Arbëri

Shmangia e procedurave dyshohet se mundësoi zjarrvënien nga e cila vdiq një pacient në Psikiatri

Qendra Klinike Universitare e Kosovës konfirmoi se një pacient ka vdekur shkaku i një zjarri që ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në njërën nga dhomat në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike. Por, nuk është deklaruar nëse dikush nga stafi ka shmangur procedurat standarde gjatë pranimit të këtij pacienti. E burimet thanë se shmangiet e tilla mundësuan zjarrvënien, nga e cila vdiq pacienti dhe morën lëndime katër anëtarë të ekipi mjekësor.

Shmangia e procedurave standarde të kontrollit të detajuar të pacientëve që hospitalizohen në Klinikën e Psikiatrisë në ShSKUK-së, e veçanërisht atyre që dërgohen në izolim, dyshohet që ka çuar në vdekjen e një personi rreth të pesëdhjetave pak minuta pas hospitalizimit në këtë klinikë.

Burimet e KOHËS thanë se zjarri që ka shkaktuar vdekjen e këtij pacienti ka filluar në çarçaf, ka përfshirë shtratin e pastaj pjesën tjetër të dhomës. Sipas tyre, djegia e këtillë nuk do të ndodhte pa zjarrvënie të qëllimshme.

Në SHSKUK nuk dhanë shumë detaje për rastin dhe thanë se pacienti ia vuri flakën dhomës ku ndodhej.

“Në të njëjtin Repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient ia ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngufatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, me gjithë përpjekjet maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Nga zjarri pësuan edhe anëtarë të ekipi kujdestar, në mesin e të cilëve katër mjekë e infermierë dhe një pacient i shtrirë në këtë klinikë.

Zjarri nisi rreth orës 23:00 në një dhomë të tipit të mbyllur, ku qëndrojnë përkohësisht pacientët që bëhen agresivë dhe humbin vetëdijen.

Përveç një komunikate të përgjithshme që SHSKUK lëshoi të enjten në mëngjes për vdekjen e 50-vjeçarit, askush nga ky institucion nuk pranoi të deklarohej. Nga ky institucion nuk kanë treguar as si është e mundur që një pacienti që hospitalizohet në këtë klinikë i është lejuar një mjet që shkakton zjarrin.

Burime të KOHËS thanë që në deklaratat e para të stafit që kanë qenë aty në mbrëmjen e së mërkurës kur është pranuar pacienti, është thënë se ai është kontrolluar nga ta në prani të familjarëve e policëve, porse nuk i është gjetur asnjë mjet për zjarrvënie.

Për këtë rast Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet penale. E Bordi i SHSKUK-së ka kërkuar që ndaj përgjegjësve drejtori i këtij institucioni, Elvir Azizi, të marrë masa administrative.

Qendra për Informim dhe Përmirësim Social ka reaguar pas rastit, duke kritikuar në tërësi politikat për trajtimin e pacientëve që kërkojnë trajtim në Psikiatri.

“Ne rikujtojmë SHSKUK-në se duhet të shmangin metoda regresive të trajtimit të pacientëve, duke përfshirë këtu shtrëngimin e trajtimit të pavullnetshëm, ashtu siç rekomandohet edhe nga OBSH-ja. Masa të tilla lejojnë dhe legjitimojnë vdekjet e pacientëve nga moskujdesi përkundër idesë se i ‘ruajnë nga vetvetja’”, thuhet në reagim.

Ministria e Shëndetësisë në vazhdimësi është kritikuar për politikat e trajtimit të këtyre pacientëve dhe mungesën e investimeve bazike në Klinikën e Psikiatrisë.