Arbëri

Shitjet me humbje të KEK-ut

Me humbje i kanë dalë llogaritë Korporatës Energjetike të Kosovës kontratat për shitjen e mbeturinave metalike. Të paktën që nga viti 2017, KEK-u ka regjistruar dëme prej kontratave të shitjes së skrapit. Mashtrim, mosrealizim e shkëputje të kontratave, kallëzim penal e padi është sinonimi i këtyre tenderëve.

E fundit kontratë është nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar. KEK-u ka nënshkruar kontratë me kompaninë ndaj të cilës ka ushtruar kallëzim penal e ka ngritur padi nën dyshimin për mashtrim. Dy kontrata të mëhershme të natyrës së njëjtë ka dështuar t’i realizojë kompania “DT Mining” SH.P.K në vitet 2019 e 2020. Të fundit më 2023 në vlerë rreth 800 mijë euro e ka fituar bashkë me kompaninë “Metal Mix” SH.P.K.

Pjesë e hetimeve të Policisë është bërë edhe kjo kontratë që është në realizim e sipër.

Se ka telashe me menaxhimin e kontratave të KEK-ut e thotë edhe hulumtuesja e organizatës “Demokraci Plus”, Egzona Kozhani. Gjatë monitorimit të kontratave në KEK, ajo ka vërejtur se ka probleme edhe në fazën e vlerësimit të ofertave, por edhe në fazën e implementimit të kontratave.

“KEK-u duhet të caktojë komisione vlerësuese profesionale, të cilat i vlerësojnë siç duhet ofertat, ose me marrë masa - me gjet cili është problemi, sepse këto raste po përfundojnë me ankesa në OSHP kur nuk po bëhet vlerësimi i duhur i ofertave, kur paraprakisht kanë ekzistuar të gjitha kriteret që duhet të plotësohen, të cilat janë përcaktuar në dosje të tenderit”, ka thënë Kozhani.

Por, si rrodhën procedurat e këtij aktiviteti të prokurimit?

Tenderi ishte hapur në fund të 2020-s dhe në vitin pasues fillimisht fitues u shpall kompania NT “Migjeni”.

“Në 2020 u shpall tenderi për skrap. Në 2020 në kemi konkurruar si firmë dhe na ka shpallë fitues KEK-u. Masandej është ankuar në OSHP kjo firma ‘DT Mining’... Ky ka qenë pak ma i shtrenjtë meqë i ka dhënë dy lloj çmimesh, për të njëjtin artikull - njërin 47, tjetrin 25 centë”, ka bërë të ditur Bucolli.

Grupi i operatorëve ekonomikë “DT Mininig” SH.P.K. dhe “Metal Mix” SH.P.K kanë deponuar kërkesë për rishqyrtim në Korporatën Energjetike të Kosovës më 9 shkurt 2021. Ky grup i operatorëve ekonomikë pretendonte se KEK-u nuk e ka zbatuar drejt Rregulloren për shitje dhe heqje të aseteve. Ankesa ishte hedhur poshtë si e pabazuar nga autoriteti kontraktues. Njëra nga arsyetimet ishte mashtrimi në kontratat e mëhershme nga “DT Mining”. Siç thuhej në arsyetimin e KEK-ut, vlerësimi për informata mashtruese bazohej në dy aktivitete paraprake në vitet 2019 e 2020, ku për shkak të mashtrimeve KEK-u ka qenë i detyruar t’i shkëpusë dy kontrata të tjera për shitjen e skrapit.

Sipas këtij dokumenti, KEK-u posedon raport të veçantë nga Auditori i Brendshëm lidhur me mashtrimet që i ka bërë kjo kompani në kontratat paraprake, ku si pasojë ka pasur masa ndëshkuese ndaj punëtorëve të KEK-ut me suspendim nga puna. KEK-u nuk i ka lejuar KOHËS qasje në këtë raport.

“DT Mininig” e “Metal Mix” SH.P.K lëndën e kishin adresuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Seanca dëgjimore për këtë rast ishte mbajtur më 3 mars të vitit 2021. Zyrtarët e KEK-ut si arsyetim për eliminimin e këtij operatori, pos përvojave të mëhershme me “DT Mining” kishin përmendur edhe ofertimin me dy çmime të ndryshme për produktin e njëjtë në tenderin e ri. Këtë në KEK e kishin vlerësuar edhe si mashtrim.

Arsyetimi i KEK-ut nuk e pati bindur Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe këtë aktivitet të prokurimit e pati kthyer në rivlerësim.

Ky institucion, që ndryshe njihet edhe si Gjykata e Tenderëve, ka vlerësuar se nuk mjafton vetëm padia ndaj një operatori ekonomik, por duhet vendim i gjykatës për t’u vërtetuar një gjë e tillë.

Në mënyrë që të jetë në përputhje me fushëveprimin e Ligjit të Prokurimit Publik, sipas OSHP-së, sjellja duhet të konstatohet nga një gjykatë, agjenci administrative ose organizatë për zbatimin e standardeve të sjelljes profesionale.

Mosfutja në “listën e zezë”

Në “Demokraci Plus” tregojnë hapat që autoritetet kontraktuese duhet ndërmarrë, në rast se kompanitë bëjnë deklarim të rrejshëm apo falsifikim të dokumenteve.

“Nëse kishte ekzistuar baza për falsifikim të dokumenteve ose deklarim të rrejshëm, KEK-u ish dashtë që të bëjë kërkesë në OSHP që të diskualifikohet ky operator ekonomik dhe me u fut në listën e zezë, që quhet ky mekanizmi. E futja në listë të zezë e kishte penguar këtë operator ekonomik me marrë pjesë në kontrata për një periudhë, varësisht sa vendos OSHP-ja. Periudha që lejohet është deri në 1 vit. Edhe ky është një penalizim, me quajt pak më i shpejtë për kompaninë, sepse nuk ka nevojë me pritë aq gjatë derisa të merret vendimi i gjykatës”, ka thënë Egzona Kozhani nga “Demokraci Plus”.

Në KEK nuk kanë treguar pse nuk e kanë ndërmarrë një hap të tillë.

E, pas rivlerësimit, KEK-u e ka rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve ekonomik “DT Mininig” SH.P.K. dhe “Metal Mix” SH.P.K. Vendimin e pati kontestuar N.T. “Migjeni”.

Pronari Migjen Bucolli thotë se kompania fituese nuk kishte licencë. Kjo vërtetohet edhe në një e-mail të siguruar nga KOHA. Aty kompania kërkonte që të hiqej ky kriter.

Pas afro 2 vjetësh, më 8 shtator 2022, Zyra e prokurimit të KEK-ut i njoftoi operatorët se për shkak të një ankese këtë aktivitet të prokurimit do ta pezullojë deri në një vendim të ardhshëm.

Në përgjigjet e Korporatës Energjetike të Kosovës thuhet se fillimisht e kanë anuluar këtë aktivitet të prokurimit, por pas ankesave të njëpasnjëshme të palës së pakënaqur, OSHP-ja e ka detyruar që ta nënshkruajë kontratën në dhjetor të vitit të kaluar. E për kontratat e mëhershme e pranojnë se kjo kompani ka dështuar t’i realizojë.

Në përgjigjet me shkrim, në KEK kanë thënë se ky operator ekonomik njërën kontratë e ka realizuar vetëm 50% dhe për pjesën tjetër është tërhequr nga realizimi, kurse kontrata tjetër i është ndërprerë për arsye se ka dështuar të deponojë mjetet, ashtu siç është paraparë me kontratë. Vlera e dy kontratave të viteve 2019 e 2020 ishte mbi 1 milion euro.

Lidhur me pretendimet e KEK-ut për mashtrim, Laureta Ulaj, zyrtare për informim dhe monitorim të mediave në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, nëpërmjet përgjigjeve me shkrim ka konfirmuar se janë duke u zhvilluar hetime.

Ndërsa, në Gjykatën Themelore të Prishtinës kanë kërkuar të dhëna shtesë të palës së paditur. Por, përgjigjet kanë munguar sërish.

Në organizatën “Demokraci Plus” thonë se për çdo devijim nga kontrata fillimisht përgjegjës duhet të mbahet menaxheri i kontratës.

“Problem tjetër, por që shfaqet në një fazë tjetër, domethënë pas nënshkrimit të kontratës është çështja e menaxhimit të kontratës, të cilat shfaqen gjatë implementimit të kontratës. Në këto raste kur kemi devijim prej kushteve të kontratës, ose kur kemi, siç munden me qenë vonesat në implementim, ose siç munden me qenë ikja nga plani dinamik apo çfarëdo lloj tjetër që nënkupton ikje nga kushtet e kontratës është përgjegjësi direkte e menaxherit që të bëjë raportin për këto vonesa dhe rrjedhimisht që nëse është shkelja në atë nivel të bëhet edhe shkëputja e kontratës dhe të ekzekutohet sigurimi i kontratës”, është shprehur Kozhani.

Fituesi me borxhe në ATK

“DT Mining” e “Metal Mix” nga viti 2018 ishin në borxhe ndaj Administratës Tatimore të Kosovës.

Në Korporatën Energjetike të Kosovës nuk kanë treguar se pse e kanë shpërfillur Ligjin e Prokurimit Publik dhe kriteret që i ka përcaktuar në dosje të tenderit kur e kanë përzgjedhur këtë grup të operatorëve ekonomikë.

Çështjen e borxheve e ka konfirmuar ATK-ja në përgjigjet që i ka dërguar rreth një muaj, pasi KOHA ka deponuar ankesë ndaj këtij institucioni në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Megjithëse nuk e kanë treguar shumën, në ATK kanë theksuar se borxhi i këtyre kompanive i ka takuar periudhës 2018-2021.

Ligji për Prokurimin Publik ua ndalon operatorëve ekonomikë të marrin pjesë në aktivitete të prokurimit ose ekzekutim të ndonjë kontrate publike nëse operatori është vonuar në pagimin e çfarëdo kontributi për sigurim social apo tatim në Kosovë.

Çështja e borxhit ishte specifikuar edhe në dosje të tenderit te “Pranueshmëria e operatorëve ekonomikë”, ku theksohej se duhej një vërtetim i nënshkruar nga Administrata Tatimore se operatori ekonomik në fjalë nuk është me vonesë në pagimin e tatimeve së paku deri në tremujorin e fundit të vitit para dorëzimit të aplikimit.

Në Administratën Tatimore të Kosovës kanë treguar se subjektet në fjalë kanë lidhur marrëveshje për pagesë të borxhit me këste dhe ende janë në proces të pagesës së tyre sipas marrëveshjes, por nuk kanë treguar datën se kur është bërë marrëveshja e programimit të borxhit. Zyrtarët e ATK-së e kanë konfirmuar se këto kompani kanë edhe borxhe të reja.

Lidhur me tri kontratat për skrap e edhe për borxhin ndaj ATK-së, në kompaninë “DT Mininig” SH.P.K që nga 10 janari nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS dhe as nuk janë përgjigjur në numrin e telefonit që është i shënuar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Ndërkohë Migjen Bucolli thotë se për kontratën e fundit ka dhënë dëshmi në Polici, në Njësinë për Krime Ekonomike dhe Korrupsionit.

“Policia e ka marrë deklaratën qysh e kam dhanë, qysh po jua jap juve edhe atyre, se m’u ka duk si e padrejtë kjo punë”, ka theksuar Migjen Bucolli – pronar i N.T. “Migjeni”.

Lidhur me këtë rast KOHA i ka drejtuar pyetje Policisë së Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.

KEK-u me histori mashtrimi edhe në shitjen e vitit 2017

Korporatës Energjetike të Kosovës nuk i ka ecur mirë shitja e skrapit as në kontrata të mëhershme. Një raport i klasifikuar si konfidencial i Auditorit të Brendshëm të KEK-ut, i siguruar nga KOHA në muajin shkurt, i ka vërtetuar shkeljet e kontratës për shitjen e skrapit, për të cilat gazeta “Koha Ditore” pati raportuar para afro shtatë vjetësh. Ky raport i datës 31 tetor 2017, që ka pasuar pas hulumtimit të “Kohës Ditore” të datës 28 korrik të të njëjtit vit, i botuar në tri vazhdime, flet për mashtrimin në peshore, zhvlerësim të bakrit dhe mosregjistrim të ngarkesave me metale. Siç thuhet në këtë dokument, dëmi që ua ka shkaktuar operatori ekonomik “ECO-METAL” Sh.P.K. & “REC KOS” Sh.P.K. gjatë bartjes vetëm në pesë data të ndryshme është 62.240 kg hekur.

Raporti po ashtu konstatonte se kompanitë fituese të kësaj kontrate kanë filluar bartjen e skrapit pa plotësuar letrën e autorizimit, siç parashihej me kontratë. Tutje në këtë dokument thuhet se projektmenaxheri i kësaj kontrate ka lejuar matjen e metaleve jashtë peshoreve të KEK-ut pa u konsultuar me zyrën ekzekutive të prokurimit të KEK-ut dhe menaxhmentin e KEK-ut. Kjo ka ndodhur nga data 07.04.2017 deri më 19.05.2017, kurse zbatimi i kontratës ka nisur më 31.03.2017. Gjatë asaj periudhe ishin bërë 28 matje, ku i pranishëm ka qenë vetëm koordinatori i komisionit nga radhët e KEK-ut. E në kontratë specifikohej se prezent duhej të ishte projektmenaxheri.

Siç thuhet në raportin e Auditorit të Brendshëm, ishte siguruar një fletëmatje e datës 06.06.2017, ku pesha e kamionit pa ngarkesë ishte më e madhe sesa ajo e kamionit me ngarkesë për 4.840 kg.

Egzona Kozhani nga “Demokraci Plus” thotë se kjo çështje është shumë specifike dhe menaxheri që caktohet për këto kontrata duhet ta njohë natyrën e kontratës dhe po ashtu duhet t’i bartë të gjitha përgjegjësitë ligjore në rast që nuk raportohet për rastet të tilla. Sipas saj, KEK-u në këto raste ka dështuar në shitjen e skrapit.

“Nevoja që Korporata Energjetike e Kosovës me i shit asetet të cilat nuk janë të nevojshme më për KEK-un është besoj e madhe. Mosmarrja e masave nga KEK-u për me u realizua këto kontrata dhe shitja e aseteve krijon pengesë në mbledhjen e mjeteve nga këto fonde, rrjedhimisht edhe deponimin e këtyre fondeve në arkën e Autoritetit Kontraktues dhe rrjedhimisht edhe e pengon në implementimin e planeve që ka pasur për të ardhmen. Mirëpo, ky problem nuk është vetëm te shitja e aseteve. Ka kontrata që po vonohen edhe për investime, për blerje edhe për furnizime të ndryshme që janë shumë esenciale për mbarëvajtjen e punës së KEK-ut e gjithashtu edhe për ato raste kur ka ankesa të tilla dhe nuk merren masa parandaluese nga vetë KEK-u, atëherë i gjithë plani i prokurimit, plani vjetor i prokurimit shtyhet”, ka thënë Kozhani.

Në kohën kur ka raportuar “Koha Ditore” për këtë kontratë sa ishte në realizim, burime brenda KEK-ut patën thënë se operatori ekonomik fitues i ka deklaruar 350 mijë kilogramë metale të tërhequra nga KEK-u, kurse sasia reale deri në atë kohë, sipas burimeve, ishte 1 milion e 800 mijë kilogramë.

Për shitjen e skrapit KEK-u i di vetëm çmimet e kontratave të cilat i ka nënshkruar, por nuk ka arritur ta dijë edhe humbjen që i është shkaktuar.