Besfort Krasniqi është shkarkuar nga pozita e Sekretarit të Përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës. Arsyeja e dhënë nga Këshilli Drejtues për këtë shkarkim është se Krasniqi ka tejkaluar kompetencat e tij, duke mos respektuar hierarkinë dhe, duke tejkaluar vlerën e buxhetit të planifikuar, ka shpallur disa tenderë
Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës e ka shkarkuar të enjten sekretarin e Përgjithshëm të këtij universiteti, Besfort Krasniqi.
Tetë nga anëtarët e Këshillit Drejtues sa ishin prezentë në mbledhjen e së enjtes, votuan pro shkarkimit të tij.
Arsyet e shkarkimit të tij që u përmendën nga Këshilli, janë: tejkalimi i kompetencave dhe mosrespektimi i hierarkisë.
Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Altin Sahiti, tha se Krasniqi ka anashkaluar kompetencat e organit kryesor qeverisës të universitetit, në tenderin për funksionalizimin e objektit të Fakultetit të Bujqësisë.
“Vetëm pak muaj më parë, ish-sekretarit të Përgjithshëm i ishte shqiptuar vërejtje për procedurën e tenderit në lidhje me rifunksionalizimin e objektit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë në vlerë prej afërsisht 1.7 milion euro, procedurë tenderimi kjo që ishte hapur duke anashkaluar kompetencat e Këshillit Drejtues, organ ky që nuk e kishte ndarë buxhetin për një investim të tillë”, ka thënë ai për KOHËN.
Krasniqi u akuzua nga Këshilli edhe për shpalljen e tenderëve pa një planifikim paraprak të buxhetit. Këtë e bazuan në një raport të dalë nga një auditim i brendshëm.
Sipas raportit, vlera e tenderëve për furnizim të fakulteteve me pajisje laboratorike dhe mjete konkretizimi ka tejkaluar shumën e buxhetit të planifikuar.
“Gjatë testimit të bërë nga dokumentacionet e ofruara, kemi identifikuar dhe gjetur se monitorimi dhe kontrolli lidhur me planifikimin e buxhetit, ndarjeve buxhetore dhe inicimin e procedurave, nuk ka qenë në nivelin e duhur, duke pasur parasysh që disa nga aktivitetet e zhvilluara nuk janë planifikuar nga mjetet e ndara për vitin 2024, sipas buxhetit të aprovuar nga Këshilli Drejtues me datë 28.02.2024”, është thënë në raportin e përpiluar më 18 shtator.
Në raport është theksuar se në korrik është dhënë një kontratë për blerjen e mjeteve konkretizuese dhe pajisjeve laboratorike për Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në vlerë mbi 629 mijë euro. E buxheti i ndarë për vitin 2024 për këtë fakultet kap vlerën prej 185 mijë euro.
“Nga mjetet e ndara për vitin 2024 ‘furnizimi me pajisje laboratorike’ dhe ‘mjete konkretizimi’ në procedurat e zhvilluara për kontratat kornizë në periudhën dyvjeçare (24 muaj), nuk arrijnë të mbulojnë as minimumin e vlerës së kontraktuar, dhe kjo do ta rëndojë dukshëm buxhetin e viteve 2025 dhe 2026 bazuar në kufijtë buxhetorë”, është thënë në raportin e auditorit.
KOHA ka provuar ta kontaktojë edhe Krasniqin, por ai nuk ka qenë i qasshëm gjatë ditës së enjte.
Krasniqi në vitin 2021 u emërua ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm në UP. E në vitin 2023, mori pozitën përmes konkursit.