Për shkak të masave anti-COVID, prej muajsh studentët nuk mund të hanë ushqim brenda hapësirave të Mensës Studentore. Ata ushqimin e marrin të ambalazhuar e shkojnë nëpër konvikte për të ngrënë. Në Parlamentin Studentor treguan se për këtë u ankuan në Ministrinë e Arsimit
Ka muaj që studentët duhet të marrin ushqimin në mensë e të shkojnë në dhomat e konviktit që të hanë. Kjo pasi si pjesë e masave anti-COVID, studentët nuk lejohen të hanë ushqim brenda hapësirave të Mensës Studentore.
Fahri Osmani është udhëheqës i Mensës dhe thotë se studentët duan që të ushqehen këtu.
“Kemi kohë pas kohe kërkesa të studentëve që me u leju të ushqehen në mensë, mirëpo ne jemi duke i zbatuar masat anti-COVID”, ka thënë Osmani.
Një kërkesë të këtillë e ka formalizuar Parlamenti Studentor.
“E kemi dërguar një kërkesë që të hapet mensa dhe studentët të ushqehen aty, e jo më me opsionin take away. Duke e marrë parasysh që gjendja me pandeminë është duke u zbutur, ne mendojmë se tani është e udhës që të lirohet kjo masë dhe studentët të ushqehen aty ku është vendi i duhur”, kanë thënë nga Parlamenti Studentor.
Por Erjon Maksuti, që vijon studimet në Juridik, e mirëkupton situatën me pandeminë COVID-19.
“Kjo është për të mirën tonë, 4 mijë studentë nëse nuk gaboj që hanë në mensë edhe ish bë një grumbull i madh nëse kishim me pas opsionin për të qëndruar brenda mensës”, ka deklaruar ai.
Në Ministrinë e Arsimit, në atë të Shëndetësisë dhe as në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik nuk treguan nëse do të hiqet masa e kufizimit për studentët, me të cilën u pamundësohet ushqimi në mensë.