Arbëri

Shoqëria civile kundër ndryshimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Dështimet e njëpasnjëshme të Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur komisarin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi janë paraqitur në një raport të Lëvizjes FOL.

Të mërkurën, gjatë diskutimit në mënyrë elektronike të këtij raporti u kërkua zgjedhja sa më e shpejtë e udhëheqësit të kësaj agjencie, e cila u vlerësua si një nga më të rëndësishmet.

“E kemi një Agjenci e cila në një mënyrë nuk është funksionale. I kemi dy ligje të cilat pa komisionarin janë thuajse tërësisht të pazbatueshme në këtë rast. E kemi Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ligjin për Qasje në Dokumente Publike”, tha drejtoresha e lëvizjes “FOL”, Mexhide Demolli.

Në diskutim u kundërshtua mundësia e ndryshimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pasi u vlerësua se kështu do të vihej në pikëpyetje funksionimi i rregullt i institucioneve.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Fatmire Mulhaxha – Kollçaku tha se edhe çështja e komisarit po mbetet peng i mosunitetit të deputetëve.

“Në anën tjetër po e shihni në cilin moment politik jemi që nuk ka mundësi me u votu as çështja më bazik enë Kuvend, nuk ka mazhorancë, ju jeni dëshmitarë që radhiten pika pafundësisht dhe nuk ka mundësi të shtyhet asnjë çështje, kështu që edhe kjo në një farë forme po mbetet si peng i rrethanave politike”, tha Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Dështimi në përzgjedhjen e kandidatit ka zhgënjyer Ambasadën britanike, e cila është tërhequr nga ky proces.

“Arsyeja është shumë e thjeshtë, projekti financohet prej parave të taksapaguesve britanik, llogaridhënia në institucionet britanike karshi taksapaguesve është shumë e lartë, japin përgjegjësi të madhe për çdo pound që paguajnë, nëse një taksapagues britanik kishte me pyet, procesi ka shkuar tre herë dhe ka dhënë kandidatë që janë të emërueshëm, cila është arsyeja e qëllimi me marrë pjesë në herën e katërt, këtu nuk ka përgjigje”, deklaroi Agim Maraj, nga Ambasada e Britanisë në Kosovë.

Ndërsa aktivistja e shoqërisë civile, Flutura Kusari që ka monitoruar këtë proces, ka thënë ndryshimi i ligjit do të mundësonte vazhdimin e kapjes së këtij institucioni.

“...Është një institucion që më shumë ka bërë dëm në shoqëri sesa që ka bërë mirë, është një institucion që gjithmonë ka qenë me Partinë Demokratike të Kosovës, dhe është mendim i imi që është një ndër institucionet e kapura dhe për këtë arsye procesi i rekrutimit ka qenë një lloj shprese për mua që ky institucion do të çkapet. Dhe çka ndodhi, Kuvendi i Kosovës dështoi me çkapë këtë institucion prej politikës”, tha Kusari.

Në raportin e Lëvizjes FOL thuhet se në periudhën korrik 2019 - maj 2020 në Agjencinë për Informim dhe Privatësi janë parashtruar gjithsej 24 ankesa për qasje në dokumente publike, kurse 12 ishin kërkesa për interpretim të drejtë të ligjit.

Ndërsa në institucionin e Avokatit të Popullit në këtë periudhë janë dërguar 62 ankesa, 17 prej të cilave nga organizatat joqeveritare , 17 prej mediave dhe të tjerat nga qytetarët.

Përzgjedhja e komisionarit ka dështuar tri herë radhazi.