthehet në strehë të terroristëve dhe akteve terroriste, për këtë arsye edhe kërkohet bashkëpunim dhe koordinim i fuqishëm me aleatët tanë të NATO-s në krye me SHBA”, ka thënë ai.