Arbëri

Shkollat e Shtimes përballen me mungesë të pajisjeve të fotokopjeve

Shumica e shkollave fillore në komunën e Shtimes prej disa muajsh po vazhdojnë të përballen me mungesë të printerëve dhe fotokopjeve. Kjo çështje ka nxitur reagimet e kuvendarëve nga pozita e opozita të cilët gjatë ditëve të fundit kanë pranuar ankesa të shumta nga drejtorët e shkollave pas vizitave që i kanë bërë shkollave. Kjo telashe më së shumti po paraqitet në shkollat fillore pasi që tashmë ka nisur testimi i nxënësve, andaj pajisjet e fotokopjeve janë cilësuar mjaftë të nevojshme. Shkaku i kësaj, mësimdhënësit po obligohen të dalin në qytet për ta kryer këtë shërbim në mënyrë vullnetare për hir të nxënësve. Ndërkohë, rreth kësaj çështje është debatuar mjaftë gjatë edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në Shtime të martën.

Rrahman Jakupi, shef i grupit të kuvendarëve të PDK-së në Shtime, ka thënë se gjatë ditëve të fundit kanë vizituar disa nga objektet e shkollave fillore dhe kanë pranuar shqetësimet e drejtorëve se po përballen me mungesë të pajisjeve për printim dhe fotokopje të dokumenteve. “Me gjendje më të rëndë po përballen shkollat fillore në qytetin e Shtimes, pastaj në Reqak, në Muzeqinë, dhe në shumicën e shkollave tjetra. Pra, mungesa e printerëve dhe e fotokopjeve ndikon drejtpërdrejtë në procesin e mësimit sepse tash ka filluar edhe testimi i nxënësve, ndërkaq mësimdhënësit nuk i kanë kushtet për të bërë fotokopje të testeve. Qeverisja lokale e ka mundësinë që nëpërmjet nivelit qendror ta bën zgjidhjen në mënyrë që operatorët e kontraktuar për furnizim të pajisjeve nëpër shkolla ta kryejnë sa më shpejtë këtë punë”, ka thënë Jakupi.

Ndërkaq, Besnik Seferi, kuvendar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime, në mbledhjen e fundit të KK-së të martën, ka thënë se si qeverisje u kanë premtuar shkollave se nuk do të kenë telashe për pajisje elektronike për printer dhe fotokopje. “Po bëhet një vjet e më tepër që ende nëpër shkolla nuk kanë printer dhe ende nuk kanë letër gjë që shumë mësimdhënës të këtyre shkollave po detyrohen të dalin jashtë shkollave për ti kryer këto shërbime që nuk ju takon por ata po e kryejnë në mënyrë vullnetare. Prandaj dua të di se a është planifikuar diçka në lidhje me këtë çështje pasi që është shqetësim i tyre i kahershëm e premtim i yni se do ta bëjmë por prapë nuk është bërë”, ka thënë Seferi.

Në anën tjetër kryetari i komunës së Shtimes Qemajl Aliu, në mbledhjen e fundit të KK-së para kuvendarëve ka thënë se edhe për ekzekutivin është shqetësuese mungesa e këtyre shërbimeve nëpër shkolla derisa kjo çështje është ngritur edhe nga drejtorët e shkollave, mirëpo është arsyetuar se operatori ekonomik ka ngecur në kryerjen e detyrave të veta. “E dimë këtë gjendje, por është një tender qendror në Autoritetin Qendror të Prokurimit që i furnizojnë shkollat me printer dhe me materiale furnizuese, mirëpo operatorët janë të pa përgjegjshëm. Ne krejt çka mund të bëjmë është se sa herë që ka nevojë t’i thirrmi në telefon dhe t’i bëjmë presion që ta kryejnë detyrën e tyre, por edhe me ngritë shqetësimin ashtu siç e kemi bërë në institucione qendrore. Përndryshe papërgjegjësia e operatorëve po na ndëshkon të gjithëve si mësimdhënësit nxënësit e të tjerët, por po besoj se këto informacione i kanë edhe institucionet qendrore dhe shumë shpejtë do ta zgjidhin këtë çështje”, ka sqaruar Aliu.