Arbëri

Shkelen afatet e kontratës për ndërtimin e aneksit të shkollës “Pavarësia”

Ndërtimi i aneksit të shkollës “Pavarësia” në kryeqytet ende nuk ka përfunduar ndonëse afati i përcaktuar për të ka kaluar shumë kohë më parë. Në shkollë thonë se punimet për këtë aneks nuk janë zhvilluar për disa ditë e nga kompania kontraktuese thonë se janë duke pritur përfundimin e vitit shkollor

Brenda 250 ditëve ishin paraparë të përfundonin punimet për ndërtimin e aneksit të shkollës “Pavarësia” në Prishtinë. 

Por, kur janë bërë afër një vit qëkur është nënshkruar kontrata mes Komunës së Prishtinës dhe kompanisë “Rexha”, ende nuk është përfunduar as ndërtimi i vrazhdë. 

Sipas zëvendësdrejtorit të shkollës, Halil Brahaj, punimet janë zvarritur nga operatori ekonomik. 

“Nuk i dimë arsyet pse nuk ka përfunduar në prill, por e dimë që disa ditë edhe nuk është punuar këtu, tani në 10-ditëshin e fundit janë intensifikuar punimet në aneksin e shkollës sonë... Ne jemi në vitin e dytë, kur edhe jemi në përfundim të vitit shkollor, që punojmë me tri ndërresa, dhe kjo ka shkaktuar vështirësi të shumta në mësimdhënie e mësimnxënie”, ka thënë Brahaj të enjten.

Për vonesat në finalizimin e punimeve, nga kompania “Rexha” kanë thënë se e kanë bërë për të mos penguar procesin mësimor.

Për këtë thonë se e kanë njoftuar Komunën për zgjatje të periudhës së ekzekutimit të punimeve. 

“Problemi qëndron pasi korridori i aneksit duhet të lidhet me objektin amë. Për ta bërë këtë duhet të thyejmë muret e një pjese të objektit amë. Për të mos e penguar procesin mësimor, po presim derisa të përfundojë viti shkollor dhe të fillojmë thyerjen e mureve. Komuna tani ka përfunduar edhe matjet statike për këtë intervenim dhe të gjitha punimet do të përfundojnë më së largu më datën 15 gusht”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Rexha”.

Sipas kontratës, operatori ekonomik ka të drejtë të kërkojë zgjatje të periudhës së ekzekutimit, nëse autoriteti kontraktues dështon t’i plotësojë obligimet e veta dhe në raste të paparashikueshme, si goditja nga ndonjë tërmet. 

KOHA ka dërguar pyetje në Komunë për këtë çështje, por përgjigje nuk ka marrë. 

Për vonesat në ndërtimin e aneksit, sipas prindërve, janë duke e pësuar më së shumti fëmijët.  

“Kushtet janë të mira dhe mësimdhënësit janë shumë të mirë, por diçka çka është negative është që ka mbingarkesë dhe orari është i shkurtër, sidomos për klasat e para që fillojnë në 11:20 e përfundojnë në 2:20, e ky është orar i shkurtër, por nëse ish ndërtua aneksi kish qenë shumë pozitive për shkak të hapësirës, për shkak të nxënësve”, ka thënë Egzona Sekiraqa, prind.

Për shkak të mbingarkesës, procesi mësimor në këtë shkollë fillon në orën 7:30 dhe përfundon në orën 19:00.