Kryeqyteti

Shkollat që do të duhej të përfundonin sivjet ende s’kanë nisur të ndërtohen

Klasa të ngarkuara deri në 40 nxënës, me 62 klasa të vendosura në 21 paralele.

Është kjo shkolla e vetme në Prishtinë që funksion me tri ndërresa.

Një mbingarkesë e tillë për nxënësit e shkollës “Pavarësia”, në lagjen “Mati I”, po paraqet problem të madh, sidomos për ata më të vegjlit.

Mësuesja e kësaj shkolle, Hamide Sopi, ka treguar se sa i vështirë është funksionimi i shkollës me 3 ndërresa.

Sipas saj, në ndërresën e tretë nxënësit shkojnë të lodhur në shkollë.

Drejtori i kësaj shkolle, Isak Bregaj, ka thënë se megjithëse ka filluar ndërtimi i një aneksi shtesë, ai do të ofrojë zgjidhje optimale pasi trendi i rritjes së nxënësve po vazhdon.

Ndërtimi i shkollave të reja, sipas tij, është shumë e nevojshme.

Problemi me mbingarkesën e nxënësve në këtë shkollë do të zgjidhej me ndërtimin e shkollës së re në lagjen “Mati 1”.

Në nëntor të vitit 2022, nënkryetari Alban Zogaj pati deklaruar se punimet për ndërtimin e shkollës së re në këtë lagje fillon në pranverën e vitit 2023, ndërsa mësimi në të fillon në shtator të vitit 2024.

Kur kanë mbetur edhe 5 muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor, ende nuk është vendosur as gur themeli i kësaj shkolle.

Së bashku me të është dashur të ndërtoheshin edhe shkollat në Sofali e në lagjen “Prishtina e Re”.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Prishtinës, Fisnik Dërguti ka thënë se mbingarkesa e tillë po korrespondon me rezultatet e dobëta në testin PISA.

Në këto 3 shkolla, të cilat do të ndërtohen në bashkëpunim me Partneritetin Publiko- Privat (PPP) është paraparë të vijojnë mësimin 2500 nxënës.