Shoqata Sindikale që i përfaqëson diplomatët kosovarë i është ankuar kryeministrit Albin Kurti, se Ministria e Jashtme po i përligj gradat e dhëna kundërligjshëm, e madje po e vazhdon praktikën e qeverive paraprake, duke dhënë grada diplomatike pa u bazuar në meritë. Mes të tjerash, në një shkresë të Shoqatës është theksuar se kjo praktikë e dëmton rëndë shpresën për kthim të ligjshmërisë. Këtyre pretendimeve nuk u kanë dhënë përgjigje Zyra e Kryeministrit dhe as Ministria e Punëve të Jashtme
Kryeministrit Albin Kurti i ka shkuar një shkresë, sipas së cilës Ministria e Punëve të Jashtme është duke i formalizuar gradat e jashtëligjshme të diplomatëve dhe duke dhënë të tjera pa u bazuar në meritë. Shkresa, një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA, është adresuar nga Shoqata Sindikale e Shërbimit të Jashtëm. Në të fillimisht janë listuar shkeljet masive, të grupuara në punësime pa kritere, emërime të kundërligjshme dhe në dhënie gradash diplomatike pa mbështetje në ligj. “Si rrjedhojë e këtyre fenomeneve, në Shërbimin e Jashtëm janë dëmtuar rëndë kriteret e profesionalizmit, meritokracisë, integritetit dhe përvojës mbi të cilat bazohet ky shërbim, duke u bërë pengesë në zhvillimin e kapaciteteve të brendshme për vetë Shërbimin e Jashtëm”, thuhet në shkresën drejtuar Kurtit.
Qeveria Kurti e ka përfshirë në planin e punës rishikimin e gradave, emërimeve dhe punësimeve të paligjshme të diplomatëve. Por, procesi nuk ka nisur.
E, sindikalistët kanë alarmuar se Ministria e Jashtme e ka braktisur këtë politikë.
Shoqata e ka quajtur të gabueshëm dhe të dëmshëm këtë hap.
“Më lejoni ta theksoj se ftesa e datës 3 shtator për gradim të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm, para se të ndodhë rishikimi i shkeljeve që e ka përfshirë Shërbimin e Jashtëm, siç janë punësimet pa kritere, gradimet pa Komision të Gradave dhe Disiplinë, emërimet e kundërligjshme nëpër Misionet Diplomatike të Republikës së Kosovës, siç janë Konsujt e Përgjithshëm, e dëmton rëndë shpresën për kthim të ligjshmërisë”.
Kryeministrit i është thënë në shkresë se për të njëjtën çështje paraprakisht ishte informuar edhe ministrja Donika Gërvalla dhe Komisioni i Gradave, porse nuk janë parë veprime.
“Kjo shkresë para së gjithash ka si qëllim t’ju vërë në dijeni mbi vazhdimin e dukurive të ngjashme si në të kaluarën, por në rrethana të reja që ka një kosto politike edhe në perceptimin e qeverisjes mbi parimet e barazisë”, thuhet tutje aty.
Në lidhje me pretendimet e Shoqatës Sindikale, KOHA ka adresuar pyetje në Zyrën e Kryeministrit dhe në Ministrinë e Jashtme. Por, përgjigjet kanë munguar.
Deri tash, përgjigjja ka munguar edhe në kërkesën për anulim të gradimeve të fundit, të cilën në shkresë e ka shtruar Shoqata që i përfaqëson diplomatët e Kosovës.