Opsioni që implikon ndryshim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nuk është duke u mbështetur nga komuniteti serb në Kosovë. Sipas një analize të trendit, që është publikuar nga organizata joqeveritare “Aktiv”, serbët janë pesimistë edhe sa i përket themelimit të Asociacionit. Derisa për Bashkimin Evropian perceptimi i serbëve është se i mban anë Kosovës në dialog, përqindje e madhe e tyre vazhdon ta shohë Rusinë si mbrojtësen më të mirë të interesave të komunitetit serb në Kosovë
Prishtinë, 16 dhjetor - Ideja e shkëmbimit të territoreve në masë të madhe e ka humbur mbështetjen edhe tek komuniteti serb në Kosovë, sipas një analize të trendit që është publikuar nga organizata joqeveritare “Aktiv”. Me përjashtim të komunave veriore, që kanë shtrirje gjeografike me Serbinë, ato në jug nuk shohin ndonjë dobi nga opsionet e tilla.
Numri i të anketuarve që e mbështesin ose janë të hapur për këtë ide ka rënë nga 25 për qind, sa ishte vitin e kaluar në 17 për qind në këtë vit. Në komunitetin serb, pesë në gjashtë të anketuar nuk e pranojnë këtë ide. Numri i atyre që mbështesin këtë ide është më i madh në veri të Kosovës me 21 për qind krahasuar me të anketuarit që jetojnë në jug të lumit Ibër, me 12 për qind. Ndër faktorët që kanë ndikuar në këtë trend përmendet refuzimi i Gjermanisë dhe Francës.
“Megjithatë, dialogu i Brukselit është po ashtu një proces i cili, së paku tani për tani, nuk ofron një ide të qartë se për cilën zgjidhje po punohet, e as nuk ka ndonjë spekulim në lidhje me këtë, kështu që edhe rezultati përfundimtar është i paqartë. Me një pasiguri të tillë krijohet përshtypja se ideja e demarkacionit ‘pret në gatishmëri nga anash’ dështimin e dialogut për t'u rikthyer ‘triumfalisht’ në skenë. Ky vlerësim na shtyu që edhe këtë vit të vazhdojmë matjen e mbështetjes së kësaj ideje në mesin e komunitetit serb në Kosovë”, thuhet në hulumtim.
Më shumë se gjysma e të anketuarve nuk kanë ndonjë qëndrim mbi çështjen e negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës. Krahasuar me vitin e kaluar vërehet një përqindje më e ulët e të pavendosurve (nga 58 për qind në 50 për qind), të cilën pjesëmarrësit e fokus-grupeve e shpjeguan me paralajmërimet e shpeshta të rivitalizimit të procesit, si dhe takimet paraprake në formatin e Brukselit të mbajtura pak para hulumtimit.
“Vërehet një rritje e lehtë në përqindjen e të anketuarve që me miratim shohin dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit nën kujdesin e Bashkimit Evropian (nga 16 në 20 për qind këtë vit), ndërsa është rritur edhe numri i atyre që nuk e mbështesin këtë format të dialogut. Arsyeja për qëndrime të tilla mund të shpjegohet nga rezultatet e pyetjes vijuese”, shkruan në raport.
Serbët pesimistë për Asociacionin
Asociacioni i komunave me shumicë serbe vazhdon të perceptohet si mekanizëm me rëndësi të jashtëzakonshme për autonominë e serbëve në Kosovë. Por 58 për qind e të anketuarve konsiderojnë se Asociacioni nuk do të formohet. Kjo çështje u tentua të ngrihej në dialogun e rinisur në Bruksel nga pala serbe, por që Kosova refuzoi.
Veç zotimit të kryeministrit Hoti se Asociacioni do të themelohet sipas marrëveshjeve të mëhershme dhe aktgjykimit të Kushtetueses, deri më tani kanë munguar veprimet konkrete.
Serbët nuk e shohin as të ardhmen e tyre në Kosovë. Pothuajse gjysma e të anketuarve thonë se do të largoheshin nga Kosova në pesë vjetët e ardhshëm po t’u ofrohej mundësia. Si shkaqe për këtë përmenden mungesa e sigurisë dhe perspektivës ekonomike.
Derisa për Bashkimin Evropian perceptimi i serbëve është se i mban anë Kosovës në dialog, përqindja e madhe e konsideron Rusinë si mbrojtësen më të mirë të interesave të komunitetit serb në Kosovë. Vetëm 1.7% e të anketuarve mendojnë se janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Sipas shumicës së pjesëmarrësve, për serbët në Kosovë dhe Serbi, Rusia kryesisht ofron ‘mbështetje morale, por edhe në Kombet e Bashkuara, që është edhe më e rëndësishme’, prandaj konsiderohet si partner kryesor në mbrojtjen e interesave të komunitetit serb në Kosovë. Të anketuarit e shpjegojnë këtë qëndrim të zyrtarëve të Federatës Ruse me marrëdhëniet tradicionalisht të afërta mes dy popujve, por edhe me interesat strategjikë të Rusisë, e cila mundohet ta parandaloj që Ballkani të lihet nën ndikimin e paktit të NATO-s dhe SHBA-së”, thuhet në analizë.
Bindshëm numri më i madh i të anketuarve, pothuajse 75 për qind, pohojnë se ndërprerja e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, që ndodhi në vitin 2018, nuk kishte ndonjë ndikim në jetën e komunitetit serb në Kosovë.
Thellohet distanca etnike
Edhe distanca etnike ka vazhduar të thellohet, ku 63 për qind e respodentëve kanë thënë se asnjëherë ose shumë rrallë shkojnë në mjediset shqiptare.
Sipas mendimit të të anketuarve nga veriu i Kosovës dhe atyre nga mjediset me shumicë serbe në jug të Ibrit, situata e sigurisë në Kosovë është shumë e keqe ose e keqe. Pavarësisht mbizotërimit të perceptimit negativ lidhur me mjedisin e sigurt, këtë vit vërehet një rënie e konsiderueshme në përqindjen e të anketuarve të cilët vlerësuan situatën e sigurisë si shumë të keqe - 10 për qind më pak në veri të Kosovës dhe në mjediset me shumicë serbe në jug të Ibrit.
Drejtori ekzekutiv i “Aktivit”, Miodrag Miliceviq, i ka quajtur alarmante këta trendë teksa ka fajësuar edhe politikanët se nuk po ndërmarrin asgjë në adresimin e tyre.
“Qenësore në këtë raport është mungesa e vullnetit politik të institucioneve për adresimin e shqetësimeve. Me vite të tëra jemi duke treguar se ekzistojnë këto probleme dhe ato vetëm sa janë shumëfishuar. Duhet kërkuar zgjidhje përmes dialogut politik në mënyrë që t’u jepet epilog këtyre problemeve. Personalisht do të rekomandoja që dialogu të zhvendoset nga Brukseli në Prishtinë dhe Beograd, në mënyrë që të kemi negociata më dinamike”, ka thënë Miliceviq.
Trendi i viteve të mëparshme sa i përket rritjes së numrit të banorëve nga komuniteti serb në Kosovë, që marrin dokumente personale të lëshuara nga autoritetet në Prishtinë, u konfirmua edhe në hulumtimin e këtij viti. Derisa para tre vjetësh gati 40 për qind e serbëve, kryesisht nga veriu i Kosovës, kishin deklaruar se nuk posedojnë dokumente të lëshuara nga institucionet e Prishtinës, tani ky numër ka rënë në 10.7 për qind.
Kur vjen puna tek besimi në punën e institucioneve shtetërore, rezultatet janë të ngjashme me ato të vitit 2019. Komuniteti serb vlerëson në mënyrë më të favorshme punën e atyre institucioneve që janë të themeluara në sistemin kushtetues-ligjor të Serbisë, të cilat merren me çështjet e serbëve të Kosovës, respektivisht “Zyrën për Kosovë dhe Metohi”, por edhe organet e përkohshme të vetëqeverisjes lokale. Njëkohësisht, këto janë institucionet e vetme që u vlerësuan me notën mbi 2.5. Nga ana tjetër, kur bëhet fjalë për institucionet e Kosovës, përfshirë edhe punën e deputetëve serbë në Kuvend dhe ministrave serbë në Qeverinë e Kosovës, të anketuarit tregojnë rënie të kënaqshmërisë me punën e tyre.
Komuniteti serb po ashtu në masë të madhe është shfaqur i painformuar edhe me udhëzimet e Qeverisë së Kosovës për menaxhimin e pandemisë COVID 19.