Arbëri

Shkollat e Shqipërisë dhe Kosovës ia kushtojnë orën e parë Lidhjes së Prizrenit

Për herën e parë, më 10 qershor, në përvjetor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të gjitha shkollat në Shqipëri e Kosovë orën e parë të mësimit do t’ia kushtojnë përkujtimit dhe nderimit të ngjarjes së madhe historike të kombit shqiptar.

Në nder të 144-vjetorit të Lidhjes e Prizrenit, ministrat e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, Evis Kushi dhe Arbërie Nagavci, kanë vendosur me urdhër të posaçëm që ditën e nesërme të gjitha shkollat orën e parë të mësimit t’ia kushtojnë përkujtimit të kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme.

Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Evis Kushi, me ftesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në ceremoninë festive të organizuar në Prizren, ku pritet të mblidhen edhe të gjithë kryetarët e komunave shqipfolëse të rajonit. Në një status në rrjete sociale Kushi është shprehur se ky vendim i dy shteteve synon të përcjellë tek nxënësit vlerat e rralla dhe dashurinë për shqiptarinë.

Lajmin që ora e parë e mësimit të premten t’i kushtohet kësaj ngjarjeje, e ka kumtuar edhe ministrja e Arsimit e Kosovës, Arbërie Nagavci.

“Jam e lumtur që këtë vendim e kemi marrë bashkë me ministren e Arsimit të Shqipërisë, znj. Evis Kushi, për t’ua mundësuar nxënësve tanë në të dyja vendet, që të flasin njëkohësisht për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Kështu, ne po bartim së bashku te gjeneratat e reja veprën frymëzuese të intelektualëve dhe atdhetarëve të kohës dhe lavdinë e historisë shqiptare”, ka thënë ajo.

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se për shënimin e 144-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si dhe për nder të Ditës së Çlirimit do të organizojë një mori aktivitetesh kulturore.