Shkup, 15 dhjetor – Ndotja e ajrit vazhdon të jetë problem për shumë qytete të Ballkanit, sidomos për qendrat e mëdha urbane. Kryeqytetet e vendeve të rajonit këto ditë janë në fokus të publikut për shkak të problemit tashmë disa-vjeçar të ndotjes së ajrit dhe mjegullës së dendur, gjë e cila pengon funksionimin normal të jetesës së qytetarëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Në krahasim me kryeqytetet tjera, Shkupi duket se është kryeqyteti më i ndotur. Stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit të këtij vendi tregojnë një ndotje të madhe në zonën e Shkupit. Në mesnatën e kaluar, në qendrën e kryeqytetit maqedonas niveli i grimcave PM 10 nuk ra nën 200 mikrogramë.
Vlerësimet maksimale gjatë natës arritën deri në 470 mikrogramë për metër kub. Matjet e fundit të mëngjesit të sotëm treguan 277 mikrogramë të grimcave PM10 në metër kub.
Ajri tejet i ndotur në këtë qytet pengon edhe dukshmërinë dhe qytetarët me maska mbrojtëse dhe në mënyra tjera përpiqen të mbrojnë veten nga ajri i ndotur. Një pjesë e mirë e tyre, pavarësisht nga moti i ftohtë si mjet transporti përdorin biçikletat e tyre për të ndihmuar në reduktimin e ndotjes.
Mjegulla e dendur në luginën e Shkupit poashtu pengon trafikun ajror nga aeroporti “Aleksandri i Madh”. Që në mëngjes, por edhe gjatë natës së kaluar, janë anuluar ose ridrejtuar uljet apo ngritjet e parashikuara nga aeroporti i Shkupit.
Lidhja auto-moto e Maqedonisë (AMCM) njofton se ka një zvogëlim të dukshmërisë prej 50 deri 100 metra për shkak të mjegullës në disa rrugë që lidhin kryeqytetin me vendet tjera, të tilla si ajo Shkup – Katllanovë, Shkup – vendkalimi kufitar Bllacë, si dhe në unazën rreth Shkupit.