Arbëri

Shkollat do të mbyllen nëse gjendja me pandeminë përkeqësohet

Mbyllja e shkollave për një kohë të caktuar është paralajmëruar, po që se gjendja me pandeminë përkeqësohet edhe më tutje.

Në raportimin para Komisionit për Shëndetësi, ministri Rifat Latifi ka thënë se është i vetëdijshëm për pasojat që do t’i prodhonte ky vendim, por që nuk ka zgjidhje tjetër.

“Po t’i mbyllim shkollat do të ishte problem shumë i madh. Na ua kemi lënë shkollave të vendosin a duan me shku online apo jo. Jam i vetëdijshëm se nëse i mbyllim shkollat, atëherë ekonomia do të goditet shumë rëndë dhe jemi marrë vesh për këtë masë. Nëse na përkeqësohet gjendja, absolutisht duhet me u mbyll shkollat në një kohë të caktuar”, ka deklaruar Latifi.

Megjithëkëtë, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë thënë se po bëjnë përpjekje maksimale për ta shmangur këtë mundësi.

Zëvendësministri Dukagjin Pupovci ka theksuar se gjendja nëpër shkolla është e menaxhueshme, me gjithë numrin e lartë të nxënësve dhe të mësimdhënësve të infektuar me koronavirus.

Ai ka bërë të ditur se janë shkollat në të cilat mësimi zhvillohet me nxënës të shumtë nëpër klasa, ato që kanë më së shumti të infektuar. Ka potencuar se në Komunën e Prishtinës, nga 41 shkolla, në mësim online kanë kaluar 29.

“Ne e mbajmë pozicionin që shkollat janë ato që duhet të mbyllen të fundit, përderisa e kemi një gjendje që është e menaxhushme. Përderisa e kemi një zhvillim të pandemisë të tillë që nuk rrezikohet në masë dhe jeta e njerëzve dhe shëndeti publik, atëherë shkollat duhet të përpiqemi t’i mbajmë të hapura. Pra 99 shkolla, siç e patë, vetëm se i kemi kaluar në online për shkak të faktit se nuk kanë mundur të mbeten të hapura, por do të bëjmë përpjekje maksimale që të mos i mbyllim të gjitha shkollat”, ka thënë Pupovci.

Edhe nga SBASHK-u kanë pohuar se gjendje më e rëndë mbizotëron në shkollat me klasa të mbingarkuara.

“Natyrisht, në shkollat ku numri i nxënësve është shumë i lartë dhe aty ku hapësirat e klasave janë më të ngushta, që nuk ka hapësirë të mjaftueshme dhe numri i nxënësve është shumë i lartë, atëherë mund të kalohet edhe në versionet e tjera të mësimit, në disa shkolla ka filluar të mbahet mësimi në dy grupe, do të thotë të bëhet përgjysmimi i nxënësve, dhe njëra pjesë e nxënësve të mbajnë mësim një ditë dhe pjesa tjetër ditën tjetër, dhe pjesa tjetër të lidhen online përmes shtëpisë”, u shpreh Vjollca Shala, nënkryetare e SBASHK-ut.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave ka kërkuar bashkëpunim më të mirë mes nivelit lokal dhe atij qendror. Ka thënë se nesër do të mbahet takim me drejtoritë komunale për të dalë me një qëndrim mbi sfidat e pandemisë.

“Duhet marrë parasysh që sfidat e nivelit lokal ndonjëherë nuk po janë të ditura për nivelin qendror, për këtë arsye edhe drejtorët komunalë të dikastereve të ndryshme po edhe kryetarët e komunave kanë kërkuar një partneritet më serioz me nivelin qendror. Pra, nesër e kemi takimin dhe shpresoj që qëndrimet që dalin nga ai takim do të mirëkuptohen nga niveli qendror”, pohoi Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Ndërkaq, një zyrtar nga Komuna e Gjakovës ka bërë të ditur për KOHËN se shkaku i përkeqësimit të gjendjes do të kërkohet mbyllja e shkollave për të paktën dy javë.

Vetëm gjatë ditës së sotme, nga shifra e përgjithshme e të infektuarve, 1 mijë e 69 raste janë raportuar mes moshave 10 deri 19-vjeçare.