Arbëri

Shkarkohet sekretari i Presidencës, shkaku i skandalit me kasafortën

Skandali me kasafortën e Presidencës e ka lënë pa punë sekretarin e këtij institucioni, Driton Gashi. Presidenca ka konfirmuar se një komision i formuar nga Vjosa Osmani, ka vendosur për përjashtimin e tij nga shërbimi civil. Paralelisht me këtë proces, kundër Gashit janë duke u zhvilluar edhe hetime për përgjegjësi penale

Tentimi për ta hapur pa autorizim kasafortën me dokumente sekrete që ndodhet në Presidencë, sekretarit të përgjithshëm të këtij institucioni, Driton Gashi, i ka kushtuar me humbje të vendit të punës. Fillimisht, atë e kishte pezulluar nga funksioni presidentja në detyrë, Vjosa Osmani.

Faton Peci, shef i stafit të presidentes në detyrë, ka konfirmuar se një komision i formuar nga Osmani ka vendosur tashmë për përjashtimin e Gashit.

“Komisioni i themeluar me vendim Ad hoc për nivelin e lartë drejtues, me vendim të u.d. së presidentes, Osmani, më 20 janar 2021, në rastin disiplinor ndaj z. Driton Gashi, sekretar në Zyrën e Presidencës, ka përmbyllur shqyrtimin e këtij rasti dhe ka vendosur unanimisht shqiptimin e masës disiplinore: largim nga shërbimi civil dhe e ka obliguar Zyrën e Presidentes për zbatimin e këtij vendimi”, ka thënë Peci.

Njeriu më i afërt i presidentes në detyrë pati thënë se në ditën e dytë pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga pozita e kreut të shtetit, e zuri në flagrancë Gashin dhe një person tjetër që ia kishin prezantuar si agjent të AKI-së, tek përpiqeshin ta hapnin kasafortën me dokumente të klasifikuara.

Pas skandalit, përgjegjësia u adresua tek dy njerëz që ishin në krye të AKI-së. Shefi i saj, Kreshnik Gashi, u lirua nga detyra dhe i riu ende nuk është emëruar. Ndërkaq, tani është përjashtuar sekretari Driton Gashi, i cili para se të shkonte në Presidencë, po kështu ishte shef i AKI-së.

Gashi ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të KOHËS për këtë proces disiplinor.

Kundër tij janë duke u zhvilluar edhe hetime për përgjegjësi penale.

Burime në Prokurorinë Speciale e kanë konfirmuar këtë dhe kanë thënë të jetë riaktivizuar rasti, pavarësisht konfirmimit të mëhershëm për pushim hetimesh.

“Këtë rast jemi duke e hetuar. Nga Policia i kemi kërkuar disa hetime shtesë. Nuk na kanë ardhur ende”, ka thënë ky burim. “Kemi kërkuar goxha shumë gjëra dhe ta shohim në fund të procesit se çfarë do të dalë”.

Por, në Polici nuk kanë ofruar të dhëna për hetimet. Zëdhënësi Baki Kelani e ka arsyetuar këtë, duke thënë se nuk mund të ofrohen informacione për rastet, sikur ky, kur kalojnë në Prokurori.

Kundër Driton Gashit dhe dy të tjerëve, muajin e shkuar është ngritur edhe një aktakuzë, në lidhje me rastin e deportimit në 2018-n të gjashtë shtetasve turq, pa përfillur procedurat. Të gjashtit u dënuan më pastaj në Turqi, me 56 vjet e 7 muaj burgim në total.

Gashi e drejtonte AKI-në në kohën kur të gjashtë turqit ishin deportuar, ani se kishin leje qëndrimi në Kosovë. Një komision hetimor i Kuvendit identifikoi 31 shkelje ligjore gjatë këtij aksioni të ndërmarrë në fshehtësi.