Arbëri

SHKSHMK: Shqipëria nuk ofroi helikopter për ta nxjerrë trupin e alpinistit

Autoritetet e Shqipërisë nuk kanë vënë në dispozicion një helikopter në operacionin për ta nxjerrë trupin e një alpinisti nga Kosova që vdiq pasi u rrëzua në një terren të thepisur shkëmbor në Valbonë. Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës bëri të ditur se, për pasojë, ndodhi evakuimi i viktimës, e që u bë i mundur pas sigurimit të helikopterit nga një kompani private.

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (SHKSHMK), ka bërë të ditur se autoritetet e Shqipërisë nuk ua kanë ofruar një helikopter në aksionin për ta nxjerrë trupin e alpinistit kosovar që humbi jetën, pasi u rrëzuan në një terren të thepisur shkëmbor dy ditë më parë, në vendin e quajtur “Maja e Thatë”, në Valbonë të Shqipërisë.

Në komunikatën e këtij shërbimi thuhet se, si zgjidhje helikopteri u kërkua në një kompani private, e me të cilin është arritur të nxirret trupi i viktimës.

“Edhe pas shumë thirrjeve dhe komunikimeve maratonike nuk është siguruar asnjë helikopter shtetëror që do të transportonte pajisje shtesë dhe shpëtues për realizimin e operacionit. Nga komunikimet zyrtare vazhdimisht kishte justifikime të natyrave të ndryshme. E gjithë vonesa e evakuimit të viktimës ishte shkaku i premtimeve boshe, jo sikur është raportuar mosqasja te viktima. Shpëtuesit kanë arritur te viktima në kohë rekorde”, thuhet në reagimin e SHKSHPK-së.

KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë, ku ka kërkuar informacione lidhur me rastin. Por gjatë së dielës nuk ka marrë përgjigje.

E, SHKSHPK-ja ka njoftuar se trupi i pajetë u nxor pas 26 orëve, prej kur u mor vesh për aksidentin.

Në njoftimin e Policisë së Shqipërisë thuhet se për shkak të terrenit të thepisur malor, shtetasi kosovar ka rënë nga lartësia.

E tre persona të tjerë me ndihmën e autoriteteve të Kosovës dhe Shqipërisë janë evakuuar nga faqja shkëmbore.