Arbëri

Shkolla “Xheladin Deda” kërkon vendkalim për të verbër, komuna e Pejës nuk i përgjigjet

Është e vetmja shkollë në Kosovë për persona të verbër dhe me dëmtime në të parë. Por nxënësit e “Xheladin Dedës” sfidojnë jetën sa herë kalojnë rrugën në vendkalimin e vetëm për këmbësorë para kësaj shkolle.

Në këtë vendkalim u duhet të kalojnë jo vetëm kur vijnë në shkollë, por edhe sa herë që duan edhe të blejnë diçka, pasi vetëm në anën tjetër të rrugës ka furrë buke dhe dyqane ushqimore, raporton KOHA.

“Tutna normal se mos po më dëmton ndonjë kerr, se kerret kalojnë. E kur jam me shkop dhe jam me dikën nuk kam frikë”, ka thënë Blerina Buliqi, nxënëse e klasës së nëntë në shkollën “Xheladin Deda”.

Për këtë shqetësim, drejtuesit e shkollës kanë pasur një zgjidhje, të cilën ia kanë propozuar Komunës së Pejës. Disa herë ata kanë kërkuar ndërtimin e një pengese ngadalësuese dhe një semafor me zë akustik e me një sustë për ndalje.

“Është e domosdoshme për fëmijët me nevoja të veçanta, sidomos për fëmijët që i kemi në këtë shkollë, fëmijët e verbër. Faktikisht në kohën e fundit është rritur edhe intensiteti shumë i makinave. Dhe me një shpejtësi marramendëse që kalojnë pran kësaj shkolle”, ka thënë Agim Bajrami, mësimdhënës për orientim në hapësirë dhe lëvizshmëri.

Megjithatë, kërkesat e kësaj shkolle po del se nuk mund të plotësohen nga komuna, pasi rruga ku gjendet shkolla, nuk është rrugë lokale, dhe për intervenime eventuale, duhet leja nga Ministria e Infrastrukturës.

“Komplet ajo rrugë është M9. Është në menaxhimin e ministrisë. Pa marr parasysh vullnetit dhe gatishmërisë që e kemi për rregullimin e asaj pjese, gjithmonë duhet me kanë në koordinim me ministrinë”, ka thënë Xhevahire Çeku-Kelmendi, drejtoreshë e Shërbimeve Publike.

E kërkesa për këtë çështje, sipas Çeku-Kelemndit, kanë shkuar në drejtim të Ministrisë, por ende nuk është dhënë leja për rregullimin e vendkalimit, derisa në drejtim të Ministrisë edhe Koha ka drejtuar pyetje, por përgjigjet për këtë temë kanë munguar.