Arbëri

Me votat e asamblistëve opozitarë shkarkohet kryesuesi i Kuvendit Komunal në Shtime

Kuvendi Komunal në Shtime ka mbetur pa kryesues. Me vota të asamblistëve të PDK-së dhe dy të tjerëve është shkarkuar nga kjo pozitë asamblisti i Vetëvendosjes, Adnan Ademi. Në mbledhje nuk morën pjesë anëtarët e Kuvendit Komunal nga radhët e Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Me kërkesë të Partisë Demokratike në opozitë dhe me mbështetje të një asamblisti të pavarur dhe një të Lëvizjes për Bashkim, Kuvendi Komunal i Shtimes ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme për shkarkimin e kryesuesit Adnan Ademi.

Me 11 votat e asamblistëve, sa ishin gjithsej të pranishëm në këtë mbledhje, dhe pa prezencën e atyre të LDK-së dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, Ademi u shkarkua.

Asamblistët opozitarë arsyetuan vendimin, duke thënë se kryesuesi i deritashëm që i përket Vetëvendosjes, ka keqmenaxhuar me kuvendin, e edhe ka përdorur gjuhë të urrejtjes.

“Gjuha joparlamentare dhe ofendimi i anëtarëve të kuvendit në baza gjinore është shkelje e etikës parlamentare dhe respektit për të gjithë anëtarët. Janë evidentuar edhe praktikat e nepotizmit në përzgjedhjen e personelit në komunë duke shkelur parimet e meritokracisë dhe transparencës. Rastet e miratimit të vendimeve për ndërtimin e objekteve publike janë evidentuar në kundërshtim me ligjin”, tha Përparim Ramusa i PDK-së.

Për menaxhim të dobët të seancave dhe moskompletim të komiteteve me anëtarë të kuvendit ka shprehur pakënaqësi edhe asamblisti i vetëm i Lëvizjes për Bashkim, Rexhep Gashi.

“Është dashur kryesuesi të intervenon së bashku me kualizionet që i kanë pasur për ta zgjidhur problemin e komiteteve, por jo të vijmë në këtë gjendje siç jemi tani. Mendoj se secili asamblist, pavarësisht subjekteve politike, regjioneve dhe gjinive, duhet ta kenë parasysh se këtu jemi për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve konform ligjeve. Nuk mundem që përmes tekeve tona apo nepotizmit t’i zgjidhim punët”, tha Gashi.

Me gjithë insistimin e KOHES, as kryetari Qemajl Aliu e as kryesuesi i shkarkuar, Adnan Ademi, nuk janë deklaruar për vendimin e marrë në seancë.

E, pak ditë më parë, Ademi në një intervistë për KOHËN tha se opozita në çdo seancë ka treguar qasje tendencioze, me qëllim që të shkaktojë probleme dhe dëme për qytetarët, duke i bllokuar proceset e punës dhe projektet e qytetarëve, dhe se ende nuk është pajtuar me humbjen në zgjedhjet e fundit.