Arbëri

Shoqata e të verbërve ankohet për moszbatimin e ligjit për punësimin e tyre

Për fillimin e vitit të ri shkollor, këtë javë dyert i hapi edhe qendra burimore për mësim dhe këshillim, “Xheladin Deda” në Pejë, si institucion i vetëm në Kosovë për shkollimin e të verbërve dhe atyre me të parë të dëmtuar.

Sikurse nxënësit në shkollat e rregullta, edhe këtu nxënësit kanë ëndrrat e tyre që duan t’i jetësojnë, pasi ta përfundojnë shkollimin e mesëm.

Njëra prej tyre është edhe maturantja Adelina Hajdinaj nga Istogu, e cila dëshirë të madhe ka që pas shkollimit të mesëm të bëhet psikologe dhe të punojë me nxënës të moshës adoleshente e t’i ndihmojë ata. Por ajo sheh vështirësi në jetësimin e ëndrrës së saj.

“Por në rrethanat ku jemi, shumë pak personat me nevoja të veçanta, s’po i ceki personat e verbër ose kështu, por në përgjithësi janë tepër pak të pranuar në punë, edhe pse duhet me kanë”, ka thënë maturantja Adelina Hajdini.

Drojën e saj e kupton Gani Gashi, i cili vetë ka qenë nxënës i kësaj shkolle dhe pas kryerjes së fakultetit punon si lektor i teksteve në shkrimin Braill në këtë shkollë.

“Atë punë që e marrin, e marrin seriozisht. Dhe i përkushtohen dhe e bëjnë ma të mirë të mundshme ato punë që i përshtaten kësaj natyre”, ka thënë Gani Gashi, lektor.

Të drejtën e punësimit të verbërve ua garanton ligji për aftësimin dhe riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

Por ky ligj, siç thotë kryetari i Shoqatës së të verbërve të Kosovës, Daut Tishuki, nuk po zbatohet nga institucionet publike e as nga sektori privat.

“Nuk ka vullnet të duhur, si nga kompanitë private, si nga institucionet shtetërore, të punësojnë persona me aftësi të kufizuara”, ka thënë Daut Tishuki, kryetar i Shoqatës së të verbërve të Kosovës.

Tishuki thotë se ligji parasheh edhe gjobitjen e institucioneve publike dhe ato private nëse nuk punësojnë së paku një person me aftësi të kufizuara në çdo 50 të punësuar.

Por, ai nuk ka dëgjuar të jetë dënuar ndokush për moszbatimin e këtij ligji.

Kontrollimin për zbatimin e këtij ligji dhe gjobitja, sipas tij, është obligim i Inspektoratit të punës të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

KOHA i është drejtuar kësaj ministrie se sa është duke u zbatuar ky ligj dhe a është gjobitur deri tash ndokush për moszbatimin e këtij ligji, por nuk ka marrë përgjigje.