Shkolla Fillore e Gjelbër në lagjen “Kolovica” në Prishtinë, është shkolla më unike në vend dhe rajon. Këtë shkollë e dallon sistemi gjeo-termal i ngrohjes, i cili mundëson të ketë ambient ekologjik pasi që nuk krijon as gazra e as tym.
Ky sistem mundëson që gjatë sezonit të dimrit të ketë një ambient të ngrohtë në shkollën kurse gjatë stinës së verës ambient të freskët. Ndërsa, gjatë muajve janar-shkurt, kur moti është më i ftohtë dhe nuk ka rreze dielli të mjaftueshme, kolektorët e sistemit nuk hynë në funksion.
Me këtë rast duhet të shfrytëzohet energjia elektrike që të ngrohen ambientet e shkollës.
Drejtoresha e kësaj shkolle thotë se janë me fat që posedojnë një sistem të tillë të ngrohjes.
Por, sipas Latifit-Retkocerit, ky sistem ka nevojë të vazhdueshme për mirëmbajtje dhe, siç thotë ajo, kjo e ka koston e saj.
Ajo thotë se ngrohja gjeo-termale është një ndër arsyet që prindërit dëshirojnë që fëmijët e tyre të mësojnë në “Shkollën e Gjelbër”.
Ledion Hasani, nxënës i klasës së shtatë, thotë se është i kënaqur që është pjesë e shkollës që ka ngrohje gjeo-termale.
Ndërsa prindërit thonë se një sistem të tillë të ngrohjes duhet ta kenë të gjitha shkollat në vend.
Shkolla e Gjelbër është ndërtuar në vitin 2010, kurse në vitin 2011 ka filluar me mësim. Ndërtimi i saj është mundësuar nga një projekt i USAID-it, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.