Arbëri

Shkaku i kushteve nxënësit e komunitetit ashkali në Ferizaj po braktisin shkollat

Komuna e Ferizajt gjatë muajve të fundit po përballet me braktisje të nxënësve në disa shkolla fillore, gjë që ka nxitur reagimin e këshillit të prindërve në këtë regjion me qëllim që institucionet komunale ta aktivizojnë Këshillin për parandalim e braktisjeve. Në komunë kanë thënë se janë duke punuar në këtë drejtim.

Disa shkolla të Komunës së Ferizajt gjatë muajve të fundit po përballen me braktisjen e dhjetëra nxënësve nga procesi mësimor, dukuri kjo e cila po vazhdon ndër vite.

Braktisja më e madhe po ndodh në ato shkolla që kanë nxënës të komunitetit Ashkali si ajo “Ahmet Hoxha”, “Naim Frashëri”, “Tefik Çanga”, “Vezir Jashari” dhe disa shkolla të tjera.

Kjo ka bërë që asamblistët komunalë nga Komiteti për komunitete t’i nisin vizitat në këto shkolla, me qëllim që ekipet për parandalim të braktisjeve të aktivizohen.

Visar Islami, kryetar i këshillit të prindërve për regjionin e Ferizajt, ka thënë se institucionet komunale duhet të angazhohen për ndaljen e kësaj dukurie.

Ai ka thënë se prindërit e këtij komuniteti po i detyrojnë fëmijët të punojnë punë fizike.

“Këta po mundohen që fëmijët e tyre në moshë shumë të re t’i angazhojnë nëpër punë dhe nuk e kanë vetëdijesimin për rëndësinë e arsimimit. Rëndësia e arsimimit tek ata është më e ulët dhe po paraqet problem çdo herë. Ne po mundohemi të jemi në kontakt çdoherë me prindërit dhe t’i ndihmojmë që ata të kthehen prapë në shkolla . Megjithatë ekipi për braktisjen e shkollave në kuadër të DKA-së duhet ta marrin me seriozitet dhe përgjegjësi për të dalë sa më shumë në terren”, ka thënë Islami.

“Sot patëm takim në shkollën ‘Ahmet Hoxha’ me komitetin për komunitete e që po vazhdon në shkollën ‘Naim Frashëri’ në Zaskok , ku i ndamë disa përvoja dhe rekomandime të cilat ky komunitet po mundohet t’i mbledhë të gjitha të dhënat dhe t’i adresojë pranë DKA-së dhe më gjerë”, ka thënë Burim Sylejmani, trajner regjional për parandalim të braktisjes.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani, ka thënë se braktisja e nxënësve nga shkolla po vazhdon të ndodhë për shkak të kushteve të rënda ekonomike.

“Ne si drejtori e Arsimit kemi qenë dhe do të jemi vazhdimisht të hapur me bashkëpunimin që duhet ta ofrojmë si institucione sepse na takon edhe sipas legjislacionit në fuqi dhe në bazë të aktiviteteve të tjerat të cilat po i bartim ne si drejtori e arsimit”, ka thënë Llabjani.

Llabjani ka sqaruar se tashmë kanë nënshkruar marrëveshje me organizata të ndryshme për të mbajtur mësim plotësues me fëmijët që kanë humbur ditët e mësimit.