Sipas rezultateve të një ankete me qytetarë të Prishtinës, mbi 50 për qind e tyre nuk shkuan në asnjë ngjarje kulturore, qendrat tregtare dolën më të frekuentuarat, derisa bibliotekat u vizituan shumë rrallë. Të dhënat e Doganës dëshmojnë se gati 400 milionë euro është importi i tekstilit për vitin 2023, një rritje prej 118 milionë eurosh krahasuar me një vit më parë. E të dhënat e bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë nuk flasin mirë për të: ka 6.000 lexues të anëtarësuar më pak sesa në vitin 2017
Tubimi për hapjen e një qendre tregtare në Gjilan pak javë më parë është ndër më të mëdhenjtë për vitin 2023, duke tejkaluar për nga numri i pjesëmarrësve edhe shumë protesta e ngjarje sportive në vend. Në Pejë hapja e një qendre të tillë në korrik u përcoll edhe me një koncert të një këngëtari të njohur, derisa në Prishtinë një qendër për mysafirë të parë pati udhëheqësit më të lartë institucionalë, përfshirë presidenten e vendit.
Këto qendra dhe të tjera shpesh janë edhe preferencat e para të qytetarëve jo vetëm për të shpenzuar, por edhe për të kaluar kohën e lirë dhe për t’u argëtuar me atë që ofrojnë.
Këtë e dëshmon edhe një anketë publike e “Manifestës” për Prishtinën, e publikuar vitin e kaluar. Sipas rezultateve, mbi 50 për qind e kryeqytetasve nuk shkuan në asnjë ngjarje kulturore, qendrat tregtare dolën më të frekuentuarat, derisa bibliotekat u vizituan shumë rrallë.
Në një prej fundjavave të dhjetorit qytetarja Mërgime Gajtani e shoqëruar me bashkëshortin ishin dy nga qindra klientët e një prej qendrave në Prishtinë.
Ajo kohën e lirë me familje e kalon kryesisht në këto ambiente, shpesh edhe duke shpenzuar, siç u shpreh ajo, pa lidhje.
“Vijmë shpesh kur të kemi kohë. Sa herë të kemi kohë. Shpenzojmë valla nganjëherë edhe pa lidhje, kështu qysh jemi ba si trentë me veshë, me shëtit, me pi kafe, kështu. Në punë, në shpi, edhe kur kemi kohë ndonjë vikend me dalë diku. Shumë shpesh tash, shumë shpesh po vijmë në qendër tregtare, po dalim, po argëtohemi”, ka thënë Gajtani.
Me frazat “shpeshherë” dhe “çdo ditë” ishin përgjigjet e shumë qytetarëve në këto qendra, teksa shiheshin me qese plot nëpër duar.
E qytetarja Arbërie Shabani u shpreh se mundohet të shmangë vizitat në qendra tregtare, por as për të nuk shkon muaji pa i vizituar.
“Unë vij në qendra tregtare një herë në muaj ndoshta. Me tregu drejt, vij më shumë për argëtim sesa për me ble sene. Mua më pëlqejnë arti, muzeu e natyra”, ka thënë Arbërie Shabani.
Por sa kanë faj qytetarët që zgjedhin në radhë të parë qendrat tregtare?
Virtyt Gacaferri, ekspert i turizmit, u shpreh se mungesa e investimeve të qëlluara në njëfarë forme ua ka imponuar atyre se si dhe ku ta kalojnë kohën e lirë.
Situatën e tanishme e quan për keqardhje.
“Është për të ardhur keq që d.m.th. ka aq shumë investime në qendra të shoppingut përderisa investimet në gjëra të tjera të cilat mund të jenë shumë fitimprurëse dhe të mira për qytetarët nuk bëhen. P.sh. Kosova e ka vetëm një park të aventurave, Kosova nuk ka kopsht zoologjik, Kosova nuk ka muze të cilët do të ishin atraktivë për qytetarët. Pra, nuk po flas për muze të cilët shërbejnë për histori, por për një muze të shkencës. Një muze të historisë natyrore është nisur të bëhet për sa vite me radhë dhe nuk është realizuar”, ka deklaruar Gacaferri.
Ai thekson se për një familje nuk ofrohen alternativa të tjera të pranueshme e atraktive, sidomos për ato me fëmijë. Numëron dy vende ku mund të shkohet, e që nuk do të duhej të ishin zgjidhje të para.
“Hapësirë ka, por mungojnë investimet që është për të ardhur keq, përveç këtyre njerëzve që udhëtojnë, d.m.th. ofrojnë shërbime të ecjes, shërbime po mendoj për, të eksperiencave për familje në Kosovë nuk ka. Pra, nëse i ke dy fëmijë, katër dhe pesë vjeç, dhjetë vjeç, 12 vjeç, si familje mund të shkosh në restorant dhe mund të shkosh në shopping center dhe oferta është ajo që mungon sesa kërkesa, sepse kërkesa krijohet me një ofertë të mirë”, ka thënë ai.
Gati 400 milionë euro import i tekstilit për vitin 2023
Përveç mungesës së përkushtimit afatgjatë të institucioneve të shtetit në këtë drejtim, Gacaferri fajëson edhe bizneset private. Ai pret nga privatët të investojnë edhe në fusha të tjera, pos në qendra tregtare.
“Mendoj se qoftë një kopsht zoologjik, qoftë një vend atraksioni me sport mund të bëhet nga sektori privat dhe mund të jetë fitimprurës”, ka shtuar ai.
Se shopping turizmi është ndër shtyllat e ekonomisë, e dëshmojnë edhe të dhënat e Doganës e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Sipas Doganës, më 2022 në Kosovë janë importuar mallra të tekstilit në vlerë mbi 265 milionë euro. E më 2023, 118 milionë euro më shumë.
Bazuar në të dhënat e Administratës Tatimore, qarkullimi i bizneseve që merren me tekstil gjatë 2023-s ishte gati gjysmë miliardi euro.
Gacaferri si adhurues i natyrës dhe ecjes në bjeshkë uron që kjo shifër të shkojë duke u zvogëluar. Ngarendjen e qytetarëve për të shpenzuar në tekstil e vlerëson tejet të dëmshme.
“Mendoj se blerja e teshave shkakton disa probleme duke përfshirë prej rritjes së CEO2 në ambient që shkakton ngrohjen globale deri te shkaktimi i mbeturinave të ndryshme se ato rroba në fund përfundojnë në bërllok, edhe të cilat mbushin edhe tokën, edhe ajrin, edhe rrugët tona, sepse tek ne menaxhimi i bërllokut nuk është i mirë”, ka thënë Gacaferri.
Megjithatë ai ka shpresë se interesimi i qytetarëve po ndryshon për të mirë. Thotë se pëlqimi i qytetarëve për aktivitete, që kryesisht lidhen me natyrën e bukuritë e vendit, është duke u rritur. Thotë se ka shumë grupe e shoqata të cilat organizojnë udhëtime në bjeshkë gjatë secilit vikend.
Rritja e turizmit malor konfirmohet edhe nga Baki Hoti, kryetar i Unionit të Turizmit të Kosovës. Kthesa për të mirë, sipas tij, është bërë në kohë të pandemisë.
“Turizmi është një industri jashtëzakonisht e gjerë dhe përfshin edhe pjesën e shoppingut, edhe pjesën e aktiviteteve dhe të gjitha. Pra, ky është një zinxhir që e bën një turist që shkon në shopping, atëherë me siguri ai do të akomodohet diku, do të hajë ushqim diku, do të pijë kafe diku, pra është një industri e gjerë, e cila ndërlidh edhe pjesën e shoppingut. Por, kosovarët janë në rritje e sipër duke i shfrytëzuar edhe potencialet e turizmit malor që Kosova i ka”, ka thënë Hoti.
Bukuritë që natyra ua fali zonave të ndryshme të Kosovës janë destinacioni kryesor i turistëve të huaj. Dhe numri i tyre është duke u rritur nga viti në vit. Sipas Hotit, numri i turistëve të huaj është rritur për gati 30 për qind. Ka edhe rritje të netëve të qëndrimit, mesatarisht katër për person.

Rënia e madhe e lexuesve të parapaguar në biblioteka
Ngarendja për shopping-turizëm, natyrshëm ka ndikuar edhe në jetën kulturore. Vizitat në biblioteka kanë rënë shumë.
Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës në bibliotekën “Hivzi Sylejmai”, Fatime Mehmetaj, ka treguar se në vitin 2017 ishin të regjistruar rreth 10 mijë lexues, ndërsa viti 2023 u mbyll me 4 mijë.
“Ne që punojmë këtu jemi gjithmonë të rrethuar me studentë, me lexues dhe fort nuk e hetojmë, mirëpo statistikat na tregojnë që nuk lexohet si përpara. D.m.th. në atë vit kur kemi hyrë në këtë objekt, viti 2017 ka qenë numri më i lartë i lexuesve, statistikat më të larta që kemi regjistruar ndonjëherë afër 10 mijë, d.m.th. 9 mijë e 750, por prej atëherë kjo shifër ka shkuar duke rënë. Ndodhi pandemia, pastaj janë edhe disa arsye të tjera, nuk e di”, ka deklaruar Mehmetaj.
E bazuar në të dhënat e Administratës Tatimore, qarkullimi i bizneseve që merren me librat gjatë vitit 2023 ishte afro 16 milionë euro.
Anketa publike e “Manifestas” në Prishtinë nuk nxori rezultate të kënaqshme sa i përket pjesëmarrjes në aktivitete kulturore. 53 për qind e të anketuarve kanë thënë se nuk kanë ndjekur asnjë ngjarje kulturore.
Po ashtu anketa nxori se “pikat më të frekuentuara në Prishtinë janë qendrat tregtare, kafenetë/baret, parqet, sheshet/shëtitoret, lagjet, stadiumet/hapësirat sportive dhe në fund kinematë”.
Kushtrim Sheremeti, drejtor i Teatrit Kombëtar, e ka quajtur sfidues vitin 2023, por është po ashtu i lumtur me prodhimtarinë artistike dhe shikueshmërinë. Ai vlerëson se gradualisht po evitohen problemet që i shkaktoi pandemia.
“Sivjet për shembull kemi pasur shfaqje që janë luajtur edhe deri në 25 herë brenda një viti edhe shumicën për mos me thënë 99 për qind të rasteve kanë qenë sold out. Ose shfaqjen e fundit që e kemi bërë e kemi luajtur 12 herë dhe gjithmonë ka qenë sold out. D.m.th. publiku i Prishtinës është një publik i jashtëzakonshëm, një publik shumë i aftë për me cilësu edhe kualitetin porse njëkohësisht edhe numër i madh”, ka thënë Sheremeti.
Sipas tij, Teatri qëndron shumë më mirë se çdo gjë tjetër kulturore që ofron Prishtina në këtë kohë.
Sheremeti thotë se duhet edhe shumë punë, sidomos në teatrot e qyteteve tjera meqë, sipas tij, publik ka. Por, duhet ofertë e pasur kulturore.
“Ka publik, fatkeqësisht nuk ka shumë shfaqje, numër të shfaqjeve të teatrove në qytete të tjera sa ka në Prishtinë, e sidomos në Teatrin Kombëtar të Kosovës, por unë personalisht besoj që me një trend, me një përkushtim më të madh të të gjitha institucioneve komunale, ky trend mundet me u rritë”, ka deklaruar Sheremeti.
Baleti Kombëtar po ashtu ka shumë sfida. Pjesëtarët e këtij institucioni kulturor përballen me mungesë të hapësirave për mbajtjen e ushtrimeve, provave dhe shfaqjeve, por suksesi sipas drejtuesve nuk mungon.
Drejtori i Baletit Kombëtar, Sinan Kajtazi, vlerëson se sivjet shfaqja “Arthyesi” ka shënuar kthesë të madhe, si nga përmbajtja ashtu edhe për nga interesimi.
“Është pritur me një interesim të jashtëzakonshëm nga audienca, mundemi lirisht me thanë që interesim më të madh nuk kemi pasur ndonjëherë për shfaqje të baletit në vendin tonë. Gjithandej Kosovës kanë thirrur njerëzit dhe kanë shfaqur interesim për sigurimin e një bilete. Po ashtu për shfaqje. Sigurisht se ky ka qenë një imput shumë i mirë për ne për shumë arsye, edhe për arsyen kryesore që shfaqjen ‘Arthyesi’ dhe shfaqje të tjera t’i kemi më të shpeshta”, ka thënë ai.
Kajtazi thotë se ka interesim të audiencës, por edhe të të rinjve për t’u marrë me baletin. Por nënvizon një problem të madh – mungesën e balerinëve profesionistë.
“Interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm, e vetmja brengë, shqetësim dhe dëshpërim i yni kanë qenë që për balerinë profesionistë edhe pse i kemi kërkuar 7 balerinë, numri i të interesuarve ka qenë vetëm 4. D.m.th. për 7 pozita kanë aplikuar vetëm 4 balerinë profesionistë dhe kjo tregon se ne nuk kemi balerinë profesionistë dhe sigurisht edhe për të ardhmen e baletit në përgjithësi, mirëpo edhe për të ardhmen e institucionit të baletit kombëtar të Kosovës është shqetësuese”, ka thënë Kajtazi.
Sipas tij, kjo nuk do të duhej të ishte çështje.
“Mos të harrojmë që dega e baletit në kuadër të shkollës së muzikës ‘Prenk Jakova’ në Prishtinë është hapur para më tepër se 22 vjetësh dhe në këtë moment të mos kemi balerinë të rinj, d.m.th. diçka nuk është duke shkuar”, ka shtuar ai.
Mes institucioneve kulturore me shumë telashe dhe luksit në qendrat tregtare anketat e pulsit publik tregojnë se qytetarët në shumicë po e zgjidhin të parën.