Paralajmërimi i së dielës pasdite i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, që nga e hëna të hapen institucionet parashkollore, i ka zënë në befasi shumë çerdhe e kopshte. Asnjë nga to, deri pak orë para mesnatës, nuk kanë pasur informata se si të veprojnë dhe çfarë masash duhet ndërmarrë pas vendimit për hapje.
Në pjesën më të madhe të çerdheve e kopshteve, të hënën, ka dalë vetëm stafi e që është marrë me përgatitjet për rikthimin në punë pas gati 3 muajsh.
Kryetarja e kryesisë së kolegjiumit të drejtorëve të institucioneve parashkollore publike dhe me bazë në komunitet, Mevlude Murtezi, ka thënë se vendimi i Qeverisë ka qenë i ngutshëm dhe i pakoordinuar mirë.
Disa orë pas mbledhjes së Qeverisë, ku u njoftua për hapjen e institucioneve parashkollore, ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka shkruar në Facebook se më 1 qershor do të hapen vetëm çerdhet që janë gati, kurse të tjerat ditëve në vazhdim, raporton KOHA.
Lidhur me moskoordinimin e institucioneve për hapjen e çerdheve e kopshteve, ka shprehur shqetësim edhe Asociacioni i komunave. Përmes një njoftimi thuhet se komunat pak para mesnate e kanë pranuar “Udhëzuesin për rihapjen e institucioneve parashkollore dhe kopshteve pas pandemisë së COVID-19”.
“Sipas këtij dokumenti, faza përgatitore e hapjes së institucioneve parashkollore merr disa ditë kohë, meqë ka një mori masave në zbatim të plotë të Udhëzuesit dhe për të siguruar shëndetin e fëmijëve tanë”, thuhet në njoftim.
Ky udhëzues është hartuar nga UNICEF-i. Disa nga masat që parashihen në të janë higjiena dhe praktikat e përditshme shëndetësore në institucionet parashkollore dhe kopshte, higjiena lidhur me përgatitjen dhe administrimin e shujtave, dhe ruajtja e distancës fizike. Po ashtu, parashihet të zhvendosen lëndët mësimore dhe aktivitetet në ambient të hapur derisa fëmijët të ndahen në grupe më të vogla nga 2-3 duke kufizuar aktivitetet në grupe të mëdha.
Sipas drejtoreshës së institucionit parashkollor “Xixëllonjat”, Mimoza Morina-Veseli, disa masa do ta kenë problem t’i zbatojnë siç është ndarja në grupe e fëmijëve, për shkak të hapësirave të ngushta.
Për këto detaje, KOHA tentoi të marrë qëndrim edhe nga Ministria e Shëndetësisë, por nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës.