Arbëri

Shitja e dyshimtë e skrapit të KEK-ut

Korporata Energjetike e Kosovës i ka dhënë kontratë një kompanie, së cilës dy herë më parë ia ka shkëputur kontratat nën dyshimin për mashtrim dhe ndaj së cilës ka ngritur kallëzim penal dhe ka bërë padi. Në KEK kanë thënë se fillimisht e kanë anuluar këtë aktivitet të prokurimit, por pas ankesave të njëpasnjëshme nga pala e pakënaqur, OSHP-ja i ka detyruar që ta nënshkruajnë kontratën në fund të vitit të kaluar

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) e ka shpërblyer me kontratë kompaninë ndaj së cilës më parë ka deponuar kallëzim penal dhe ka ngritur padi nën dyshimin për mashtrim.

Kjo është kontrata e tretë që e fiton “DT Mining” për blerjen e mbeturinave metalike në KEK, pas shkëputjes së dy kontratave të mëhershme.

Arsyeja e ndërprerjes së dy kontratave paraprake ishte “mashtrimi”. E për kantatën e tretë, ndonëse kanë kaluar tre vjet prejse KEK-u i kishte nisur procedurat e prokurimit për shitjen e skrapit, tek këtë vit ka nisur zbatimin. Fitues i kësaj kontrate në vlerë rreth 700 mijë euro fillimisht ishte shpallur N.T. “Migjeni”.

“Në 2020 u shpall tenderi për skrap. Në 2020 na kemi konkurru edhe na kanë shpallë fitues KEK-u. Masandej është ankuar në OSHP (Organi Shqyrtues i Prokurimit v.j.) kjo firma ‘DT Mining’. Ky ka qenë pak ma i shtrenjtë se i ka dhanë dy lloj çmimesh. Për të njëjtin artikull njërin e ka dhanë 47, njërin 25 centë (për hekur v.j.). Edhe Autoriteti i KEK-ut, për arsye se ka pasë kontrata edhe më parë (me këtë kompani v.j.), nuk e kanë shpallë fitues për këtë arsye”, thotë Migjen Bucolli, pronar i N.T. “Migjeni” në Obiliq.

Konsorciumi i përbërë nga “DT Mininig” dhe “Metal Mix” kishte deponuar kërkesë për rishqyrtim në KEK, më 9 shkurt 2021. Ky konsorcium pretendonte se KEK-u nuk e kishte zbatuar drejt Rregulloren për shitje dhe heqje të aseteve. Por, ankesa e tyre ishte hedhur poshtë si e pabazuar nga Autoriteti Kontraktues. Arsyetimi i KEK-ut në këtë rast ishte “mashtrimi i kompanisë në fjalë gjatë realizimit të dy kontratave të mëhershme gjatë viteve 2019-2020”.

“Vlerësimi për informata mashtruese bazohet edhe në dy aktivitete paraprake që lënda e kontratës ka qenë e njëjtë (shitja e mbeturinës metalike-skrapit). Në të dyja rastet për shkak të mashtrimeve, Autoriteti Kontraktues ka qenë i detyruar të shkëpus kontratën paraprake, respektivisht Vendimi për shkëputje të kontratës me nr. të protokollit 8759 i datës 13.09.2019 për kontratën me nr. të protokollit 3318 i datës 27.05.2019 dhe vendimi për shkëputje të kontratës me nr. të protokollit 1982 i datës 13.02.2020 për kontratën me nr. të protokollit 1754 i datës 05.03.2020”, thuhet në arsyetimin e KEK-ut, në shkurt të vitit 2021. “Si dëshmi mund të gjeni të bashkëngjitur ‘padinë’ nr. 905/20 të datës 04.02.2020 dhe kallëzimin penal të datës 04.05.2020. KEK-u posedon raport të veçantë të Auditimit të brendshëm të KEK-ut lidhur me mashtrimet që i keni bërë në kontratat paraprake, ku si pasojë ka pasur masa ndëshkuese ndaj punëtorëve të KEK-ut me suspendim nga puna”.

Hesht “DT Mining”

Konsorciumi i përbërë nga kompanitë “DT Mininig” dhe “Metal Mix” është ankuar edhe në OSHP. Seanca dëgjimore për këtë ishte mbajtur më 3 mars të vitit 2021. Atëkohë, zyrtarët e KEK-ut edhe këtu si arsyetim për eliminimin e këtij operatori i kanë treguar përvojat me “DT Mining” që i kanë pasur në dy kontrata të mëhershme. KEK-u kishte njoftuar Panelin shqyrtues se në fazën e vlerësimit komisioni kishte kërkuar sqarim nga operatori ekonomik ankues rreth çmimeve të ndryshme që i kishte vënë për të njëjtin artikull “DT Mining”, por që nuk kishte marrë përgjigje.

“...te pozicioni 1, 3 dhe 5 pasi është i njëjti artikull, artikulli është hekurina metalike skrap hekur edhe çelik, çmimi i pozicionit 1 dhe 3 është i njëjtë, ndërsa pozicioni 5 është për 86.27 për qind më i lartë. Në përgjigjen e datës 22.01.2021 konsorciumi nuk jep sqarime të detajuara se qysh është arritur çmimi i ofruar. Në sqarime thotë se është e drejtë e OE të jap çmime të ndryshme, por kjo nuk është përgjigje pasi ka qenë i obliguar me dhanë sqarime të detajuara”, citohet përfaqësuesi i KEK-ut në vendimin e OSHP-së të datës 12 mars 2021. “Këtë arsyetim komisioni e ka klasifikua si mashtrim dhe kjo është e dënueshme sipas Ligjit nr. 04/L-077 për marrëdhënie të detyrueshme, neni 49 mashtrim në eliminim dhe përgjigje në kërkesë për rishqyrtim”.

Këtë KEK-u e ka konsideruar edhe si shkelje të deklaratës nën betim, vepër kjo, sipas tyre e dënueshme.

“OE ankues edhe në të kaluarën ka dështuar të realizojë dy kontrata për të cilat janë marrë masa adekuate me ndërprerje të kontratave dhe me inicim të procedurave gjyqësore në departamentin penal dhe civil. Padinë dhe kallëzimin penal mund ta gjeni në dokumente që i kemi dorëzuar në OSHP”, ka bërë të ditur KEK-u.

Arsyetimi i KEK-ut nuk e kishte bindur Panelin shqyrtues, pasi në vendimin e protokolluar më 12.03.2021 ankesa e konsorciumit “DT Mininig” dhe “Metal Mix” është pranuar si e bazuar dhe ishte anuluar njoftimi për dhënie të kontratës për aktivitetin “Shitja e mbeturinës metalike (Skrapit) me numër të protokollit: KEK-SHM-20-001-8-1-1, dhe lënda ishte kthyer në rivlerësim.

“Sqarojmë se për rastin që ju i referoheni, Paneli shqyrtues ka shqyrtuar pretendimet ankimore të OE ankues dhe në bazë të fakteve dhe argumenteve ka marrë edhe vendime për ketë rast, ku këto vendime palët e pakënaqura kanë mundur t’i atakojnë në gjykatën kompetente konform këshillës juridike të dhënë në vendim, gjë e cila në rastin konkret nuk ka ndodhur”, thuhet në përgjigjet e Organit Shqyrtues të Prokurimit. “Çështja që ju i referoheni përmbushje apo mospërmbushje e kontratës, OSHP-ja sqaron se është çështje mes palëve që kanë lidhur atë kontrate dhe këto çështje duhet të zgjidhen mes palëve në procedurë ashtu siç është e përcaktuar me Ligjin mbi Marrëdhëniet e detyrimeve, pranë gjykatave kompetente për kompensimin e dëmit eventual”.

KEK-u ia lë fajin OSHP-së

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka vlerësuar se nuk mjafton vetëm padia ndaj një operatori ekonomik në mënyrë që ai të përjashtohet nga gara për kontratë, por duhet vendim i gjykatës për t’u vërtetuar një gjë të tillë.

“Vlen të potencohet se duke u bazuar në nenin 65, paragrafi 3, nënparagrafi 3.5 lidhur me nenin 39, paragrafi 3 të Rregullores Nr. 001/2022 për Prokurim Publik si dhe duke u bazuar në interpretimin e KRPP-së të publikuar në uebfaqen e platformës së e-prokurimit të radhitur me nr. 5, citohet se: ‘3.5. është konstatuar nga një gjykatë kompetente, agjenci administrative ose organizatë për zbatimin e standardeve të sjelljes profesionale, se është sjellë në mënyrë joprofesionale’; Dispozita e lartcituar i referohet sjelljes joprofesionale, të cilat duhet të jenë të destinuara si sjelljet e një operatori ekonomik të kryera gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij profesionale”, thuhet në përgjigjet e OSHP-së. “Në mënyrë që të jetë në përputhje me fushëveprimin e LPP-së, e në veçanti me paragrafin e lartcituar, sjellja duhet të konstatohet nga një gjykatë, agjenci administrative ose organizatë për zbatimin e standardeve të sjelljes profesionale. Në mungesë të një agjencie administrative ose organizate për zbatimin e standardeve të sjelljes profesionale në Kosovë, tani për tani, KRPP-ja konsideron se sjellja jo profesionale e një Operatori Ekonomik mund të konstatohet vetëm nga gjykata kompetente”.

Sipas këtij institucioni deri më tash nuk kanë pranuar asnjë shkresë a vendim nga ndonjë gjykatë kompetente lidhur me operatorin ekonomik, rreth papërgjegjshmërisë së tij për pjesëmarrje, përkatësisht ofertim në një aktivitet të prokurimit.

Në KEK kanë thënë se fillimisht e kanë anuluar këtë aktivitet të prokurimit, por pas ankesave të njëpasnjëshme të palës së pakënaqur, OSHP-ja i ka detyruar që ta nënshkruajnë kontratën në fund të vitit të kaluar. E për kontratat e mëhershme e pranojnë se kjo kompani kishte dështuar t’i realizojë.

“Autoriteti Kontraktues fillimisht e ka anuluar këtë aktivitet të prokurimit dhe si palë e pakënaqur GR OE ‘DT Mining’ Sh.P.K. & ‘Metal Mix’ Sh.P.K disa herë ka bërë ankesë në OSHP dhe me vendimin e fundit OSHP na ka detyruar që të nënshkruhet kontrata me këtë OE. Kontrata është nënshkruar me datën 19.12.2023 dhe tani është në realizim e sipër”, thuhet në përgjigjet e KEK-ut.

Ndërkaq, lidhur me kontratat e mëhershme, zyrtarët e KEK-ut kanë thënë se bëhet fjalë për dy kontrata, ku kompania njërën e ka realizuar vetëm 50 për qind dhe për pjesën tjetër është tërhequr nga realizimi.

“Kurse kontrata tjetër i është ndërprerë për arsye se ka dështuar të deponojë mjetet, ashtu siç është paraparë me kontratë. Zyra e prokurimit me sa ka njohuri, zyrtari i cekur nga ju nuk ka qenë projekt-menaxher në kontratat e mëhershme, dhe i njëjti ka marrë masë disiplinore të suspendimit të përkohshëm, por për një çështje tjetër”, thuhet tuje në përgjigje të KEK-ut, edhe pse ndryshe thuhet në vendimin e këtij institucioni dhe në atë të OSHP-së.

Rreth 2 milionë euro kontrata

Në KEK kanë thënë se shumat e dy kontratave të mëhershme, ku kishte dështuar realizimi ka qenë në njërën 143,370.00 euro, e tjetra 940,460.00 euro, kurse shuma e kontratës së fundit me këtë operator është 789,656.00 €. Ndërsa, nuk kanë lejuar qasje në raportin e Auditorit të brendshëm, që është bërë për këto raste.

“Sa i përket kërkesës në qasje të raporteve të auditimit të brendshëm, ju njoftoj se bazuar në ligjet që janë në fuqi (ligji i kontrollit së brendshme të financave publike nr. 06/L021, neni 18 dhe 25), kodin e etikës së auditorëve në KEK, dhe praktikave të deritashme në KEK asnjëherë raportet e auditimit nuk kanë qenë publike, të njëjtat konsiderohen se janë konfidenciale në Republikën e Kosovës bazuar në dispozitat ligjore që e rregullojnë fushën e AB”.

Në kompanisë “DT Mininig” që nga 10 janari nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS dhe as nuk janë përgjigjur në numrin e telefonit që është i shënuar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Për çështjen e padisë KOHA i ka adresuar pyetje Gjykatës Themelore të Prishtinës që nga data 10 janar, por përgjigjet kanë munguar. Ndërkaq, sa i përket kallëzimit penal, Laureta Ulaj, zyrtare për informim në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ka thënë se për këtë çështje janë duke u zhvilluar hetime.

“Në këtë fazë nuk mund të japim informata të tjera për shkak të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor”, ka theksuar Ulaj.

Pas rivlerësimit, KEK-u e kishte rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve ekonomikë “DT Mininig” dhe “Metal Mix”. Vendimin e ka kontestuar kompania “Migjeni”.

“Së pari, 2-3 kontrata këtij iu kishin ndërpre, janë dalë njerëzit prej pune, e kanë emrin mbiemrin. Domethënë, nuk e ka krye kontratën, iu ka ndërpre kontrata edhe për këtë arsye ma merr mendja që edhe nuk e kanë shpallë fitues (fillimisht v.j.)”, thotë Migjen Bucolli. “Ai (konsorciumi ‘DT Mininig’ dhe ‘Metal Mix’) as licencë s’ka pasë, e është shkelje. Avokati jonë ka kërkuar qasje në dokumente në prokurim të KEK-ut. Domethënë, avokati jonë ka kërkua letrat të gjitha të cilat janë lypë me kriter. E ka lypë vërtetimin e ATK-së. Konsorciumi nuk e ka çu. Të gjykatës e ka lypë, nuk e ka çu hiç. Domethënë, pas 2-3 dite i kemi e-mailat zyrtarë se i ka kërkua prapë avokati, por nuk i ka pru ai konsorciumi. Domethënë, është shkelje një dokument mos me pas e jo dy dokumente kryesore që janë”.

Tenderi i vitit 2020 filloi të zbatohet më 2024

Për çështjen e licencës ishte ankuar “DT Mininig” dhe “Metal Mix” nëpërmjet një e-mail, të cilin e ka siguruar KOHA

“Kriteret e përcaktuara nga ana juaj konsiderojmë se janë diskriminuese dhe na pamundësojnë neve si operator ekonomik të ofertojmë në këtë tender. Një ndër kriteret e tilla, është ai që ndërlidhet me kërkesën për të pasur licencën për administrimin e mbeturinave të lëshuar nga MMPH”, thuhet në këtë letër-përgjigje të operatorit ekonomik, drejtuar KEK-ut. Aty kërkohej që të hiqej ky kriter.

E, pas më shumë se një viti, më 8 shtator 2022, Zyra e prokurimit të KEK-ut po i njoftonte operatorët se për shkak të një ankese, këtë aktivitet të prokurimit për shitjen e skrapit do ta pezullonte deri në një vendim të ardhshëm.

Migjen Bucolli thotë se pas këtij e-maili asnjë njoftim nuk e kishin marrë nga KEK-u lidhur me këtë aktivitet të prokurimit dhe as tash kur është shpallur fituesi.

“Pak para vitit të ri diku aty, ia ka fillu me punu ky (konsorciumi ‘DT Mininig’ dhe ‘Metal Mix’ v.j.). Do mjete do sene i ka hjekë do skrap prej atje. KEK-u ma merr mendja ka bërë shkelje se na qe 3 vjet tu ba shpenzime edhe në fund mos me tregu edhe me ta çu një e-mail që kjo firmë është shpallë fituese. Kjo ma merr mendja është shumë e padrejtë”, ka thënë Bucolli.

Në KEK e kanë arsyetuar mosnjoftimin e kompanisë “Migjeni” rreth nënshkrimit të kontratës.

“Njoftimi për rekomandimin për dhënie nuk i është dërguar OE ‘Migjeni’ për arsye se ky OE ka tërhequr shumën e depozituar dhe me këtë veprim nuk ka qenë palë e interesit për këtë aktivitet të prokurimit”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut.

E, në OSHP nuk kanë thënë specifikisht nëse KEK-u ka bërë shkelje me mosnjoftimin e operatorëve ekonomikë garues në këtë aktivitet të prokurimit.

“Sqarojmë proceduralisht sipas LPP-së, AK-ja pas marrjes se një vendimi nga OSHP-ja, është e obliguar ta respektojë të njëjtin dhe të veprojë sipas atij vendimi dhe nëse me vendim OSHP ka kthyer një aktivitet të prokurimit në Rivlerësim, një aktiviteti i prokurimi nga ana e tyre duhet të rivlerësohet ku AK-ja duhet të formojë komisionin për rivlerësim dhe pas përfundimit të rivlerësimit vazhdon me procedurat e publikimit të njoftimeve sipas LPP-së”, thuhet në përgjigjet e OSHP-së.

E Bucolli ka thënë se kompania fituese në kohën kur kishte konkurruar në këtë tender kishte borxhe ndaj Administratës Tatimore të Kosovës. KOHA i ka adresuar pyetje edhe këtij institucioni, por përgjigjet kanë munguar.

Burime të KOHËS kanë thënë se konsorciumi fitues i kësaj kontrate, para rreth 10 ditëve ka nisur bartjen e skrapit, por 3-4 ditë më vonë e ka ndërprerë punën.