Rreth 32 fëmijë me aftësi të kufizuara, që nga qershori nuk janë duke marrë shërbime falas në shoqatën HANDIKOS në Gjilan.
Fatmir Shurdhani, kryetar i kësaj shoqate, tha se nuk mund të ofrojnë shërbime për shkak të mungesës së mjeteve financiare, e për këtë e ka akuzuar komunën.
“Nevojat e Handikos-it janë shumë më të mëdha se që mbështesin institucionet, megjithatë nuk kemi qëndruar duarkryq kemi hulumtuar dhe kemi thithë mjete jo rrallë herë edhe prej organizatave tjera ndërkombëtare për të ofruar shërbime sa më cilësore për fëmijët me aftësi të kufizuara. Këtë vit e kemi gjendjen shumë të keqe, ne përkundrazi nuk kemi prit prej institucioneve lokale kemi prit edhe prej nivelit qendror”, ka deklaruar Shurdhani.
Në mars të këtij viti, kuvendi komunal i Gjilani ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare për shoqatën Handikos prej afër 29 mijë eurosh dhe 19 mijë euro për Shoqatën Ndërkomunale të të Verbërve.
Por shoqatat thonë se mjetet nuk i kanë marrë, pasi vendimi nuk është miratuar nga kryetari i komunës, Alban Hyseni.
Për të shprehur pakënaqësitë e tyre, këto dy shoqata kanë paralajmëruar protestë të hënën para komunës.
Bajram Spahiu, kryetar i shoqatës Ndërkomunale të të Verbërve, thotë se rreth 100 persona janë duke e pësuar, për shkak të mosmiratimit të vendimit të kuvendit nga komuna.
“Shërbime në vit marrin diku rreth 70 diku 100 persona, këtë vit shërbimet trajnuese që në ofrojmë në orientim dhe mobilitet në teknologjinë informative për grupmoshat e rriturat që humbasin shikimin me vonesë nuk kanë marr asnjë shërbim që nga janari kemi qenë në bllokim total. Deri në muajin maj jemi munduar të përthekojmë ndonjë shërbim, por fatkeqësisht këshilli shoqatës në Gjilan ka marr vendim që nga e premtja e fundit që zyra të mbyllet dhe nuk ofrohet asnjë shërbim”, ka thënë ai.
Zyrtarë komunalë nuk kanë qenë të qasshëm të dielën për të komentuar kritikat e adresuar nga shoqatat.
E protesta e organizatave që ofrojnë shërbime për personat me aftësi të kufizuara, është planifikuar të fillojë nga ora 11:00.