Me arsyen se ka neglizhuar përcjelljen e informatave me rëndësi të veçantë për proceset diplomatike, ministrja Donika Gërvalla ka tërhequr nga misioni në Londër Arrita Gjakovën, e cila ka shërbyer si ministre këshilltare. Derisa Gjakova ka refuzuar të komentojë për vendimin, MPJ-ja nuk ka treguar nëse vendimit i ka paraprirë rekomandimi i Komisionit përkatës, ashtu siç e kërkon ligji
Ministrja e Punëve të Jashtme e ka shkarkuar autoritetin e dytë të Ambasadës së Kosovës në Londër. Arrita Gjakovës, e cila ka shërbyer si ministre këshilltare dhe nuk ka rrumbullakuar një mandat të plotë, i ka shkuar vendimi më datën 8 prill, duke mos i lënë asnjë muaj të plotë për t’i paketuar valixhet.
Mbështetur në vendimin që ka siguruar KOHA, Gjakovës i atribuohet shkelja e dispozitave të ligjit për shërbimin e jashtëm, që kanë të bëjnë me informacionet shtetërore.
“Rrjedhimisht, për shkak të shkeljes së këtyre dispozitave, respektivisht neglizhencës së diplomates duke mos bërë njoftimin me kohë dhe përcjelljen e informatave me rëndësi të veçantë për proceset diplomatike me shtetin në të cilin ka shërbyer, si dhe të përgjigjeve në kërkesat e ministres përmes kanaleve diplomatike, bëhet tërheqja e parakohshme e diplomates në përputhje me nenet 22 dhe 23 të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm”, shkruan në vendim.
Neni 23, të cilit i referohet ministrja, mes tjerash, përcakton se tërheqja e përfaqësuesve të tjerë diplomatikë nga Ministria duke mos përfshirë shefin e misionit bëhet në rastet kur ka shkelje të dispozitave ligjore ose të akteve të tjera ligjore.
“Presidenti i Republikës së Kosovës urdhëron tërheqjen e një ambasadori apo shefi të misionit nga misioni diplomatik përpara mbarimit të afatit të caktuar, për arsyet e mëposhtme: 1.1. për nevoja pune në Ministrinë e Punëve të Jashtme; 1.2. në bazë të kërkesës së vetë përfaqësuesit diplomatik; 1.3. për arsye të vlerësimit negativ të punës së përfaqësuesit diplomatik; 1.4. për shkelje të dispozitave të këtij ligji ose të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi; 1.5. kur një gjë e tillë kërkohet nga shteti pranues”, thotë neni i këtij ligji.
“Tërheqja e të gjithë përfaqësuesve të tjerë diplomatikë, duke mos e përfshirë shefin e misionit, për të njëjtat arsye të përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni, bëhet me urdhrin e ministrit të Punëve të Jashtme”.
Por i njëjti ligj specifikon se Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës ka për detyrë shqyrtimin e rasteve të shkeljeve të rënda të kryera nga nëpunësit e shërbimit të jashtëm dhe t’i propozojë ministrit të Punëve të Jashtme masat që duhet ndërmarrë.
1. Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës ka për detyrë: 1.1. dhënien e gradave diplomatike dhe konsullore për nëpunësit e shërbimit të jashtëm në përputhje me këtë ligj dhe Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm; 1.2. shqyrtimin e ankesave të nëpunësve të shërbimit të jashtëm ndaj të cilëve është marrë masë disiplinore nga eprori i tyre i drejtpërdrejtë; 1.3. shqyrtimin e rasteve të shkeljeve të rënda të kryera nga nëpunësit e shërbimit të jashtëm dhe propozimin te ministri i Punëve të Jashtme i masave disiplinore për nëpunësit që kanë kryer këto shkelje”, shkruan në nenin 30 të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm.
Në MPJ nuk kanë treguar nëse vendimit i ka paraprirë rekomandimi i Komisionit përkatës, as arsyet që çuan në shkarkimin e Gjakovës. Ajo është pjesë e misionit në Londër për më shumë se tre vjet, ku dy vjet ka qenë e ngarkuar me punë për shkak të mungesës së ambasadorit.

kontaktuar nga KOHA, Gjakova nuk ka pranuar të komentojë teksa ka sugjeruar t’i drejtohemi burimit të vendimit.
“Me konsideratën time më të lartë për Ju dhe institucionin KOHA, për çfarëdo informate, respekt. Pyetjet e përcjella nga ju, luteni që t'i drejtoheni burimit të vendimit”, ka thënë ajo.
Largimi i Gjakovës vjen pak javë pasi ministrja Gërvalla e tërhoqi në mënyrë urgjente nga i njëjti mision sekretarin e parë, Viskont Jakupi, me arsyen se ka bërë shkelje të patolerueshme. Ministrja e Punëve të Jashtme nuk ishte tërhequr nga vendimi për largimin e tij, pavarësisht shkeljeve që konstatoi Këshilli për mënyrën si ishte tërhequr Viskont Jakupi. Atij i ishin lënë në dispozicion vetëm 24 orë për t’u kthyer në Prishtinë.
Sipas vendimit të ministres, diplomati Jakupi ka bërë shkelje të Ligjit për shërbimin e jashtëm “pas deklarimit të një të pavërtete të patolerueshme”, gjatë një komunikimi të brendshëm me zyrtarët e MPJ-së, kur po diskutohej çështja e shpenzimit të qirasë. Por nuk specifikohet cila ka qenë ajo e pavërtetë.
KOHA ka shkruar se e pavërtetë është konsideruar pasaktësia në përllogaritjen e kilometrave prej banesës në zyrat e Ambasadës. Jakupi nëpërmjet avokatit ka ushtruar sërish ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës me kërkesën që të shfuqizohet edhe vendimi i dytë i ministres Gërvalla.
Në komunikimet mes diplomatit Jakupi dhe zyrtarëve të MPJ-së ka qenë e përfshirë edhe diplomatja tashmë e shkarkuar, Gjakova.
Në letrën që Gjakova ia kishte dërguar ish-ushtrueses së detyrës së sekretares, Elmaze Pireva, ia rikujtonte se “deri tash në Londër çdo diplomat e ka tejkaluar limitin për shumën e qirasë”. Sipas saj, është e pamundur të jetohet në zonën e parë të Londrës, ashtu siç obligohen diplomatët nga limitet e përcaktuara prej MPJ-së.
Qeveritë e deritashme nuk janë rehatuar me diplomatët në vendin që Kosova e konsideron aleatin kryesor pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për tre vjet nuk ka pasur ambasador në vendin që është pjesë e QUINT-it.
Kandidatët e propozuar më herët kanë pasur probleme me dekretim nga shteti pritës.
Më 2019, ish- presidenti Hashim Thaçi kishte firmosur dekretin për emërimin e Frymëzim Isufajt, ambasador në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut.
“Koha Ditore” pati raportuar se nominimi i ambasadorit të ri ishte refuzuar në heshtje, por, jo për shkak të profilit të Isufajt. Është refuzuar nga fakti që kreu i shtetit e ka caktuar pas propozimit nga një Qeveri që ishte në dorëheqje. Atëkohë qeveria në dorëheqje udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, ndërkaq ministër i Jashtëm në dorëheqje ishte Behgjet Pacolli.
Aktualisht ambasador i Kosovës në Londër është Ilir Kapiti.