Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se V.G., i cili kishte goditur për vdekje Ferhat Bejtullahun në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë më 2 dhjetor të vitit të kaluar, kishte edhe dy raste tjera gjyqësore që kishin të bënin me shkelje të rregullave të komunikacionit.
Në përgjigjen e Gjykatës për KOHËN është thënë se V.G. ishte gjobitur me 200 euro për "rrezikim të trafikut publik" më 26 maj të vitit 2017 e po ashtu u dënua për “ngasje të veturës në gjendje të dehur ose të paaftë” me 3 muaj burgim me kusht dhe gjobë 160 euro në dhjetor të vitit 2021.
“Sipas Sistemit Menaxhues Informativ të Lëndëve SMIL figuron se V.G ka pasur dy raste gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal. P.nr.2785/2016 nga neni 378 KPRK- së, i cili është gjykuar me dënim me gjobë, në vlerë prej 200 euro – Vendimi është i plotfuqishëm me datë 26.05.2017 dhe P.nr.151/2016 nga neni 379 KPRK-së, i cili është gjykuar me dënim prej 3 muaj burgim me kusht, nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda 1 viti dhe dënim me gjobë në vlerë prej 160 euro – Vendimi është i plotfuqishëm me datë 01.12.2021 - i shlyer nga evidenca penale pasi që ka kaluar afatin kohor të rehabilitimit ligjor të paraparë me dispozita të legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.