Arbëri

Shkon në dy numri i të arrestuarve për rastin e ikjes së Faton Hajrizit nga burgu

Dy persona janë arrestuar nga Policia nën dyshimin se kanë ndihmuar Faton Hajrizin pas arratisjes së tij nga Burgu i Smrekonicës së Vushtrrisë dy javë më parë.

Sipas Policisë, njëri nga të dyshuarit është arrestuar të shtunën mbrëma, ndërsa personi i dytë të dielën në mesditë.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka zhvilluar hetime në lidhje me arratisjen e ndodhur ditë më parë në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë. Në vazhdën e veprimeve hetimore, sot, më datë 20.07.2024, është ftuar për intervistim një person mashkull kosovar, për të cilin dyshohet se e ka ndihmuar të dyshuarin pas arratisjes nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë. Për të gjitha veprimet hetimore është konsultuar prokurori kompetent, me vendim të të cilit personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës thanë se do të shtrojnë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit.

Faton Hajrizi iku nga Burgu i Smrekonicës më 6 korrik, dhe kjo ishte arratisja e nëntë e tij nga institucionet korrektuese.

Autoritetet në Serbi thanë të premten se e vranë atë, një ditë pasi, sipas tyre, e qëlloi për vdekje një polic dhe një tjetër e plagosi në Loznicë, teksa po përpiqej ta kalonte kufirin për të ikur në Bosnjë-Hercegovinë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, paraprakisht e akuzoi Kosovën se organizoi aktin e vrasjes së policit serb, dhe Hajrizit iu referua si “terrorist shqiptar”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri thirrje për mospolitizim të rastit, e ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se “strukturat kriminale në Serbi të lidhura me pushtetin në Beograd” kanë gisht në disa prej arratisjeve nga burgjet e Kosovës.