Gjendja nga infeksionet me COVID-19 nëpër shkollat e Komunës së Gjakovës është alarmante, thonë autoritetet arsimore dhe shëndetësore nga kjo komunë. Zymber Berisha nga Drejtoria Komunale për Arsim ka njoftuar për KOHËN se sot shkolla "Yll Morina" ka kaluar në mësim online. Kjo për arsye se 23 nxënës të kësaj shkolle kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.
Përveç kësaj shkolle, në mësim online kanë shkuar edhe disa paralele të tri shkollave tjera në këtë qytet. Ndërkaq një paralele në fshatin Dujakë dhe nga dy paralele në shkollat e qytetit "Mazllum Këpuska" dhe "Zekeria Rexha" janë duke mbajtur mësim online për shkak të rasteve pozitive me COVID-19.
Berisha ka bërë me dije se arsimtarët e këtyre shkollave janë obliguar që mësimin online ta organizojnë dhe ta bëjnë nga klasat, përkatësisht objekti shkollor, e jo nga shtëpitë e tyre.
Pleurat Rudi, drejtor i shkollës "Zekerie Rexha" ka pohuar për KOHËN se të dy klasat që kanë kaluar me mësim online në shkollën që e udhëheqë janë të nivelit fillor, pasi në njërën ka rezultuar i infektuar një arsimtar e në tjetrën bashkëshorti i mësimdhënëses, gjë që e ka dërguar në izolim edhe mësimdhënësen.
Edhe drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Gjakovës, Adelina Shehu-Kola ka thënë se gjendja me infeksione nga COVID-19 nëpër shkollat e Gjakovës është shumë e keqe. Ajo ka bërë me dije për KOHËN se e ka inspektuar personalisht gjendjen e respektimit të masave anti-COVID nëpër shkolla dhe nuk ka qenë aq e kënaqur me atë që ka parë.
"Kam parë gjendje për çdo lakmi në disa shkolla, por kam parë edhe gjendje të tmerrshme të mosrespektimit të masave", ka bërë me dije ajo.
Shehu-Kola ka apeluar te prindërit që kategoritë e nxënësve që iu lejohet vaksinimi ta bëjnë këtë sa më parë, pasi ka thënë se numri i nxënësve të vaksinuar është i vogël.
Ajo ka thënë ndërkaq se përgjithësisht tek qytetarët e Gjakovës vërehet një trend i rritjes së interesimit për vaksinim sikurse edhe me testime anti-COVID.
Sipas saj ka rritje të interesimit për dozën e dytë të vaksinave si dhe dozën e tretë përforcuese, ndërkaq siç ka thënë ajo interesimi për dozën e parë mbetet i ulët.